Si më ndihmoi Posta e Lezhës të fitoja bastin që vura me shokun tim…

Me kokën ulur e të mbushur me mendime, shpërfilltazi hiqesha sikur po vështroja pllakat e trotuarit të qytetit…

Më vjen natyrshëm ky veprim sepse më çliron nga ajo ndjesia se mos gjatë ecjes, ashtu i përhumbur në mendime, shkëmbehem me ndonjë të njohur dhe përpara se të arrij ta shquaj me sy pamjen e tjetrit, të vjen te veshi ajo fraza “na fol hee burrë se s’e ke me lekë!”, kështu për t’u ruajtur nga ky fajësim i pafajshëm, e mbaj kokën ulur kinse diçka në lidhje me simetrinë e pllakave të trotuarit po më tërheq vëmendjen…

Diku afër kryqëzimit kryesor të Lezhës (e quajmë kryesor sepse s’ka tjetër) mu aty pra, tre hapa larg bankës me të kuqe të trishtë… e ngrita kokën dhe e zgjata vështrimin në drejtim të vijave të bardha për të këputur rrugën…

…por nga pas më erdhi, tamam si një e papritur pas krahëve, tingulli i emrit tim, pa e bërë akoma kthimin e plotë të trupit për të kuptuar kush më thërriste, një dorë më zgjatet mbi supe dhe me prek me goditje të lehta duke më thënë, “na fol he burrë se s’e ke me lekë!”.

Ishte shoku im i gjimnazit, “nga je nisur kshu”, më tha, “po shkoj te posta të paguaj një gjobë dhe disa fatura të tjera mujore me këtë rrugë”, iu përgjigja.

“Ah mirë, unë po futem këtu tek banka që të mbaroj më shpejt se jam pa kohë”, më tha teksa i mblidhte grusht duart në xhepat e xhinseve dhe me gjunjët paksa të përthyer përpara e të afruar me njëri tjetrin sikur donin ta bllokonin të ftohtin aty.

“Epo nëse s’ke kohë, atëherë hajde te posta se mbaron punë më shpejt!”, i thashë.

“Nuk besoj, ka më shumë se një vit që nuk ia shkel derën, është kaos aty dhe s’ke ku ulesh!”, u përgjigj ndërsa prekte xhepin e pasmë për t’u siguruar që e kish marrë portofolin me vete.

“Ka ndodhur shumë transformim në një vit e gjysmë aty”, ia prita shpejt.

“Jo jo, vazhdo se s’kam terezinë me humb kohë!”, dhe zbriti njërën këmbë tek shkalla e vogël buzë trotuarit.

“Mirë pra”, i thashë, “ti futu në bankë, unë po futem te posta, ai që mbaron punë i pari fiton bastin dhe humbësi qeras te Amadeus”

Hyra në postë, nga 5 sportele gjithsej që të gjitha ishin operacionale, kryheshin veprime, kjo më lehtësoi, s’do vonohem në radhë thashë me vete, dhe ashtu ndodhi…

Pagova gjobën për tejkalim shpejtësie, faturën e dritave aforfe, dhe taksat e tatimeve të biznesit të vogël…, për 5 minuta e pashë veten jashtë duke futur mandat pagesat nëpër xhepa.

Në kthim, në po të njëjtën pikëtakimi hodha sytë nga banka me të kuqe të trishtë dhe përmes xhamave pashë që numri i radhës ishte 81 dhe shoku im po priste ulur aty.

Futem brenda dhe i them, “mbarova punë”,  “uouu sa shpejt”, ma priti, dhe me një lëvizje të shpejtë të dorës me tregoi numrin e tij të radhës…

…ishte 86-ta në radhë, dhe dukej se kishte filluar t’i humbte shpresat, pasi nga 3 sportele gjithsej të bankës, vetëm 1 ishte operacional, që kryente veprime.

“Po hajde në postë mo burrë, bastin e humbe gjithsesi”, i futa dorën pas krahu dhe e tërhoqa lehtë.

“Jo, jo, s’bahet llaf”, ma priti.

“Mirë pra, dalim pijmë diçka derisa të afrohet numri yt i radhës”.

U futëm tek Amadeus morëm kafe dhe briosh, që në fakt na e ëmbëlsoi shumë bisedën tonë, dhe folëm një copë herë të mirë.

Në një moment të caktuar mikun tim filloi ta kapte paniku se mos i kishte kaluar radha në bankë, ndaj që të mos bëhesha bashkëfajtor nuk kundërshtova dhe u çuam.

Në bankë ishte 84-a në radhë, edhe 2 numra dhe miku im do të kishte fatin e madh të paguante faturat e tij mujore.

Por për çudinë time më të madhe, teksa ai po u hidhte një sy faturave përpara se t’ja jepte sportelistes vura re që kishte të njëjtat pagesa siç i kisha dhe unë.

“Edhe juve aforfe jua sjellin”, e pyeta.

“Po hee jua q****a robt e tyne!”, shfyu me nerv.

“Po gjobën ku e more?”

“Aty afër Laçit, më nxorri tabelën, biles më tha polici më jep 10 mijë se ta paguaj unë te posta, por nuk pranova!”

Duke mos e kuptuar mirë i kërkova sqarim:

“Pra ti more gjobë 8 mijë lekë dhe polici të tha se nëse i jepje 10 mijë ai shkonte vetë në postë dhe e shlyente detyrimin tënd?”

“Po.”, ia bëri duke tundur kokën.

U afrua te sporteli, dorëzoi faturat dhe pagoi, nuk doja ta besoja por vetëm në pak metra distancë ky djalë kishte paguar 3 mijë lekë më shumë për fiks të njëjtat fatura që unë pagova në postë.

Në më pak se 20 metra distancë, duke shkuar në postë, kurseva 3 mijë lekë.

Ai nuk e besoi këtë kur ia thashë, dhe më tha t’i nxirrja mandatet e mia që kisha marrë në postë, ai i shqyrtoi një e nga një dhe më tha se shuma del e barabartë.

“Shuma del e barabartë sepse je duke llogaritur edhe faturën e bar-it për dy kafe dhe dy briosh”, i thashë.

Ndërkohë që nisi të qeshte, që të mos qante, zgjati dorën që të godiste ballin…

I sugjerova:

“Mend për herës tjetër… unë pagova në postë dhe me kusurin qerasa mikun tim dhe fitova bastin, ndërsa ti pagove në bankë, humbe bastin, dhe qerase dikë s’e njeh pa ta ditur kush për nder!”

Ah po… se desh harrova, fut në hesap edhe kohën e humbur, sepse ndenjëm 30 minuta te Amadeus në pritje nga 81-shi deri tek 86-ta. Pra janë 3 mijë lek e 30 minuta të kursyera për 3 fatura të përmuajshme.

Sa herë që nuk shkon në postë, ti po e humb këtë bast, vazhdimisht… çdo muaj!