Policia e Lezhës feston 106 vite në krye të detyrës!

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, u zhvillua ceremonia festive e 106-vjetorit të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e Prefektit të Qarkut Lezhë, përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, të shoqërisë civile, veteranë, ish punonjës policie të dalë në pension, familjarë të punonjësve të të rënëve në krye të detyrës, si dhe efektivë.

Policia Shqiptare u krijua si institucion më 13 Janar 1913, krahas institucioneve të tjera të sigurisë e qetësisë që u krijuan në atë periudhë. Në ecurinë e saj Policia Shqiptare ka kaluar në periudha të vështira por gjithmonë në përmirësim.

Funksionimi i saj ishte nevojë jetike e shtetit por edhe kërkesë e publikut, sepse në thelbin e misionit të saj ka qenë kurdoherë “shërbimi ndaj shtetit dhe komunitetit, për të mbajtur rendin e qetësinë e vendit dhe zbatuar ligjet”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Policisë Vendore Lezhë Ferdinand Mara, u shpreh se Policia e Shtetit ka ende shumë për të bërë dhe gjithmonë do të përpiqen më shumë që të përmirësojnë përformancën policore.

Mbrojtja dhe siguria e jetës së çdo individi është një ndër parimet themelore mbi të cilat bazohet i gjithë funksioni i Policisë së Shtetit dhe në arritjen e tyre kemi pasur edhe disfata të mëdha, akte sublime deri në mbrojtje të jetës me jetë nga punonjës të policisë që për ne do mbesin përjetësisht në krye të detyrës dhe do jenë burim frymëzimi,” – u shpreh ndër të tjera Z.Mara.

Gjatë ceremonisë u shpërndanë edhe 3 Certifikata për shërbime të dalluara!

Fjala e plotë e Z.Mara:

I nderuar z. Prefekt !

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve Shtetërore!

Të nderuar familjarë të punonjësve të rënë në krye të detyrës !

Të nderuar Veteranë të Policisë , pjesëmarrës dhe kolegë !

Ju uroj mirëse ardhjen për të festuar së bashku 106 vjetorin e Krijimi të Policisë së Shtetit
Shqiptar.

Kjo festë na bën të reflektojmë mbi sakrificat e të kaluarës si dhe sfidat që kemi përpara, pasi kemi ende shumë për të bërë dhe gjithmonë duke u përpjekur çdo herë e më shumë të përmirësojmë përformancën policore.

Policia e Shtetit , e krijuar me datë 13 janar 1913 , në kohë të rrezikshme dhe të vështira për atdheun tonë, përgjatë dekadave që nga krijimi i saj e deri më sot ka përshkuar një rrugë të gjatë me plot peripeci. Falë përkushtimit vetëmohues ,karakterit dhe figures potente të punonjësve të policisë që treguan përballë çdo situate , sot Policia ka një imazh e vizion më të qartë për një shërbim më cilësor, për një komunitet më të sigurt.

Mbrojtja dhe siguria e jetës së çdo individi është një ndër parimet themelore mbi te cilat bazohet i gjithë funksioni i policisë së Shtetit dhe në arritjen e tyre kemi pasur edhe disfata të mëdha , akte sublime deri në mbrojtje të jetës me jetë nga punonjës të policisë që për ne do mbesin përjetësisht në krye të detyres dhe do jenë burim frymëzimi.

Gjej rastin të falenderoj të gjithëve JU , Veteranët e Policisë së Shtetit , që me këmbëngulje e vullnet guxuat në nismat fillestare dhe kontribuat për arritjen e ditëve të sotme. Kjo festë gjithashtu ka më shumë kuptim kur pranë nesh sot ju kemi JU, punonjës policie që keni dalë në pension pas viteve të tëra punë dhe sakrifica. Ju jeni akoma pjesë e jona.

Policimi është një profesion mjaft sfidues por jam i sigurt që ju të rinj që sapo keni hedhur hapat e parë në këtë profesion, do të përdorni cdo përvojë duke gjeneruar risi inspiruese.

Falenderoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të tjera ligjzbatuese për bashkëpunimin e vazhdueshëm për arritjen e objektivave tona.

Shpreh bindjen se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë do jenë të angazhuara maksimalisht për të siguruar rend , qetësi dhe siguri në gjithë Qarkun e Lezhës, por mbi të gjitha për të respektuar dhe shërbyer çdo qytetari që investon besim te Policia e Shtetit.

Një polici e mirë , ka thjesht të bëjë me përmbushjen e detyrave të vogla të bëra në mënyrë standarte.

Faleminderit !