Pse lezhjanët janë kaq arsimdashës…

Nuk më hiqet nga kujtesa dita kur isha veç një djalosh i vogël dhe po luaja te hyrja e pallatit me një kamion që ma kishin blerë prindërit për ditëlindje, kisha një top të vogël të cilin ja ngarkoja në rimorkio dhe…

…papritur e pa menduar mu aty vjen një burrë me ca gropa të mëdha të syve dhe flokë të zbardhuar të cilët kërlesheshin ngatërrueshëm sikur të ishin në ndonjë komunikim sekret me erën dhe motin e cingërimtë të Lezhës.

Unë kisha dëgjuar edhe mëparë në shtëpinë time për këtë burrë që po afrohej, dëgjoja shpesh mamanë dhe babanë që thonin se është njeri i ndritur, që lexon shumë, dhe atypëraty me atë imagjinatën fëminore fillova të bëja lidhjet e asaj që kisha dëgjuar nga prindërit me atë po më shihnin sytë, dhe thashë me vete… “prindërit e mi kanë të drejtë, ky duhet të jetë burrë i mençur, sepse gropat e syve i ka të mëdha që t’i hyjnë sa më shumë shkronja brenda. Ose anasjelltas, ishin gropat e syve të tij, që, me kalimin e viteve, kishin filluar të zmadhoheshin, nga dëshira për sa më shumë shkronja.”

Ky burrë ishte tashmë vetëm dy hapa larg meje kur e ndalova dhe e pyeta:

“O xhaxhi… po si është e mundur që kur e tërheq këtë kamionin tim me fijen e perit, topi rrëzohet mbrapa, ndërsa kur e shtyj kamionin me duar dhe ndaloj befas, topi rrëzohet përpara? Pse ndodh kjo gjë?”

Dhe ai më tha, “Këtë nuk e di askush!” më tha, dhe shtoi:

“Parimi i përgjithshëm është se gjërat që lëvizin përpiqen ta ruajnë lëvizjen dhe gjërat që qëndrojnë në prehje priren të qëndrojnë në prehje, përveç nëse i shtyni fort ato.” Dhe ai shtoi më tej, “Kjo tendencë quhet inerci por askush nuk e di pse është e vërtetë!”

Disa vite më vonë, kur isha në universitet, do të zbuloja se ky burrë i mençur me fytyrë dimri, kishte aplikuar principet më të fuqishme të pedagogjisë mbi mua atë ditë, përgjigjja e tij kishte një kuptim të thellë – ai qëllimisht nuk më tha asnjë emër, sepse ai e dinte ndryshimin midis njohjes së emrit të diçkaje dhe njohjes së diçkaje, dhe tjetra, ai qëllimisht përdori frazën “këtë nuk e di askush!”.

Ai po përdorte metodën e shpjegimit përmes ngacmimit të kureshtjes, për ta shtyrë nxënësin drejt kënaqësisë së zbulimit vetë të gjërave.

Dhe sot, ai djaloshi i vogël që luante të hyrja e pallatit është Profesor i Fizikës në një Universitet që ndodhet në vendlindjen e Isak Njutonit.

Ndërsa ai zotëria që u ndal t’i jepte një përgjigje djaloshit ishte një aristokrat i parë i Lezhës, një zotni i kulturës, dhe një ndër mendjet më të ndritura që ka jetuar në tokat e Arbërit, emri i tij është, Mark Vuji.

Prof. Dr. Mark Vuji nuk ishte fizikan, por ishte shkencëtar i pedagogjisë dhe i sistemeve didaktike.

Për të kuptuar tamam se kush ishte Mark Vuji na duhet të kthehemi 30 vjet mbrapa në kohën kur, paralelisht, nga njëra anë, superfuqia e botës Sh.B.A me resurset dhe miliardat e pafundme i kishte mobilizuat të gjitha shkencat në kërkim të asaj që quhej “metoda më efikase e mësimdhënies”, dhe nga ana tjetër, në një apartament të vogël në Lezhë ishin Mark dhe Bukurie Vuji, të cilët, të vetmin laborator kishin shtëpinë dhe tyre, dhe gjimnazin “Hydajet Lezha”. Asgjë tjetër në dispozicion të tyre.

