“Ra ky mur e u pamë”/ Kronikë e dy shembjeve të paralajmëruara…

Znj. Alfrida Marku

“Ra ky mort e u pamë” është titulli i veprës së një shkrimtari të madh shqiptar, dhe prej tij kemi huazuar titullin e këtij artikulli, për të treguar mortjen që e ka zënë kulturën dhe historinë e Lezhës.

Për kulturën dhe historinë e qytetit të Lezhës, çdo ditë që gdhin, është ditë zie. Çdo ditë një vepër kulture, monument, a muze, kryen vetvrasje në këtë qytet, për shkak të neglizhencës.

Rasti më i fundit është shtëpia 108 vjeçare e Mlikajve e cila në pak kohë do shembet nëse vijon të neglizhohet, e nëse do të shembet do të zërë brenda një pjesë historie e kulture të këtij qyteti.

Por për shtëpinë e Mlikajve zor se do t’i prishet gjiza ndokujt, pasi në pandehmën e atyre që e kanë për detyrë ta mbrojnë gjejnë shpëtim tek ai mendini që, “hec mor se edhe po u shemb s’i ban gja kujt!”

Kurse me murin e rrugës së Kalasë është pak pisk puna sepse mortja e kulturës mund t’i paraprijë një tjetër mortje në këtë rast, një qoftëlargu gur i rrokullisur nga pesha e gjynaheve apo kushedi çfarë bestytnie mund të rrokulliset pra, e të bjerë në rrashtën e ndonjë turisti…

Bëje, O Zot, ëndërr!

Por gojëdhanat na thone se kur bëhen dy mortje bashkë nuk priten gjëra të mira.

Janë bëre 8 muaj tashmë që rruga e Kalase së Lezhës është shembur dhe akoma nuk është bërë asnjë ndërhyrje në të.

Banorët e zonës por edhe turistë shprehen mjaft të habitur por edhe të rrezikuar se përse nuk është ndërhyrë akoma.

Bashkia e Lezhës në deklaratat e bëra muaj më parë ka theksuar se situata i tejkalon kompetencat dhe mundësitë e saj.

Menjëherë pas akuzave te ngritura ne parlament nga Deputeti i Qarkut Lezhe Pjerin Ndreu se bashkia nuk ka një projekt për rrugën ka reaguar edhe Nënkryetarja e Bashkise Alfrida Marku e cila ka theksuar se bashkia ka gati projektin si dhe Këshilli Bashkiak ka miratuar projektin për riparimin e rrugës së kalasë në shumën 18 milionë lekësh të reja.

Rrëshqitja e tokës në rrugën e kalasë së Lezhës nisi 8 muaj më parë dhe u vlerësua si një situatë emergjente. Nëse akoma do të pritet për të parë së cilës palë i parkasin kompetencat, situata në rrugën e kalasë do të përkeqësohet, pasi jemi fare pranë nisjes së reshjeve të shiut dhe mund të këtë pjesë më të mëdha që mund të rrëshqasin.

Në materialin filmik të përgatitur nga Tv Lezha, nënkryetarja e bashkisë Znj. Alfrida Marku shprehet se në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak është miratuar zëri buxhetor për rehabilitimin e këtij muri.