“As në 97’ nuk ka pas njerz ma pak Shëngjini”/ Një bisedë pasagjerësh rrugës për Lezhë

1031

“As në 97’ nuk ka pas kaq pak njerz n’Shëngjin”, tha shoferi ndërsa merrte kthesën për të hyrë në Lezhë. “Duket si me çan Tetor”, ia priti pasagjeri i vendit të parë.

Urtësia popullore në të shumtën e herëve, thotë më shumë se çfarëdo analizë apo inspektimi.

Në pamje të parë duken rastësore, zhargon, dy fjali të shkurtra, por një dëgjues i mprehtë nuk vonon të kuptojë sesa shumë informacion është dendësuar në thjeshtësinë e tyre.

Kemi në fakt dy mesazhe të fuqishme:

1. “As në 97’ nuk ka pas njerz ma pak…”

Krahasim më i kobshëm s’kish ku të gjindej, një tablo e turbullt, e trazuar, e shfarosjes të përftohet me sytë e mendjes, kur dëgjon frazën “As në 97′ nuk ka pas njerz ma pak”, një ikje, zbrazje që zhgënjen ta vret atë shpresën e brishtë që e strukim brenda vetes që mbase disi do nxjerrim ndonjë Lek nga këta dreq turistësh. Por jo!

Çfarë ishte kjo murtajë që e boshatisi Shëngjinin?

Do të donim shumë ta dinim përgjigjen e cila kushedi sa miliona minus do t’i duhet të justifikojë nëpër bilancet e bizneseve dhe të arkës së shtetit.

Ky nuk është aspak një lajm i mirë, dhe ajo që na e shtrëngon edhe më fort nyjen në fyt është se nuk mund të bëjmë dot atë që jemi mësuar të bëjmë gjithmonë: të fajësojmë dikë sa herë që gjërat shkojnë KEQ! 

Ndihemi të zënë ngusht! Kë të fajësojmë?

Të gjithë po thonë se moti i keq (i paqëndrueshëm) është faktori nr.1 që i ka bërë pushuesit ngurrues t’i drejtohen Shëngjinit. Po a mundet t’i kërkojmë llogari motit pse u tregua kaq i keq me shpresat tona të brishta për të vjelur diçka këto tre muaj verë, muaj këto, të cilët për shumë familje do të duhet që deri në njëfarë mase të justifikojnë financiarisht 9 muajt e tjerë të vitit.

Dhe kjo na çon te fjalia e dytë: “Duket si me çan Tetor”

Është në dialekt, dhe e shkruar fiks ashtu siç shqiptohet ka më shumë forcë, duket si fjali prerëse, që thuhet shpejt, me tehun e mprehtë që dëpërton shpejt deri në palcë të problemit.

Pra Shëngjini fle 9 muaj dhe zgjohet 3 muaj që nëse për ilustrim harkun e një viti do ta njehsonim të barabartë me harkun e një dite-nate i bie 18 orë gjumë dhe 6 orë zgjuar, tamam, fiks me ciklin e Ketrit, dhe për t’i shkuar deri në fund, Ketri është kafsha që fle më tepër e njohur deri më sot.

Muaji Tetor korrespondon sigurisht me harkun orar të gjumit, kur Shëngjini është në kllapi totale.

Po pse duhet që Shëngjin të shfrytëzohet vetëm për turizëm veror? Kush e tha? Kush e caktoi që në Shëngjin ia vlen të shkohet vetëm në verë? Kush i përhap këto ide?

Si nuk u gjetka një arsye, dy, tre, njëmijë që të krijojmë shkas të na vijnë dhe në dimër? Kaq të varfër jemi në ide, vërtetë nuk na bluan rradakja?

Nejse…

Kaq për kësaj here, nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojnë se nën retë e zeza të motit të keq të mos fshihen arsye të tjera po aq zezona, e që dashtë Zoti moti i keq të na qëllojë në kohë gjumi herë të tjera.