Historiani Paulin Z. Zefi ndan lajmin e shumëpritur për Shtëpinë Muze të Fishtës në Lezhë

Ka qënë vetë Përgjegjësi i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës Z. Paulin Z. Zefi i cilë ka ndarë me ndjekësit e tij të shumtë në faqen e tij publike lajmin e shumëpritur të nisjes së procedurës së tenderimit e brenda pak ditësh të restaurimit të Shtëpisë Muze të At Gjergj Fishtës.

“Falenderoj Ministren e Kulturës Znj. Elva Margariti që e mbajti fjalën”, shprehet historiani Zefi, i cili, ky i fundit, ka qënë gjithashtu një këmbëngulës vullnetfortë përgjatë disa viteve i kësaj çështjeje.

Tashmë Lezhës i shtohet edhe një tjetër destinacion i denjë i dëshmisë dhe i pasurisë kulturore, e mbi të gjitha i lartësimit të figurës së Fishtës.

Midis komentuesve, në publikimin e historianit Zefi, ka shprehur përgëzimet e tij edhe Prefekti i Lezhës Z. Gjokë Jaku.

Lexojeni të plotë publikimin e Paulin Z. Zefit:

Të dashtun miq, stërnipa e stërmbesa të At Gjergj Fishtës dhe adhurues të tij.

Dua të ndaj me ju një lajm të shumëpritur për mua dhe për të gjithë ju:

● Projekti i restaurimit të Shtëpisë Monument Kulture të Kateg. II, ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht është tenderuar dhe punimet do të nisin brenda pak ditësh.

● Ditën e djeshme e kam falenderuar personalisht dhe sot dua ta falenderoj publikisht Mininistren e Kulturës, Znj. Elva Margariti, e cila, në ndryshim nga paraardhësja e vet në këtë detyrë, e ka mbajtur fjalën e dhënë, duke nderuar pikë së pari Figurën emblematike të të Madhit FISHTA, veten e saj dhe institucionin që ajo drejton. Po ashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen time asaj dhe disa prej drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Kulturës, të cilët u kanë sugjeruar drejtuesve të kompanisë fituese, që për çdo detaj në lidhje me zbatimin e këtij projekti të konsultohen me mua personalisht. Respekt për të gjithë ju!

● Së dyti: dua të falenderoj Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Z. Pjerin Ndreu, për ndërhyrjen e tij në përshpejtimin e këtij procesi.

● Së treti: falenderoj nga zemra të gjithë miqtë e mi të panumërt (kryesisht nga Kosova), të cilët, gjatë 7 viteve të fundit, janë vetëofruar vazhdimisht për të financuar restaurimin e këtij objekti dhe si rezultat i pengesave të krijuara nga ish drejtuesit e lartë të Ministrisë së Kulturës, një pjesë e tyre janë tërhequr!…

● Në fund: ju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjitha TV lokale e Kombëtare të Rep. Shqipërisë, TV të Kosovës dhe Malit të Zi, gazetave dhe portaleve të shumta, por sidomos gazetarëve shumë të nderuar të Lezhës dhe miqve të mi, të cilët kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të më ndihmuar sa herë kam bërë apel, duke kritikuar institucionet përgjegjëse dhe kërkuar ndihmë.

● “Unë, personalisht, kam kryer vetëm detyrën që më takon, sepse At Gjergj Fishta është Idhulli im. Ja ka vlejtur çdo përpjekje dhe fatmirësisht, Zoti nuk ma shkoi mundin dëm!”
Në ditët në vijim do të publikoj variantin final të projektit, që do të zbatohet dhe detaje të tjera.

Na shkoftë mbarë e mirë.