“Veç mos na e merrni m’sysh!”/ Banorët e Myltes 40 minuta më afër Lezhës!

Shumë vetë mund edhe të mos kenë as më të voglën ide se nga bie Lagjia Mylte, e cila në fakt nuk ka asnjë lidhje me Maltën (shtetin), por është një lagje që për nga distanca nuk i kalon 8 km nga Lezha kurse për nga koha për të mbërritur aty mëparë ia mbërrin Tiranës.

Ky pra është efekti i infrastukturës në urbanizim, në civilizim e zhvillim, sepse vetëm për shkak të një rruge të pakalueshme, një lagje kaq afër njësisë Shënkoll të bëhet më e largët se Tirana.

Banorët e Myltes, ka shumë të ngjarë të shfaqin simptoma të hernies diskale, apo – qoftë larg – të ndonjë shtrembërimi vërtebrash, për shkak të kolovitjes së përditshme në atë rrugë humbella-humbella.

Ne ishim dje aty, dhe kjo rrugë, edhe pse në fazën e nivelimit ka filluar t’ju duket mjaltë banorëve të Myltes, atyre u duket sikur janë çliruar nga një peshë e stërmadhe që kishin vite që u rëndonte, është në fazë punimesh pra, dhe prap se prapë banorët e zonës e ndiejnë ndryshimin e madh, madje një kalimtar i rastit na tha “bani video sa t’doni, veç mos na e merrni m’sysh!”, dhe më këtë, mendojmë se i ka thënë të gjitha!

Kështu pra, rruga më pak se 3 km e gjatë që ta largonte Lezhën me 45 minuta të tjera, mesa duket Bashkia Lezhë ka vendosur vërtetë t’i japë fund kësaj epopeje myltiane.

“Janë afro 370 milionë lekë të nxjerra në masën 100% nga fondi i Bashkisë Lezhë do të bëjnë të mundur shtrimin e kësaj rruge”, shprehet administratori i njësisë Shënkoll Z. Albert Rrusti

Administratori i Njësisë Shënkoll Z. Albert Rrusti

Me shtrimin e kësaj rruge çlirohet një zonë e tërë, që për hir të së vërtetës nuk është e paktë në numër, e që ata mund të kenë edhe shumë kërkesa të tjera ndaj kryebashkiakut Frrokaj, por premtimin e tij për rrugën e Myltes, kryefjalën e këtyre banorëve në çdo takim, siç shihet, e mbajti!