Zbulohet emri, ja kush do të jetë kryetar i Këshillit Bashkiak të Lezhës

Strukturat e Partisë Socialiste të Lezhës janë në gjendje vlimi, dhe kjo jo për shkak të të nxehtit të këtij korriku, por për shkak të asaj që vjen pas korrjes elektorale të 30 Qershorit, që është gjetja dhe përgatitja e figurave që do të jenë në krye të strukturave të reja të qeverisjes vendore.

Ai që do të marrë postin e Kryetarit të Këshillit Bashkiak, detyrë të cilën aktualisht e mban z. Kristian Gjidodaj, është një eksponent i rëndësishëm dhe që gëzon respekt të bazës socialiste të Lezhës.

Atë e kemi parë shumë shpesh nëpër evente bamirësie, i ri në moshë, i gjatë në trup, dhe serioz në të folur e në të menduar.

Nga burime të besueshme na konfirmohet se Z. Ernest Rakaj ka marrë mbështetjen e pakushtëzuar dhe miratimin e kryebashkiakut Ndreu për të qënë në krye të Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Ernest Rakaj ka lindur 18 Shtator 1985 në Lezhë, banues në Shënkoll, ku edhe ka kryer arsimin e mesëm, ka studiuar në “Fakultetin e Drejtësisë” në Universitetin e Shkodrës. Për 12 vite ka punuar në Radiotelevizioni Lezha, ku 4 vitet e fundit ka qënë edhe drejtues i tij.

Ka qënë pjesë e Drejtorisë së Aluiznit dhe aktualisht mban detyrën e juristit në ASHK – Agjensia Shtetërore e Kadastrës.

Emërimi i kandidaturës së Z. Rakaj për të marrë kryesimin e Këshillit nënkupton se Partia Socialiste e Lezhës nuk e ka vënë këtë post në “listën e dëshirave” të asnjë prej partive me të cilat do të bëjë koalicion për Këshillin.

Në vlerësimin tonë, ngarkimi i Z. Ernest Rakaj në detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak është një hap i parë serioz, por duke patur gjithmonë në mendje se kjo vjen në një moment pritshmërish të mëdha, për shkak të profilit të dobët të Këshillit aktual, por edhe për shkak të ndryshimeve të shumta të premtuara nga ekipi i ri që do të organizojë punët e Bashkisë Lezhë.

Nuk na mbetet tjetër që bashkë me urimin për punë të mbarë e suksese në detyrën e lartë të shërbimit ndaj qytetit, të shfrytëzojmë rastin të paralajmërojmë Z. Rakaj se jemi me laps në dorë dhe po mbajmë shënime, dhe nuk do të donim në asnjë rast që edhe kjo legjislaturë e këtij Këshilli të kthehej në një vend i cili nuk dallon nga një zyrë noterie,
ku në mbledhjet e këshillit bashkiak më e shumta që bënin anëtarët ishte të flisnin në Whattsapp për punët e tyre, që shkonin në mbledhje më shumë për të rrëfyer kujtime sesa për të diskutuar projekte, e që në shumicën e rasteve këshilli i bashkisë është mbledhur vetëm për të miratuar ndihmën ekonomike.

Ne presim që më e pakta mbledhjet e një këshilli bashkiak të jenë një spektakël i vërtetë i artikulimit dhe i mendimit intelektual, pavarësisht nëse ato do të bëhen realitet apo jo!