Pse nuk ka lezhjanë të etur…

Herës tjetër kur të merrni një gotë ujë për të shuar etjen, kini parasysh këtë: nga i gjithë uji që gjendet në planet, vetëm 1% i tij është i pijshëm. Po 99% tjetër? Akull dhe ujë deti.

Diku te 70% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar me ujë. Atëherë pra, si ka mundësi që kufizimi i ujit të pijshëm është bërë një çështje kaq ndërlikuar?

Nuk është mungesa e ujit në përgjithësi; por është mungesa e ujit të pijshëm që është bërë një shqetësim serioz botëror.

Pra, të thuash ujë, është një gjë, ndërsa të thuash ujë i pijshëm, është një krejt tjetër.

Të gjithë banorët e Tokës duhet të bashkëndajnë me njëri-tjetrin një resurs të kufizuar, që është pikërisht uji i pijshëm.

Për më tepër, statistikat thonë me kokëfortësi se aksesi ynë te uji i pijshëm çdo vit vijon në rënie. Ekonomistët gjermanë thonë se ata që investojnë sot te uji i pijshëm, në vitin 2030, ai do të jetë një prej investimeve më inteligjente të dekadës.

Nuk është çudi të dëgjojmë se disa popuj të cilët vuajnë nga mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, e kanë prej shekujsh të rregulluar me Kushtetutë që të bëjnë lutje kolektive 3 herë në ditë në periudha të caktuara të vitit.

Që disa shtete e kanë të stampuar Ndërmarrjen e Ujësjellësit në kartmonedhën e tyre, që mosshpërdorimi i ujit është lëndë që mësohet nëpër shkolla, e që formula e shkripëzimit të ujit të detit (ndarja e ujit të detit nga kripa angl. desalination) e shpikur nga shkencëtari amerikano-izraelit inxhinieri i kimisë Sydney Loeb, i ka detyruar të gjitha diplomacitë e superfuqive të botës t’i ulen në tavolinë Izraelit, e që këto janë të gjitha çështje që për dikë që jeton në Lezhë as që i bëhet vonë fare, sepse Lezha është një vend i bekuar për shumë gjëra, e ndër to, edhe për ujë të pijshëm.

Shkencëtarët izraelitë përveç kthimit të ujit të detit në ujë të pijshëm, kanë shpikur edhe teknologjinë e riciklimit me rërë të pastër që kthen ujin e pistëujë të pastër të pijshëm.

Nuk është rastësi pra, që toka e Izraelit e mbuluar 60% nga shkretëtira, ka arritur të zgjidhë përjetësisht frikën e tmerrshme dhe kërcënuese të etjes, i gatshëm edhe të eksportojë madje.

Por, nëse ti që po i lexon këto, jeton në Lezhë, gjasat më të mëdha janë që të mos kesh vuajtur ndonjëherë nga mungesa e ujit të pijshëm. E nëse ke vuajtur, kjo nuk ka ndodhur për shkak se nuk ka patur ujë, por për shkak se nuk ka patur teknologji për ta përpunuar e për ta çuar deri te rubineti yt.

Inxhinierët gjermanë thonë se, “nuk ka pamjaftueshmëri të ujit, por ka pamjaftueshmëri të inovacionit teknologjik.”

Falë këtyre gjermanëve, të cilët e morën Ujësjellësin e Lezhës si projekt pilot, e që sot me bindjen e plotë mund të thuhet se “nuk ka lezhjanë të etur”, kanë arritur një sukses të padiskutueshëm.

Kjo ka ndodhur jo vetëm sepse gjermanët janë inxhinierë të zotë por edhe sepse gjermanët dinë edhe të zgjedhin njerëz të zotë, për t’u dhënë drejtim punëve.

UK Lezhë është e vetmja kompani/ndërmarrje/institucion në Lezhë që është bërë shembull i suksesit dhe i punës së mirë për të gjithë Ujësjëllat e Republikës.

Për të kuptuar tamam se çfarë transformimi të pabesueshëm ka pësuar Ujësjellësi i Lezhës, vetëm lexoni pak çfarë shkruan Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:

💧 Lezhë | UK Lezhë model suksesi për tu replikuar në sektor 💦
👏 Faleminderit Zef Maçi, që drejton prej +20 vitesh UK Lezhë, për këtë model suksesi dhe na tregon se shërbimi jetik i ujit është i mundur, dhe bashkë ne mundemi ta replikojmë në çdo UK.

UK Lezhë është një nga 3 kompanitë me performancë më të lartë 🔝 në 58 UK që operojnë në sektorin ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri, falë investimeve dhe infrastrukturës moderne që qeveria shqiptare ka investuar dhe modeli menaxhimi me standarde maksimale, i vlerësuar si model suksesi për tu replikuar.

UK Lezhë sot mbulon ~ 50.000 banorë 👨‍👩‍👧‍👦 me 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi falë një ekipi të përkushtuar profesionistësh që punojnë në këtë ndërrmarrje. Shërbimi ndaj Klientit, UK Lezhë 📝 vlerësohet si një nga më cilësoret duke dhënë zgjidhje definitive për çdo ankesë qytetarëve vetëm brenda 24 orëve ⏱

👉 AKUM është në fazë studimi për ndërhyrje me investime në Bashkia Lezhe brenda 2021, për modernizmin e infrastrukturës së rrjetit të kanalizimeve, ujërave të bardha e shirave, me mbështetje financiare nga donatorët e huaj.

Nëse si shqiptar na bashkon të gjithëve thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, atëherë si lezhjanë, padiskutim do të na bashkonte thirrja “I duam të gjitha Ndërmarrjet si Ujësjellësi”.