Sfidat e adoptimit të Standarteve Kombëtare të Kontabilitetit përballë trysnisë fiskale, nga Fatjon Bushi

Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar

Nga Fatjon BUSHI, Kontabilist i Miratuar

 

VËSHTIRËSITË E RAPORTIMIT FINANCIAR PËRBALLË TRYSNISË FISKALE

Gjatë viteve të fundit vendi jonë ka bërë hapa domëthënës në drejtim të përmirësimit të raportimit financiar të enteve ekonomike.

Në këtë proces kanë marrë pjesë një numër i madh aktorësh të brendshëm dhe të jashtëm.

Gjithsesi mardhënia ndërmjet raportimit financiar dhe raportimit tatimor, ka qënë dhe mbetet një problem jo i vogël i cili kërkon përmirësim të mëtejshem në filozofinë e tyre, dhe në trajtimin e problematikave që i ndajnë këto dy raportime.

Pyetja që shtrohet është : A ndikon raportimi Tatimor mbi raportimin Financiar?

Mardhënia raportim kontabël – raportim tatimor është një marrëdhënie e diskutuar dhe interpretuar nga këndvështrime apo interesa të caktuara.

Në përgjithësi, kjo mardhënie ka divergjenca dhe asimetri informacioni, i cili më pas arrin në konkluzione të ndryshme në lidhje me rezultatet e pasqyrave financiare që biznesi i ofron sistemit tatimor.

Me miratimin e ligjit të ri për Kontabilitetin, si dhe të Standarteve Kombëtare të Kontabilitetit, vendi jonë në fillim të vitit 2008, bëri një hap të rëndësishem në drejtim të shkëputjes së kontabilitetit të ndërmarrjeve nga sistemi tatimor.

Deri në atë kohë qëllimi kryesor i mbajtjes së kontabilitetit të ndërmarrjeve ishte sigurimi i informacionit kryesisht për qëllime tatimore, dhe raportimin e detyrimeve përkatëse.

Me miratimin e Standarteve të reja të Kontabilitetit, fokusi kryesor i kontabilitetit ishte pasqyrimi në mënyre më reale dhe besnike të pozicionit financiar të ndërmarrjeve në raport me kreditorët e saj.

Ndryshimet në legjislacionin kontabël janë bërë në përshtatje me legjislacionin e Bashkimit Evropian si një mënyrë e krahasimit të standarteve dhe cilësisë së raportimit financiar në këtë union ku vendi jonë kërkon të bëhët pjesë.

Informacioni i dhënë nga kontabiliteti i ndërmarrjeve ka tentuar të shkëputet nga mentaliteti i vjetër i detyrimit ndaj sistemit tatimor, duke përmirësuar teknikat dhe instrumentet e raportimit financiar, në funksion të investitorëve dhe grupeve të tjera të interesit midis të cilëve mund të përmendim aksioneret, huadhënësit dhe kreditorët.

Bashkëjetesa mes raportimit financiar dhe raportimit tatimor nuk ka qënë dhe nuk është e lehtë.

Kjo është vertetuar nga studime të shumta empirike, të shtrira në kohë dhe në hapësirë dhe janë kryer nga studiues të shumtë të fushës së  kontabilitetit dhe grupet e interesit që përfaqësojnë dhomat më të mëdha të biznesit në vend, si dhe nga eksperienca e vazhdueshme në këtë disiplinë.

Kjo për shkak se qëllimi kryesor i egzistencës së secilit sistem, është krejt i ndryshem nga njëri-tjetri.

Kontabiliteti është krijuar si një sistem që përfshin përgatitjen e informacionit për qëllime të kontrollit dhe vendimmarrjes, i cili kërkon ekspertizë të përsonave që përpilojnë këto raporte, në zbatim të Standarteve Kombëtare apo Ndërkombëtare të Kontabilitetit, ndërsa sistemi tatimor ka si qëllim kryesor të saj zbatimin e legjislacionit fiskal, me objektiv kryesor të saj rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si një instrument i rëndësishem i egzistencës së tij.

Në përgjithësi ka diferenca të mëdha në cilësinë e hartuesve dhe konsumatorëve të pasqyrave financiare, dhe kjo gjë është e kuptueshmë pse ndodh në një vend në tranzicion të gjatë siç është vendi ynë.

Asimetria në informacion dhe në mënyrën e trajtimit të problemeve kontabile në mënyra shpesh të kundërta nga njëra tjetra, raportimi tatimor dhe raportimi financiar, çojnë në probleme të mëdha të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e aktivitetit të subjekteve ekonomike.

Teorikisht disa variabla kryesore ekonomike si të ardhurat, shpenzimet dhe fitimet duhet të përllogariten në mënyrë të njëjtë si për qëllim të Raportimit Financiar dhe Raportimit Tatimor, por në shumë raste nuk ndodh kështu.

Arsyeja themelore është pikërisht arsyeja e ekzistencës së kontabilitetit dhe tatimeve. Rregullat e Raportimit Financiar dhe praktikat kontabël mund të mos jenë gjithmonë të përshtatshme për përcaktimin e detyrimit tatimor përfundimtar.

Divergjenca të tilla kanë të bëjnë me:

  1. ndryshimet në qëllimet e kontabilitetit dhe tatimeve,
  2. vështirësive në përcaktimin e koncepteve ekonomike,
  3. efikasitetin administrativ,
  4. rregullat kontabël,
  5. mjedisi kontabël

Sipas Green S. (1995): “Kontabiliteti financiar dhe kontabiliteti tatimor nuk janë të njëjtë. Ata kanë objektiva të ndryshme, janë subjekt i rregullave të ndryshme dhe i shërbejnë qëllimeve të ndryshme”.

Natyrisht, këto divergjenca çojnë në dallimet ndërmjet fitimit kontabël dhe fitimit tatimor, duke filluar nga përkufizimi deri në vendosjen e tyre.

Në pergjithësi, egziston një klimë e vazhdueshme mosbesimi ndërmjet këtyre dy sistemeve të raportimit. Në këtë mjedis kanë ndikuar edhe shumë faktorë të tjerë të jashtëm, të cilët kanë financuar tregun tonë, dhe kanë deformuar realitetin socio-ekonomik.

Ajo që vihet re në të gjitha studimet e kryera në vendin tonë, eshtë që Sistemi Tatimor, duke qënë se i përket në përgjithësi adiministratës shtetërore, ka bërë shumë pak hapa para në përmirësimin e kapaciteteve të saj administruese.

Gjithashtu ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal, ka bërë që njohja dhe zbatimi në mënyre korrekte të tij, të jetë jo në nivelin e duhur.

Mbetet për t’u parë, efekti që do ketë përafrimi i legjislacionit tonë, me direktivat e BE, të cilët përcaktojnë qartë fushat e veprimit, dhe zonat e influencës për secilin aktor në këtë mjedis.

Ajo që është me rëndësi në këto momente, është përshtatja e legjislacionit fiskal me atë kontabël, në mënyrë që biznesi mos të jetë i detyruar të zbatoje procedura extra-kontabël, për raportimet e saj financiare, në funksion të vlerësimeve tatimore.

Kufizimi i disa shpenzimeve të përditshme të biznesit, të cilat legjislacioni fiskal i trajton si të panjohura, sjell një deformim të realitetit financiar që pasqyrohet me anë të Pasqyrave të Pozicionit Financiar të ndërmarrjeve. Këto kufizime kanë të bëjne kryesisht me:

  • Kufizimin në lidhje me njohjen e shpenzimeve të interesit për kreditë.
  • Kufizimi në lidhje me njohjen e shpenzimeve të konsulencës, shërbimeve teknike, etj.
  • Kufizimin në lidhje me njohjen e shpenzimeve të pritje përcjelljes.
  • Kufizimin në lidhje me njohjen e shpenzimeve të interesit për kreditë.
  • Kufizimin në lidhje me njohjen e shpenzimeve të kryera për dieta.
  • Kufizimin në lidhje me njohjen e shpenzimeve të interesit për sponsorizime.
  • etj

Ndërhyrja e Sistemit tatimor, në këto çështje të aktivitetit të përditshem të biznesit, ka sjellë në përgjithësi paraqitje të deformuara të pasqyrave financiare të subjekteve.

Duke limituar disa shpenzime reale që biznesi i kryen në realitetin e tij ekonomik, rezultatet financiare nuk përputhen me rezultatet tatimore, duke mos paraqitur më besnikëri gjendjen ekonomiko-financiare të biznesit.