Rikthimi i 6% në TVSH, dora e fshehtë që i boshatis xhepat e fermerëve!, -nga Fatjon Bushi

Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar

Nga Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar

Ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, bazohet në parimin e sigurimit të një klime të konkurencës së lirë dhe mospengimin e qarkullimit të mallrave apo shërbimeve. Gjithashtu një rëndësi i jepet dhe përputhjes së këtyre rregullave më ato të vendeve anëtarë të BE-së.

Një ndër elementët e ligjit për TVSH-në, është dhe “Regjimi i Kompensimit të prodhuesve Bujqësor”.

Me rregullimet e bëra në këtë ligj gjatë vitit 2014, kjo normë kompensimi e fermerëve u rrit nga 6 % në 20 %, duke realizuar parimin universal të neutralitetit të TVSH-së.

Rritja e kësaj norme, arriti të rizgjoje interesin e biznesit agro-përpunues në blerjen e produktit vendas.

Humbja e interesit vinte për shkak të skemës së kreditimit të TVSH-së në blerje, për produktet bujqësore që mund të ri-shiteshin, apo mund të përdoreshin si materiale të para në industrine e ushqimit.

Kreditimi i TVSH-së në blerje me normën 6% dhe mbajtja e normes në shitje me 20%, krijonte rritje në TVSH-në e pagueshme. Kjo skemë solli një rritje të evazionit fiskal, për shkak të moslëshimit të faturave tatimore të shitjes, si mënyrë që të mos kishin kosto shtesë nga pagimi i TVSH-së .

Duke ditur se normat e fitimit të këtyre industrive nuk janë aq të larta sa të mbulojnë këto kosto, agropërpunuesit kishin hedhur sytë nga produktet e importit. Barazimi i normës së TVSH-së, si në blerje dhe në shitje, balancoi flukset hyrëse dhe dalësë, duke arritur dhe qëllimin kryesor të këtij tatimi.

Por bazuar në ndryshimet e fundit të paketës fiskale, nga 01.01.2019, norma e kompensimit të prodhuesve bujqësor, u rikthye sërish në normen 6%, e cila në 2014, u ndryshua me argumentin logjik se rriste evazionin fiskal, një fakt i provuar nga administrata tatimore.

Por cilat janë efektet e këtij ndryshimi, në ekonominë e subjekteve agropërpunuese apo grumbulluese të produkteve bujqësore?

Për ta bërë të kuptueshme le të marrim disa shifra në mënyrë ilustruese.
Grumbulluesi i produkteve bujqësore “X”, lëshon një Autofaturë, në emër të fermerit “Y”.Vlera pa TVSH e mallrave të blera është 5800 leke, dhe TVSH e kreditueshme është 1 160 lekë, bazuar në normën 20% të kompensimit.

Supozojmë së ky grumbulluesi “X”, i shet këto mallra tek një shitës më pakicë “Z”, dhe për këtë lëshon faturë tatimore:


Vlera pa TVSH, e shitjeve është 6800 leke, dhe TVSH në shitje është 1360 leke.

Siç shihet nga të dhënat TVSH e zbritshme ishte 1 160 leke dhe TVSH e mbledhshme është 1360 leke, duke krijuar një TVSH të pagueshme nga grumbulluesi “X” në shumën prej 200 leke (TVSH në shitje-TVSH në blerje). Bazuar në parimin universal të “Tatimit mbi vleren e Shtuar”, TVSH e pagueshme do ishte rezultat i ndërhyrjes së bërë në cmim nga grumbulluesi “X”.

Pra: (Vlerë shitje pa TVSH-Vlerë Blerje pa TVSH) x 20%= (6800-5800)x20%=200 leke. Fitimi bruto nga ky transaksion për grumbulluesin do ishte 1 000 leke. Në këtë normë grumbulluesi do paguante vlerën e tatimit që i takon, bazuar në principin e “Tatimit mbi vleren e Shtuar”.

Rasti i parë: me 20% TVSH si në blerje ashtu edhe në shitje

Cfarë ndodh me ndryshimin e normës së TVSH-së nga 20% në 6%?

Po marrim në studim të njëjtat të dhëna si në rastin e parë:

Në rastin e zbritjes së normës së kompensimit në 6%, vlera pa TVSH e mallrave të blera do ishte 6 566 leke, dhe TVSH e zbritshme do ishte 394 lekë. Pra TVSH e zbritshme për grumbulluesin do kishte rënie me 766 leke (1160-394).

Ajo që vihet re në studim është se vlera e mallrave të blera nuk ndryshon, pra ngelet 6 960 leke, të cilat i takojnë fermerit, në të dyja rastet, pavarësisht normës së kompensimit të fermerit.

Duke qëne se TVSH-ja në shitje për këto produkte bujqësore ngelet në normën 20%, TVSH-ja e mbledhshme për grumbulluesin “X”, do ishte në të njëjten vlerë si në fillim pra 1 360 leke, ndërsa TVSH-ja e zbritshme do ishte 394 leke, duke bërë TVSH të pagueshme në shumën 966 leke(1360-394).

Rasti i dytë: me 6% TVSH në blerje dhe 20% në shitje

Rritja e TVSH-së pagueshme nga ndryshimi i normës së kompensimit do ishte 766 lekë. Fitimi bruto nga ky transaksion për grumbulluesin do ishte 234 leke, pra me një rënie 766 leke (1000-234), po aq sa është dhe rritja në TVSH-në e pagueshme, si pasojë e deformimit të parimit universal të njohjes së TVSH-së.

Siç u vertetua më të dhëna të thjeshta, ndryshimi i kësaj norme kompensimi të TVSH-së nga 20% në 6 %, do këtë pasoja të rënda për industrinë e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore si dhe për prodhuesit e këtyre produkteve.

Efektet e para mund të shihen në rritjen e evazionit fiskal, duke ulur shitjet e deklaruara nga subjektet grumbullues, si mbrojtje ndaj rritjes së pagesave të TVSH-së.

Efekti i dytë, mund të jetë interesimi i grumbulluesve apo agroperpunuesve që këto mallra ti marrin nga vendet e Rajonit, për shkak të njohjes së TVSH-së në import në normën 20%, duke i bërë këto mallra relativisht më të lira në koston e tyre të biznesit.

Përfundimi do ishte logjik: Rënie e prodhimit vendas, shtim i importeve, përkeqësim i bilancit tregtar.

SHËNIM***: Titull i shkrimit është redaksional, titulli i autorit: Ndryshimi i normës së kompensimit të TVSH-së për fermeret si kosto e fshehur.