Procedurat për agroturizmin/ Ja si merret leja për strukturat akomoduese

Qeveria ka ndërhyrë në vendimin e Janarit 2018 sa i përket kritereve dhe procedurave për certifikimin e agroturizmit, duke bërë rregullime të mëtejshme në legjislacion.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që ka marrë fuqi ligjore, ka të bëjë më së shumti me rregullimin e marrjes së lejeve për ndërtimin e strukturave akomoduese në agroturizëm, me qëllim që të bëhen sipas planeve vendore dhe me rregulla të caktuara, duke frenuar ndërtimet kaotike dhe pa sistem në fshatrat turistike të vendit.

Konkretisht, janë autoritetet përgjegjëse të planifikimit dhe zhvillimit të territorit përgjegjëse për hartimin e dokumenteve të planifikimit në të gjitha nivelet dhe leja e ndërtimit lëshohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me dokumentin e planifikimit vendor.

– Vendimi parashikon se në rast se mungon plani i përgjithshëm vendor: Kriteret e përcaktuara në këtë vendim janë kushtet minimale për pajisjen me leje;

– Leja e ndërtimit lëshohet nga bashkia, pas kontrollit të përputhshmërisë të projektpropozimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), e cila, në bashkërendim me ministrinë përgjegjëse për turizmin verifikon përputhshmërinë me dokumentet e planifikimit të territorit në fuqi;

– Bashkia kryen verifikimin në terren dhe në rast se, rezulton se propozimi është në përputhje me kriteret e kërkuara, jepet vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit.

Në rastet kur është i nevojshëm ndryshimi i kategorisë së resursit të tokës ku ndërtohet struktura e agroturizmit, në kategorinë e resursit “truall”, bashkia i propozon ministrisë përgjegjëse të vijojë procedurat për ndryshimin e kategorisë së resursit të sipërfaqes së tokës, objekt i lejes së ndërtimit.

Pasi mbyllet dhe kjo hallkë dhe miratimit të kalimit të tokës në sipërfaqe ndërtimore, bashkia i dorëzon aplikuesit dokumentin e lejes dhe e boton atë në regjistrin e integruar të planifikimit të territorit.

/scantv