Qarku Lezhë fitues i projektit të BE-së! Ja çfarë parashikon programi…

Siç e thotë edhe shprehja “të dështosh në planifikim, është të planifikosh dështimin”, dhe për sa kohë që kujtesa nuk na tradhton, sa u takon emergjencave civile në Lezhë përgjatë viteve të fundit, me të vërtetë që kemi shumë për të thënë e për të bërë.

Tre janë rreziqet më të mëdha që rrezikojnë qarkun e Lezhës: tërmetet, zjarret, dhe përmbytjet.

Për shkak të këtyre pikave të kuqe sinjalizuese në hartën e Lezhës, fjala emergjencë siç duket ka qënë kryefjala e strukturave të Këshillit të Qarkut Lezhë, aq sa kanë bindur edhe vlerësuesit e BE-së për t’i bërë pjesë të një partneriteti tripalësh, Itali – Shqipëri – Mal i Zi.

Ky program bashkëpunimi tripalësh menaxhohet nga Qarku i Puglia-s, i cili merr pjesë së bashku me një rajon tjetër italian, Molise; Shqipëria dhe Mali i Zi marrin pjesë me të gjithë territorin. Qëllimi është promovimi i rritjes ekonomike dhe intensifikimit të bashkëpunimit në zonën e ulët të Adriatikut, duke zbatuar veprime të përbashkëta midis aktorëve institucional kombëtar dhe rajonal dhe jo-fitimprurës dhe duke nxitur një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Tashmë projekti e ka kaluar fazën e fjalëve, dhe është në fazën e konkretizimit të tij, dhe për këtë Këshilli i Qarkut Lezhë ka zhvilluar një trajnim në këtë kuadër në ambjentet e Biblikotekës së Lezhës.

Nënkryetari i Qarkut, Z. Agostin Marku i cili mbajti fjalën e hapjes në këtë takim u shpreh se Qarku Lezhë është i vetmi institucion i cili ka arritur të përthithë 4 projekte nga Bashkimi Evropian, ku me anë të forcës bindëse, standarteve, stafit profesional të angazhuar, dhe arritja me përpikmëri në lartësinë e kritereve të vendosura nga BE është mundësuar përfshirja jonë në projektet e tyre.

Në vijim ka qënë koordinatorja e projektit Znj. Linda Maçi e cila bëri një panoramë të përgjithshme të projektit, dhe shtoi se Këshilli i Qarkut vijon në mënyrë të pandalshme t’u përgjigjet të gjitha thirrjeve dhe shpalljeve për projekte nga ana e BE-së, konkretisht, me 15 Gusht Qarku Lezhë do të dorëzojë aplikimin e radhës për një tjetër projekt të BE-së.

Në vijim të zhvillimit të trajnimit, ka qënë Inxh. Aguljen Marku i cili ka bërë një shtjellim të detajuar të të gjithë faktorëve të riskut, duke u bazuar në të dhëna statistikore, historike dhe aktuale për rrethin e Lezhës.

Në vija të përgjithshme meqënëse relacioni i Inxh. Markut është i detajuar dhe voluminoz, në linja të përgjithshme pra, rezulton se, në Qarkun e Lezhës risku i tërmetit është i ulët (por jo i papërfillshëm) duke iu referuar një bazë krahasimore standarte, POR cënueshmëria ndaj tij është tepër e lartë, sidomos për ndërtesat e vjetra, po ashtu, risku i zjarreve është i ulët por jo i papërfillshëm, ku edhe në këtë rast, cënueshmëria ndaj tij është e lartë.

Së fundmi, sa u takon përmbytjeve dhe erozionit agresiv, në këtë rast, qoftë risku, qoftë cënueshmëria janë tepër të larta (kritike), që përbëjnë vërtetë pikat e kuqe sinjalizuese në hartën e Lezhës.

Në përmbyllje të takimit nuk kanë munguar as diskutimet, ku pjesëbërës ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve me fokus mjedisor, ishin të pranishëm gjithashtu edhe dy inxhinierë të cilët kanë dhënë kontribut të madh në studimin mjedisor të rrethit të Lezhës, të mirënjohurit Inxh. Ndrekë Mhillaj dhe Inxh. Jak Gjini.

Inxh. Mhillaj e përshendeti ngrohtësisht projektin dhe shprehu gatishmërinë për të integruar të dhëna më të gjëra në këtë projekt. Ai e vuri theksin me forcë tek erozioni agresiv, sidomos në zonën e Shëngjit, Kunes dhe Tales. Inxh. Ndrek Mhillaj tha se në vazhdën e këtyre projekteve në një të ardhme sa më të afërt do të jetë e nevojshme, si e vetmja zgjidhje e sigurtë, ndërtimi i skalierave të tjera, ose përndryshe në 2025 në Shëngjin njerëzit nuk do të kenë ku të bëjnë plazh, pasi brezi i rërës do të zhduket.

Kontribut të veçantë në takim ka dhënë edhe Inxh. Jak Gjini i cili theksoi se deti nuk prodhon rërë, rërën e sjellin lumenjtë, por ju të gjithi e dini se lumi Mat nuk sjell më asgjë, sepse ai është shteruar për shkak të asaj që dihet, pra nga njëra anë është lumi Mat që nuk sjell prurje të rërës dhe nga ana tjetër erozioni agresiv i cili gëlltit bregun sistematikisht dhe i patrazuar, këto dy faktorë do të sjellin katastrofën ekologjike të Lezhës, me këtë duam të themi se nëse nuk ndërhyhet me projekte si këto dhe më të tjera pasuese, siç është ndërtimi i skalierave, Shëngjini i ka ditët e numëruara.

Për detaje në lidhje me projektin mund të vizitoni faqen zyrtare të Këshillit të Qarkut Lezhë.