Pse Lezhën me gisht në gojë? Ku po i çon fondet Ministria e Kulturës

Nga Klodian Marku

Rilindasit ashtu si paraardhësit e tyre në 1949, kujtojnë se historia nis me ata, e vërteta është se në 2013 me ata nis historia e kanabizimit të Shqipërisë, e nëpërkëmbjes së dinjitetit shqiptarit e uljes varfërisë këmbëkryq në sofrat e familjeve tona dhe rikthimit të eksodit masiv si në vitet 1990.

Nje panoramë e shemtuar paraqitet në qarkun ku unë jetoj në Lezhë, ku kishat shekullore me vlera të paçmuara historike dhe arkitekturore lihen në mëshirë të fatit.

Një ndër viktimat e fundit është Kisha e “Shën Premtes” në Balldre e ndërtuar në shekujt XII-XIII, që prej vitesh nuk ka asnjë rikonstruksion e mjaftoi një erë e fortë për ti dëmtuar çatinë dhe pjesë të tjera të godinës.

Janë me dhjetëra objekte kulti në Mirditë kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Lezhë e Kurbin që po rrënohen dhe askujt në Ministrinë e Kulturës në Tiranë nuk i bie ndërmend të kujdeset për këto objekte që janë pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti po ecën në gjurmët e paraardhëses së saj, Mirela Kumbaro, teksa investimet e Ministrisë Kulturës janë përqendruar kryesisht në Qarkun e Gjirokastrës, ku Kumbaro është deputete.

Në këtë qark nuk besoj të ketë mbetur objekt kulti pa restauruar pavarësisht datës apo historisë që mbartin, madje kështu sikur e kanë nisur ka gjasë të rikonstruktohen edhe stanet ku ka ndenjur komandati Enver Hoxha, gjatë betejave të tij të lavdishme në tryeza me keca të pjekur e whiski skocez.

Rilindja po sillet me kishat katolike ashtu siç u sollën etërit e tyre në vitin 1967 që u privuan shqiptarëve edhe besimin në zot.

Këta njerëz nuk njohin norma, nuk njohin familje dhe nuk njohin zot.
Komuniteti katolik dhe me gjërë duhet të ndërgjegjësohet e të kuptojë se Rilindjes duhet ti vërë limite, pasi për të ruajtur kishat dhe gjuhën ky komunitet ka derdhur gjak ndër shekuj!

Shënim: Titulli i shkrimit është redaksional, titulli origjinal: “Kur përdhos historinë!’