Rruga e “kripur” që do të ketë “shijen mjaltit” për lezhjanët…

“Është e papranueshme që kilometrat, metrat e rrugës Milot – Balldren t’i trajtoni si metra teritali”, u shpreh kryeministri Rama sot në Kuvend në lidhje me projektin Milot – Balldren.

Kryeministri e vuri theksin te fakti se kjo nuk është vetëm një rrugë, por është një projekt kompleks, me ura, me mbikalime, me nyje, me rrethrrotullime, me tunele e prita, dhe bëhet fjalë gjithashtu për një autostradë të cilësisë “A”.

Autostrada e re Milot-Balldren e cila është nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe pritet të ratifikohet edhe në parlament do të ketë një kosto ndërtimi prej 159,5 milionë Euro.

Kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian. Ajo fillon tek kryqëzimi i Rrugës së Kombit në Milot dhe përfundon në afërsi të fshatit Balldre, në dalje të qytetit të Lezhës, në rrugën që të çon në Shkodër.

Kjo autostradë do të ketë një gjatesi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët jo vetëm për hyrje-daljet e automjeteve dhe këmbësorëve por e mbyllur në të gjithë gjatësinë me rrjetë teli për të penguar edhe hyrjen e kafshëve.

Gjerësia e saj do të jetë nga trëkorsi ne të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.

Ky segment prej 17 kilometrash do të ketë shumë vepra arti, si urën mbi lumin Mat me një gjatesi 625 metra, urën mbi lumin Drin me gjatësi prej 225 metra. Veç dy urave të mëdha, kjo autostradë do të ketë edhe një tunel me dy porta me gjatësi nga 850 metër secili krah, në malin e Rencit që do të shërbejë si Bay-Pass i qytetit të Lezhës për ta devijuar futjen e trafikun të veriut nga kalimi përmes këtij qyteti.

Veç këtyre veprave të artit do të ketë edhe 6 mbikalime, në kryqëzimin e Fushë-Milotit, në kryqëzimin e burgut të Shënkollit, në kryqëzimin e rrugës Zejmen – Tale, në kryqëzimin e Rrilës, në kryqëzimin me rrugën e Hotelit të Gjuetisë dhe një nyje e madhe mbikalimi në rrethrrotullimin e Lezhës, pranë ish-fabrikës së letrës.

Gjithashtu në këtë projekt, meqënëse autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara, rrugë këto secila me nga dy korsi me një gjerësi prej 9 metra asfalt.

Gjerësia e korsive të autostradës do të jetë nga 3.75 metër secila duke bërë të mundur ecjen me 120 km/orë dhe përshkimin e kësaj gjatësie Milot-Balldre vetëm për 8.5 minuta nga 28 minuta që bëhet aktualisht.

Ky projekt parashikon edhe gjelbërimin e autostradës si dhe ndriçimin në të gjitha nyjet.

Kosto e ndërtimit të kësaj autostrade, duke zbritur kostot e ndërtimit të veprave të artit, tunelit dhe rrugët dytësore, do të jetë 6 milionë Euro për kilometër dhe do të ndërtohet për 3 vjet.