Sekreti i Sistemit Zgjedhor për Kryetarët e Bashkive, – nga Dr. Vladimir Kola

Nga Vladimir KOLA, Doktor në të “Drejtën Kushtetuese dhe Publike e Përgjithshme”

Kam përshtypjen se shumë gazetarë, analistë, poltikanë e njerëz të fushave të ndryshme, kanë folur në lidhje me zgjedhjet lokale të vitit 2015, për intriga, tradhti politike, etj., për faktin se në tërësi LSI nuk u ndie e kënaqur me numrin e kryetarëve të bashkive që arriti të merrte në ato zgjedhje.

Mirëpo, nuk e di se sa, mbi të gjitha analistët, e kanë marrë në konsideratë edhe sistemin zgjedhor, domethënë ndikimin që ai ka te partitë dhe te fitorja apo te shpërndarja e mandateve.

E them këtë gjë, sepse ka një ndryshim të rëndësishëm mes sistemit zgjedhor për deputetët e këshilltarët bashkiakë nga një anë dhe sistemit zgjedhor për kryetarët e bashkive nga ana tjetër.

Që të jem më i saktë, sistemi zgjedhor për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë është sistem proporcional (përpjesëtimor), kurse për kryetarët e bashkive është sistem mazhoritar i thjeshtë.

Pa u menduar shumë, dikush mund të thotë se në fund të fundit, kush merr vota më shumë, fiton, kështu që nuk më intereson shumë sistemi zgjedhor, por po të mendohemi më thellë, në të vërtetë edhe sistemi zgjedhor ka ndikimin dhe rëndesinë e tij, te partitë dhe te fitorja e mandateve.

Për ta dëshmuar këtë gjë po ju jap një shembull konkret:

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pak a shumë, që nga një shekull e gjysmë, alternohen në pushtet vetëm dy parti, Demokratët dhe Republikanët.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, më ndonjë përjashtim të vogël, kur janë bërë koalicione, nga mesi i viteve 1920 deri në ditët tona, alternohen në pushtet dy parti, Laburistët dhe Konservatorët.

Ndërsa në shtetet e tjera në Evropë, krijimi i koalicioneve qeveritare është gjëja më e natyrshme dhe më e pranishme, në kuptimin së në këto shtete, në përgjithësi është më e vështirë që një parti e vetme të fitojë shumicën në Parlament.

Arsyeja e ndryshimit mes Shteteve të Bashkuara e të Mbretërisë së Bashkuar nga një anë dhe shteteve të tjera evropiane nga ana tjetër, natyrisht që është e lidhur edhe me sistemin zgjedhor, sepse në SHBA dhe MB sistemi zgjedhor është me shumicë të thjeshtë, kurse në vendet e tjera në Evropë është sistem proporcional, ose i përzier (pjesërisht proporcional dhe pjesërisht mazhoritar), ose mazhoritar me balotazh, etj.

Nuk dua të futem në shumë detaje teknike, sepse leximi do të bëhej i lodhshëm, por dua thjesht të vë në dukje, se siç e ka argumentuar në mënyrë të detajuar edhe Maurice Duverger në librin e tij “Partitë politike”, 1951, sistemi mazhoritar i thjeshtë (fitues del kandidati që merr më shumë vota që në raundin e parë, pa pasur nevojë që të arrijë një përqindje të caktuar votash), favorizon sistemin dypartiak, domethënë favorizon dy partitë kryesore, sepse i shtyn votuesit që të votojnë njërën nga dy partitë kryesore dhe si pasojë, i penalizon partitë e treta apo partitë e mesme.

Ndërsa, për shembull, një sistem proporcional u jep mundësi, të marrin mandate, jo vetëm dy partive kryesore, por edhe partive të tjera, në varësi të votave që ato marrin, të numrit total të mandateve në një zonë zgjedhore, të kufirit minimal për të hyrë te shpërndarja e mandateve, etj.

Pikërisht këtu qëndron sekreti i zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë, sepse sistemi zgjedhor për kryetarin e bashkisë në Shqipëri, është si sistemi zgjedhor për Kongresin Amerikan dhe Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, domëthënë fiton kandidati që merr më shumë vota që në raundin e parë.

Kjo do të thotë se sistemi zgjedhor, për kryetarët e bashkive, në përgjithësi, favorizon dy partitë kryesore, me përjashtim të rastit kur, një forcë tretë në nivel kombëtar siç është LSI, në territorin e një bashkie ka mbësthtetje të fortë saqë në atë territor është forcë e dytë politike ose i afrohet shumë forcës së dytë, pa pasur një dallim të madh mes forcës së dytë dhe forcës së tretë.

Ndryshe është rasti i zgjedhjeve për deputetët dhe anëtarët e këshillit bashkiak, sëpse në këtë rast, sistemi zgjedhor është proporcional dhe si pasojë nuk i penalizon partitë e mesme, por i penalizon partitë që nuk arrijnë të marrin të paktën 3% të votave dhe si pasojë nuk kanë të drejtë të hyjnë të shpërndarja e mandateve.

Prandaj, është shumë e mundur se edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore për kryetarët e bashkive, do të reflektohet ndikimi që ka sistemi zgjedhor te partitë, duke qënë se siç e thashë, sistemi zgjedhor për kryetarët e bashkive, ndryshon me sistemin për deputetët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak.