Sokrat i vuajtur – apo derr i kënaqur? nga Mark Alemi

Këto ditë post-votime, më zuri syri nëpër qytet plot derra të kënaqur.. Të kenaqur që pasi kishin bërë një luftë me Mullinjtë e Erës, kishin korrur një fitore mbresëlënëse. Më në fund triumfuan dhe së shpejti një kolltuk, do ju ngrohë të ndenjurat.

Ska rëndësi Demokracia, Liria, Përfaqësimi, E drejta…rëndësi ka që për disa më në fund një kockë do ju vijë në gojë. Mos të merremi me përfaqësuesit tonë në parlamentin e qytetit…që në CV-të e tyre, ka vetem injorancë, për mos të përmendur vjedhje, trafiqe e punë të tjera të “pastra”. Ja pra, ky është qyteti jonë…

Më ra ndërmend (ashtu si pothuajse cdo ditë në këto kohë) shkrimtari unik Migjeni.
Mu kujtua thënia e famshme që përcakton raportin midis filozofit të madh të antikitetit Sokratit dhe Derrit, shtazë karakteristike, që përdoret shpesh si metaforë e banalitetit, grykësisë dhe utilitarizmit mediokër.

Ishte data 27 maj 1933, kur ai shkroi mbi këtë racë njerëzish, që për fatkeqësinë tonë pas pothuajse 90 vitesh, janë shtuar në mënyrë progresive.

Kjo ese e cila në ditët tona ka një aktualitet në çdo ind të shoqërisë shqiptare, duket sikur ndan epokën e një vetëdije përgjithësisht kulturore dhe etnike për shqiptarët, me epokën e kriticizmit për tjetërsimin njerëzor. Për Migjenin njeriu bashkëkohor është një alternativë me dy fytyra.

A është njeriu bashkëkohor i denjë për të patur shëmbylltyrën e Sokratit?

Në fytyrën e njeriut mund të lexosh disa zhgarravina të palexueshme. Rrudhat si një rend alfabetik të mistershëm. Ndërsa derri është një kafshë e kombinuar sipas rregullave të një estetike strikte, që ka në fund një bisht të përcëlluar nga flaka e bukurisë hyjnore.
Pra njeriu i ka dy shëmbylltyrat.

Kë të zgjedhë? Sokratin? Apo Derrin?

Dilema që kishte Migjeni u “zgjidh”…

Njeriu duke qenë praktik ,diti të zgjedhë, të shkojë tek prototipi i hibridit. Pra mori fytyrën e Derrit dhe ia vuri Sokratit, gjë që është e njëjta gjë që fytyrën e sokratit t’ia vinte Derrit. Kështu në vend të trinitetit, Njeriu, Sokrati dhe Derri, u krijua qenia unike: Sokrat-Derri, ose Derr-Sokrati.

Pra Njeriu de jure u bë Sokrat dhe de facto ishte Derr.

Migjeni thoshte :

~ Krijesat nuk mund ta njohin se asht derr dhe e nderojne si një Sokrat.
Por kaiherë njeriu nuk mund të mshehi cilinat e derrit dhe na paraqitet ashtu siç asht.
Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që naltsohet ndër sfera të kullueta e të shkasi prej hyllit në hyll me hapta përparimi, njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tue ia vu maskën e derrit.

Qashtu njeriu ia luajti lojën… kujt? … Vetes! Vetes! – bërtet morali prej mërgimit~

Shënim***: Mark-Alemi, autori i shkrimit, ka punuar për disa vite rresht si Nëpunës i Pallatit të Ëndrrave, në departamentin e seleksionimit të ëndrrave.