Për shkak të një ligji të pashkruar, ndodhi ajo që i ka mundësi më pak të ndodhë, zelli dhe pasioni për profesionin e kapërceu çdo kufi.

Metoda Vuji në zanafillë të saj nuk ishte vetëm një metodë për mësimdhënien, por ishte një përpjekje për të ndryshuar brezat, për të çliruar mendjet, për të ndryshuar kombin.

“Mësuesit kanë fuqi të tilla që kryeministrat vetëm t’i ëndërrojnë”, pati thënë njëherë Winston Churchill, dhe nuk ishte aspak i kotë apo rastësor ky vrull për ta trajtuar mësimdhënien si Graalin e Shenjtë të kombit, kjo për shkak të ekzistencës së një lidhjeje mjaft delikate midis arsimit dhe demokracisë.

Ka ekzistuar një kohë në historinë e njerëzimit kur e drejta e shkollimit nuk ishte për këdo, në fakt, ajo ishte e rezervuar vetëm për familjet e fisnikëve, dhe kjo e drejtë mohohej duke mos i lejuar ata të flisnin gjuhën e të varfërve, por një gjuhë tjetër, latinishten. Çdo dije jepej e merrej në latinisht, dhe kështu shtresat e ulëta të shoqërisë do mbeteshin në statuskuonë e tyre ndërsa fisnikëria do ta konsolidonte të vetin gjithnjë e më tepër.

Por erdhi dita që gjërat ndryshuan… industrializmi i hapi dyert e shkollimit për të gjithë, mirëpo, mekanizmi i fshehur i kontrollit të masave popullore ishte përsëri brenda në sistem, por kësaj here më i sofistikuar.

Mark Vuji e kishte kuptuar me kohë se shkollat ishin si burgjet, jo burg i trupit, por Burg i Mendjes. Ky skllavërim, kjo mpakje dhe tharje e trurit ishte pjesë e sistemit masiv të kontrollit të mendimit.

Ka të ngjarë, që për Mark Vujin, pasojat e sistemit arsimor të asokohshëm do të ishin më të rënda se ato të “krimeve” në të ardhmen e afërt. Ai po e parashihte qartësisht rrezikun e madh të një sistemi arsimor ku nxënësit vlerësohen sepse recitojnë papushim, mësojnë përmendësh të përsërisin robotshe gjëra të pakuptimta, nxënës që më tepër sesa lëndën mësonin karakterin e mësuesit me qëllim që t’i përshtateshin sa më bukur për t’i hyrë në sedër për notë të mirë.

Po ku na çonte kjo?

Nga analet e historisë, siç e dimë, kjo është një nga mënyrat më të mira për mbajtur kontrollin e trurit të masave për shkak se konformizmi ushqen dobësinë ndërsa individualiteti forcën e vullnetit. Profesor Mark Vuji e ekspozonte dhe besonte shumë te fuqia e individit, një bindje të cilën e mbajti dhe e shprehu në çdo fibër të qënies së tij dhe përgjatë gjithë veprimtarisë së jetës së tij.

Cili ishte thelbi i Metodës Vuji?

Nxënësit kalonin nga viti në vit në një gjendje vegjetative trunore, aftësitë e të menduarit kritik nuk ushtroheshin fare, mungesa e aftësisë së arsyetimit kritik i bënte ata të dilnin nga bankat e shkollës me trurin e mpirë, të paaftë për më tutje, në rastin më të mirë persona që struken në guackën e komformizmit, (të bëj dhe unë çfarë bëjnë të tjerët, (kopjacë!)), dhe në rastin më të keq qënie me servilizim të sofistikuar, puthadorë, e puthabyths, e shollë-lëpirës, pikërisht pra, ashtu siç i donte sistemi.

Kështu pra, po fillon të dalë pak nga pak në dritë lidhja e brishtë midis demokracisë dhe arsimimit.

Të mësosh të dyshosh, të dish të dalësh te Fakti 2 duke u nisur nga Fakti 1, të ndërtosh një arsyetim, të përdorësh elementët e logjikës për të deduktuar një përfundim, apo për të hetuar shkakun apo zanafillën e një fenomeni, ishin vetëm disa prej ushtrimeve elementare të Metodës Vuji që u mësuan për 30 vjet, aq sa ishte drejtor i gjimnazit që u bë më i famshmi i Shqipërisë, gjimnazi “Hydajet Lezha”.

