A po e shkel apo jo Kushtetutën Presidenti Ilir Meta, në këto orë, kjo është çështja!

Nga Vladimir KOLA, Doktor në të “Drejtën Kushtetuese dhe Publike të Përgjithshme”

A po e shkel apo jo Kushtetutën Presidenti Ilir Meta, në këto orë, kjo është çështja!

Medoj se shumë politikanë, juristë e gazetarë e shtetas të thjeshtë, po pyesin vetveten së pari nëse Presidenti Ilir Meta ka kompetencë kushtetuese për të refuzuar, përfundimisht, dekretimin e propozimit që i është bërë nga Kryeministri Edi Rama për të emëruar si ministër të brendshëm zotin Sandër Lleshi dhe së dyti si do të reagojë shumica politike përballë refuzimit të Presidentit.

Po të shkoni te siti i Presidentit, gjeni edhe intervistën e zotit Meta me Gazetarin Peka. Gjatë intervistës, Presidenti Ilir Meta merr si shembull Italinë, ku para ca javëve Presidenti i Italisë Mattarella refuzoi të firmoste kandidaturën për ministrin e ekonomisë, për të argumentuar se kur i propozohet një ministër Presidentit, ky i fundit nuk është se hedh firmën formalisht.

Në lidhje me këtë arsyetim të Presidentit Meta, më duhet të them se së pari, në këtë rast, krahasimi mes Kushtetutës së Italisë dhe Kushtetutës së Shqipërisë, nuk qëndron, sepse te neni 92 i Kushtetutës së Italisë nuk parashikon ndonjë afat kohor për Presidentin për të emëruar ministrin (apo ministrat) e propozuar nga Kryeministri, kurse në nenin 98 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet qartë se Presidenti duhet të emërojë dhe shkarkojë ministrin e propozuar nga Kryeministri brenda shtatë ditëve.

Së dyti, po të lexojmë më kujdes Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 1, pika 1 thuhet: “Shqipëria është republikë parlamentare”, që do të thotë se pushteti ekzekutiv (Qeveria) është përgjegjës para Parlamentit dhe jo para Presidentit, saqë Qeveria bie menjëherë, kur humb besimin në Parlament.

Edhe po t’i referohemi Kushtetutës Italiane, është e qartë se, me gjithë dallimet me Kushtetutën e Shqipërisë, edhe Italia është Republikë parlamentare. Prandaj, në të vërtetë edhe në Itali, po të kishte këmbëngulur shumë shumica e re politike, mendoj se përfundimisht Presidenti italian do të kishte qënë i detyruar ta firmoste edhe kandidaturën qe e refuzoi.

Gjithsesi, meqë pushteti është edhe çështje kompromisi (jo vetëm kompetencash), shumica politike në Itali për të mos pasur konflikt të hapur me Presidentin, propozoi një kandidaturë tjetër për ministër ekonomie, por e përseris shumica politike e bëri për oportunizëm politik dhe jo se Presidenti italian kishte kompetencë kushtetuese përfundimtare për ta bllokuar kandidatin e propozuar për ministër ekonomie.

Po thosha përpara se Shqipëria është Republikë Parlmentare dhe në lidhje me këtë çështje më duhet të shtoj edhe diçka tjetër. Për të kuptuar Republikën (apo edhe Monarkinë) Parlamentare duhet të kemi parasysh nga një anë teorinë kontraktualiste dhe nga ana tjetër teorinë e ndarjes së pushteteve.

Teoria kontraktualiste argumenton se pushteti politik vjen nga populli, kurse teoria e ndarjes se pushteteve argumenton se pushteti nuk duhet të jetë i përqëndruar në një institucion të vetëm.

Duke qënë se deputët janë të zgjedhur nga populli, për shkak të kontraktualizmit, Pushteti ekzekutiv është përgjegjës para Parlamentit, kurse për shkak të ndarjes së pushteteve, Pushteti legjizlativ dhe Pushteti ekzekutiv duhet të kenë kompentenca dhe duhet të jenë institucione të ndara.

Meqënëse, siç e thashë, Qeveria, në fund të fundit, është përgjegjëse para Parlamentit, lind pyetja, përse atëherë është parashikuar në Kushtetutë se, Presidenti emëron dhe shkarkon ministrin e propozuar nga Kryeministri? Arsyet janë, së pari historike, sepse Anglia, e cila ka nje ndër traditat me të gjata në botë (ndoshta më e gjata) për sa i përket institucionit të Parlamentit, deri në pragun e luftës civile 1642-1651, nuk ka pasur votëbesimin e keshilltarëve, pra të ministrave, të Mbretit (i cili ishte edhe kryetar i shtetit edhe kryetar i qeverisë), por ka pasur mekanizmin e impeachment, domethënë me anë të impeachment nga Parlamenti anglez, një funksionar i mbretërisë e humbte pushtetin dhe sipas rasteve, dënohej me burg, me dëbim, me vdekje, etj.

Pasi Parlamenti Anglez e fitoi luftën civile 1642-1651, gjithnjë e më shumë ministrat e Mbretit shiheshin si pëlqim i Parlamentit, kështu që emërimi i ministrave nga Mbreti ishte formal. Pra, ne Angli hyri në fuqi mekanizmi i votëbesimit nga ana e Parlamentit dhe e humbi fuqinë mekanizmi i impeachment.

Ndërsa, në ditët e sotme, impeachment si mekanizëm, parashikohet, për disa funksionarë publikë, përfshirë edhe Presidentin, në Shtetet e Bashkurara të Amerikës.

Përtej aspektit historik, natyrisht qe emërimi dhe shkarkimi i ministrit nga Presidenti ka edhe domethënien e tij edhe në ditët e sotme për faktin se gjithsesi, për shembull, nëse Kryetari i shtetit mendon se, për shkaqe te ndryshme, nje kandidat i propozuar nuk duhet te emërohet ministër, ai mund t’i bëjë me dije Parlamentit dhe opinionit publik arsyet përse ai është kundër atij kandidati.

Kjo gjë e sensibilizon opininion dhe mund ta shtyjë Parlamentin ta refuzojë një ministër të sapoemëruar, por mendoj se gjithsesi, Presidenti i tejkalon kompetencat e tij kushtetuese dhe si pasojë e shkel haptazi Kushtetutën, nëse ai refuzon përfundimisht që të emërojë një ministër të propozuar nga Kryeministri. Siç e thashë, në një Republikë parlamentare, Qeveria është përgjegjëse para Parlamentit, jo para Presidentit. Po të ishtë përgjegjëse para Presidentit, do të ishte një Republike Presidenciale.

Në fund, dua të them diçka mbi skadencën prej shtatë ditëve, siç e parashikon neni 98 i Kushtetutës së Shqipërisë. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave n. 511, datë 24.10.2002, i përditësuar, thuhet se ditë pune, në institucionet shtetërore, qendrore dhe joqendrore, konsiderohen nga e hëna deri të premten.

Duke qënë se propozimi për emërimin e ministrit Sandër Lleshi ka shkuar në Presidencë ditën e shtunë e cila është ditë pushimi, mund edhe të argumentohet se afati, prej shtatë ditëve, i bie të jetë ditën e hënë më 05 nëntor 2018 e cila është ditë pune, siç e parashikon neni 148, pika 3, i Kodit të procedurës Civile ku thuhet: “Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati mbaron në ditën e punës, që vjen pas asaj të pushimit.”

Shënim***: Ndalohet rreptësish riprodhimi i materialit pa lejen paraprake të autorit.