“Krenaria Shqiptare”/ Gështenjat e Tropojës drejt Italisë

Është koha e tyre, asgjë nuk shijon më shumë se gështenjat në këtë periudhë dhe janë të pasura me minerale e vitamina.

Gështenjat janë një burim i shkëlqyeshëm i mineraleve, vitaminave dhe fibrave dhe përveç kësaj, kanë më pak kalori dhe yndyrna sesa frutat e tjera arrore.

Gështenja është një frut tipik i stinës së vjeshtës, shumë e dashur nga të mëdhenj e të vegjël, për shijen që ajo ka. Sa e sa herë në mbrëmjet e ftohta, familjet mblidhen rreth një tavoline për të ngrënë gështenja të pjekura.

Përfitimet

Gështenjat janë të pasura me niseshte dhe fibra, ato gjithashtu kanë edhe një përqindje të lartë mineralesh, sidomos kalium, fosfor, magnez, kalcium dhe në një masë më të vogël, edhe hekur.

Kanë një përmbajtje të lartë kalorike e që karakterizohen po ashtu edhe nga një përqindje e lartë sheqeri, nga proteina me cilësi të mirë dhe nga prania e vitaminave C, B1, B2, P dhe nga një yndyrë e ulët.

Efektet

– Gështenjat janë shumë të mira për ata që vuajnë nga lodhja sezonale, e shkaktuar nga gripi dhe ftohjet e rënda. Janë të dobishme për të kapërcyer lodhjen mendore, mungesën e përqendrimit dhe stresin e fortë.

– Gështenjat përdoren edhe gjatë shtatzënisë, falë përmbajtjes së tyre me acid folik, edhe në rastin e ndonjë anemie.

– Gështenjat përdoren edhe për mjekim të reumatizmës, përdoren si diuretike, për uljen e enjtjeve dhe infektimeve të ndryshme. Ato përdoren edhe në përbërjen e shumë preparateve kozmetike për lëkurën e flokëve dhe fytyrës, për shkak të efekteve të tyre qetësuese në organizëm.

Tropoja ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë, ama, pjesa më e madhe e prodhimit shkon në Itali. Një pjesë e madhe e të vjelave eksportohet e papërpunuar.

Shqipëria eksporton mesatarisht çdo vit mbi 6 mijë ton gështenja me një vlerë deri në 8 milionë euro. Gështenjat e Tropojës janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Një pjesë e të ardhurave nga eksporti rikthehet në këtë zonë të Tropojës, ku ka familje që e kanë si të vetmen mënyrë jetese.

Për dy javë çdo familje, gati në të gjithë Tropojën, punon vetëm me gështenjat. Ato duhen mbledhur para se në këtë zonë të thellë malore të bjerë dëbora e parë e dimrit që po afron.