Një përkrahëse e madhe e profesor Markut ka qënë edhe bashkëshortja e tij, shkencëtarja dhe mësuesja e matematikës Prof. Bukurie Vuji.

Kjo grua e madhe e një qyteti të vogël, do të arrinte përpara gjithë asaj miriadë shkencëtarësh amerikanë të dilte në përfundimin se metoda më e mirë e mësimdhënies është ajo e cila nuk ua heq nxënësve kënaqësinë e të zbuluarit vetë të gjërave.

Kështu, për breza e breza me radhë, nën drejtimin e të madhes Bukurie Vuji në gjimnazin e Lezhës, ashtu si askund tjetër në Shqipëri, ajo do t’i shtynte nxënësit ta formulonin vetë Teoremën e Euklidit thjesht duke u nisur nga aksiomat e gjeometrisë. Kjo metodë do të përdorej edhe për trigonometrinë, edhe në tema e lëndë të tjera, duke stërvitur kështu arsyetimin kritik tek nxënësit dhe duke mos i zhveshur ata nga kënaqësia e zbulimit vetë të gjërave.

Për shkak të këtyre dy personaliteteve Gjimnazi “Hydajet Lezha” mori famë të madhe, njohje dhe respekt në të gjithë Shqipërinë.

“Matematikën e ke 10-të deri në fund të vitit”, i kishte thënë një profesor i Universitetit të Tiranës një studenti sapo kishte marrë vesh se ai kishte qënë nxënës i Prof. Markut dhe Prof. Bukurijes.

Këta dy njerëz të zellshëm, intensiv dhe profesionistë të vërtetë i kishin vënë vetes një mision të madh: “Çlirimin e Mendjeve” një e nga një.

Filozofia personale e Mark Vujit në lidhje me edukimin ishte aq unike sa vetë ideuesi i saj. Me të vërtetë, të kuptuarit e filozofisë së tij mbi edukimin është një parakusht i rëndësishëm për ta vlerësuar dhe çmuar për zellin e jashtëzakonshëm, për intensitetin dhe gjenialitetin e këtyre dy njerëzve të cilët arritë të krijonin sistemin e tyre fenomenal të mësimdhënies.

Por çfarë synonin të arrinin ata me këtë?

Ashtu siç mund të kuptohet nga dëshmitë, shënimet, libra dhe veprat e tyre, dizenjim i një metode të tillë unike dhe efektive arsimore ishte mjeti i një qëllimi më të lartë – të “ndryshonin kombin”.

Do të ishte e padrejtë ndaj Prof. Mark Vujit të shkruanim një artikull për metodën e tij, pa e theksuar mirë se qëllimi i tij i vërtetë ishte për “të garantuar një të ardhme për ne” në një kohë kur forcat që duan të bëjnë të kundërtën janë bërë aq të shumta, të drejtën tonë jemi, të drejtën tonë të jetojmë.

Çfarë po rrezikohet sot?

Specifikisht sot, çfarë po përsëritet sërish, e njëjta gjë pra… “liria e mendjes” po rrezikohet, por në formë akoma më të sofistikuar, dhe Metoda Vuji është një vaksinë e domosdoshme por jo e mjaftueshme. Me “çlirim të mendjes” Mark Vuji i referohej të drejtës tonë për të menduar në mënyrë të pavarur si individë, me tepër sesa konformistë të cilët përkunden e përcillen në dallgët e opinionit publik. Mark Vuji e dinte krejt mirë, se aftësia jonë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të komunikuar efektivisht me njëri tjetrin do të korruptohej përsëri nga një sistem i së ardhmes që skllavëron mendjet tona.

Në konkluzion, për t’i vendosur bindjet e Mark Vujit në perspektivë, do të donim këtu të citonim një President Madhështor Amerikan, dhe një gjeni të madh, Thomas Jefferson, i cili pati thënë se është e pamundur për një komb të jetë njëkohësisht “injorant dhe i lirë” dhe të vazhdojë të mbijetojë.