Sonte festa më e madhe e kalendarit për të krishterët e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë

Dioqezat kanë publikuar oraret e Meshave, besimtarët shkëmbejnë pa pushim urimet e tyre, fëmijët e duan aq shumë shpirtin festive të këtyre ditëve përmbyllëse të këtij viti të çuditshëm.

Për besimtarët e krishterë ditët e fundit të vitit vijnë me kremtime të shumta, e ndër to edhe festa më e madhe e kalendarit katolik: Krishtlindja.

Në Vigjilje të Krishtlindjes, ose Kërshëndellave, ndryshe e quajtur edhe Nata e Buzmit, autoritetet lokale të Lezhës kanë përcjellur urimet e tyre më të ngrohta, e bashkë me to kanë shpërndarë edhe pako me ushqime që këto netë të mos mungojë ushqimi as në tryezat e atyre më të pamundurve.

“Krishtelindje te mbara, me shendet dhe cfare ju don zemra per te gjithe besimtaret e krishtere kudo qe jane!”, uron kryebashkiaku Ndreu.

Të dashur miq! Le të ngjallë gëzim, Krishtlindja në familjet tuaja. Përshumvjet!”, ka përcjellë urimin e tij kryetari i Këshillit të Bashkisë Rakaj

“Ju urojmë të gjithëve ju të nderuar bashkeqytetare të qarkut Lezhë, Krishtlindje të lumtura e të gëzuara🙏 Shëndet, mbarësi e çdo të mire në familjet tuaja 🙏 Urime! Gëzuar! Përzemersisht”, ka uruar kryetari i Këshillit të Qarkut Ndreca.

“Miqtë e mi! Krishtlindje të bardha për të gjithë ju e familjet tuaja! Paqja, dashuria, perulësia e falja qofshin pjesë e qënies tonë, shendet e bekime për ju, gëzuar!”, uron Prefekti i Qarkut Lezhë Jaku.

Bashkë me urimin tonë për një Krishtlindje të gëzuar, sjellim këtu për lexuesin e papërtuar disa rreshta vërtetë interesant për Traditën Shqiptare të Kërshëndellave, e cila nuk ka një tjetër të dytë në botë.

Natën e Kërshëndellave, ose siç thonë “Natën e Buzmit“, më 24 dhjetor herët në mëngjes, nëpër terr, tre-katër djem të rinj dalin në mal tinës, pa i parë kurrkush dhe presin dy copa dru qarri ose arrë me gjatësi 1 ose 1,5 metër. Kur i sjellin në shtëpi, i gdhendin me sqepar (teslic) ose me thikë dhe në të dy skajet e Buzmit e thellojnë nga një kryq. Diku e thellojnë vetëm një kryq në një skaj.

Drurët e Buzmit mandej i fshehin deri kur të vijë koha me i qit Buzmin. Drunat i lënë diku mbas dere në anë të djathtë. Pak para darke, kur nis me u err, dalin prap dy-tre djem dhe i kapin drunat e Buzmit si me qenë tu i bajt nji leste, vijnë te dera e shtëpisë së zjarrmit. I zoti i shtëpisë i pret te votra.

I pari djalë, i cili u prin të tjerëve, nis e ban za:

– O zoti i shtëpisë!

– Hajde, mirë se u ka pru zoti! Me kë po na vini?, -u përgjigjet i zoti i shtëpisë.

Mandej, dy djem tue hy ngadalë brenda thonë:

– Jemi t’u ardhë me gja, mall, ushqim, bereqet dhe me te tana të mirat e Zotit. Diku-diku besa thonë edhe: “Po vijmë me të lumen Zojë, me të lumin Sh’Jozef dhe me të lumin Jezu Krisht”.

– Atëherë, zoti i shtëpisë i merr prej tyre drunat e Buzmit, më së pari bën kryq dhe mandej në skajet e drunave të Buzmit, ku janë gdhend kryqet, qet nga pak laknuer, të lyen, fasul, djathë, raki, venë etj., d.m.th nga të gjitha bereqetet, tur mendue se çka i japim tash na Buzmit, Buzmi ka me na dhanë neve. Tu i qit nga te tana bereqetet mbi kryq të Buzmit, thuhet kështu:

“Unë po të jap tëlyn, ti me m’dhanë tambël;

Unë po të jap laknuer, ti me m’dhan grun, kallamoq;

Unë po t’jap raki, ti me m’dhanë kumblla;

Unë po t’jap venë, ti me m’dhan rrush etj”.

Atëherë e marrim edhe bukën bitevi dhe bëjmë kryq tri herë mbi Buzm.

Masandej, Buzmin e qesim në votër kur është zjarri më i madhi. Derisa është Buzmi në votër, nuk guxin kush me i frye zjarrit. Mbas darke, mbase të digjen mirë midiset e Buzmit, i marrim disa gaca prej drunit të Buzmit nji e nga nji tue shënue me rend dhe tue i vu në çerep:

Nji gacë po e qes për grun,

Nji gacë po e qes për kallamoq,

Nji gacë po e qes për sanë (ushqim)

Nji gacë po e qes për pemë.

Çerepit ia vëmë saçin dhe e lëmë mbi çerep deri në nadje. Në mëngjes herët e heqim saçin prej çerepi dhe kqyrim ngacat, mbi të cilat ka shpuzë më shumë.

Thuhet se cila gacë ka qitë më shumë shpuzë, ajo do të ketë më shumë bereqet.

Njëkohësisht është zakon i moçëm që natën e Kërshëndellave duhet me ju qit me hangër sa më mirë gjëve të gjalla, sepse është gjynah i madh me i lanë unshëm në këtë natë. Kuajve, lopëve dhe tana kafshëve ia qesim Dujën e Tallës bitevi tue mos ia zgjidh aspak thuprën, ia hekim thuprën dujës së tallës pa i thye aspak, dhe qashtu ia qesim gjave në grashtë. Thuprat e drunjve të paprishuna i marrim dhe i qesim në zjall, pa i thye, menjëherë sa të “hyjnë buzmat në votër”.

Sofrën e lanë të shtrueme gjithë natën.

Nji laknuer pa e prek dhe nji bukë të pathyeme e lamë për nesër në nadje kur duhet me e ba lamën. Gjithashtu, gotat e rakisë dhe të venës i lamë plot gjithë natën si bollëk për jetën.