“Të na falni zotërinj… që ua kërkuam rrugën e Torovicës, jemi penduar, nuk e duam më!”

Na vjen në kujtesë intervista e gazetari Altin Memaj me një tour-ist i cili ia kishe behur në biçikletën e tij anë-e-qark Evropës por kur kishte mbërritur në Torovicë, s’ia kish dalë dot i shkreti…

…i detyruar nga rruga e tmerrshme dhe shkundjet e fuqishme, dhe nga frika e spostistimit të vërtebrave, turisti zviceran pra, e kishte marrë biçikletën për dore dhe ashtu në këmbë vendosi ta kalonte Tour de Torovica.

Hajt se atij i qëlloi një ditë e pafat të gjendej në atë rrugë, po ata që duhet ta bëjnë çdo ditë një Tour de Torovica, dikush për në punë, dikush për në shkollë, dikush për te ara, etj.

Kështu nga distanca e kemi të lehtë të flasim, saqë edhe një mijë shkrime në ditë po të bëhen, protesta, thirrje, lutje, qarje, përgjërime e tragjedi të ndodhin, prap se prap, banorët aty i kanë humbur të gjitha shpresat se do të bëhet ndonjëherë ajo rrugë.

Çfarëdo që të ndodhë, kushdo që të vijë, ajo rrugë s’ka për t’u bërë!, kjo është bestytnia e tyre.

“Kemi ngelur vetëm 3 veta në këtë pallat”, thotë një banore e zonës, “jo 3 familje, por 3 vetë në të gjithë pallatin!”

A nuk është ky fundi?!

A nuk është kjo një zbrazje e detyruar e Torovicës, për shkak të skamjes, vështirësimit të ekonomisë e jetesës për mungesë të infrastrukturës.

Nuk mund të ketë emër tjetër, perveçse se ZBRAZJE!

Torovica i ngjan një gjymtyre të vdekur, të kalbur në trupin e Lezhës, ashtu siç mungesa e indeve dhe e venave e mpak, e plogështon dhe e kalbëzon një pjesë trupore, ashtu edhe mungesa e infrastrukturës e mpak, e zbras, e dërrmon, e shkallmon, e gjymton dhe e detyron një popullsi të shpërngulet sepse s’ka mbetur zgjidhje tjetër për ta mbajtur frymën gjallë veç ikjes.

Pas pak vitesh brezi që vjen do thonë “Na ishte njëherë Torovica…”

Në këto kushte këshilla jonë është që ato pak fonde të disponueshme për investime strategjike, t’i ruani për diçka tjetër se Torovica u boshatis, nuk na duhet një rrugë që të çon tek ‘askushi’.

Na falni që e kërkuam, jemi penduar!