Ku ishe Ti, kur këta e “dhjenë” Lezhën?

646

Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Lezhe, njerëz që thonë; Lezha mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur atë pak pushtet që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, madje dhe dinjitetin, gëzohen kur punët i shkojnë keq, shpirti ua do, që meqë nuk po gëzohen ata, Lezhën, mos t’a gëzojë askush. Kjo është gjëja më e keqe që i ka ndodhur këtij vendi, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës dhe shpresës.

Pa e pasur aspak nevojë, Lezha ka ditur të prodhojë absurdin. Dikur një qytet që mburrej me një nga grupet më interesante të rock-ut në Shqipëri, me poetët, gazetën që bëri epokë në shtypin shqiptar, me brigjet e mrekullueshme të Adriatikut, arkeologjinë dhe historinë, sot, është katandisur në thënien depresive: mos qoftë, o Zot!

Të njëjtin Edi Ramë që ‘e përdhunoi’ në sy të gjithë Shqipërisë, duke e lënë pa përfaqësim në parlament, ngaqë e gjithë lista e Partisë Socialiste në atë qark, hiq një grua, Mimi Kodhelin, u zhbë, e kapur në rrjetën e dekriminalizimit dhe antiligjit, e votuan përsëri.

Por sot të gjithë pyesin ku është Lezha. Në fakt, ajo, s’është më…ka humbur. Askush nuk e do Lezhën, të gjithë janë vërsulur mbi të, si ai zogu-përbindësh, që ia hante shpretkën Prometheut të lidhur.

E përdhunuar, e poshtëruar, e dhunuar, tashmë dhe e përbuzur, shndërruar në një provincë të denjë për personazhet çehovian dhe gogolian, me zyrtarë dhe pushtetarë sa të mjerë aq dhe të pamëshirshëm në egërsinë e tyre primitive, prodhon gjithmonë institucione të brishta morale, gjeneron llum, riciklon korrupsionin dhe mbi të gjitha është e lidhur me krimin e organizuar.

Askush nuk ndjen përgjegjësi për asgjë. Gënjen dhe mashtron lezhjani i shkretë. Miqtë tanë skuqen si LSI-istë, mavijosen si socialistë vetëm për t’u bërë drejtues institucionesh, anëtar komisionesh, bordesh, pjesëmarrës të drejtpërdrejt të shkatërrimit të vlerave. Një bandë partiake zëvendëson tjetrën; një klan interesash zëvendëson tjetrin. Diku zë vend edhe ndonjë arrivist, që e mendon veten si shpëtimtar të botës, por nuk është gjë më shumë se zjarrvënës.

Gjendja e krijuar është azil i jashtëzakonshëm i vagabondëve, injorantëve, matrapazëve, derdimenëve, pushtave, kurvave dhe kurvarëve. Disa të tillë, të identifikuar si gënjeshtarë dhe mashtrues, janë futur në fyt dhe po i marrin frymën Lezhës.

Megjithatë askush nuk flet…

Sepse të gjithë përfunduan në lakej të zgjebosur, që u vardisen bizneseve, partive politike, halabakëve të Edi Ramës, dhe përpiqen të promovojnë ditë e natë pronarët e tyre, interesat e tyre politike dhe ekonomike, edhe pse Lezha përpëlitet në kufijtë e mbijetesës.

Janë të përshtatshëm për karrierë, sepse, duke qenë pa vlera, bëhen poltronë, militantë partiakë, shërbëtorë pa dinjitet. Zënë pozita vendimmarrëse dhe marrin pushtet. Të dhunuar, të gatshëm të dhunojnë. Lezha ka dukshëm një keqqeverisje lokale, rrënim ekonomik, kapje dhe përdorim të institucioneve, votë të manipuluar, shëndetësi të rrënuar, arsimim të shthurur dhe prapseprap shkojnë tek socialistët.

Dhe, fare në fund, po të pyesësh njerëzit pse Lezha përfundoi kështu, do marrësh përgjigje nga më të ndryshmet: dikush ia le përgjegjësinë blerjes së votës, frikës, militantizmit, injorancës, të kaluarës së largët dhe të afërt, demokratëve, dikush bën ekskursione meditative, dikush arsyeton, dikush gënjen qëllimshëm, por të gjithë përpiqen të minimizojnë përgjegjësinë e vet në këtë dështim.

Shënim***: Shkrimi origjinal është botuar më 29 Qershor 2017, edhe pse kaluar më shumë se një vit mbetet gjithsesi aktual, kjo është arsye pse vendosëm ta risjellim për lexuesit tanë.