Paulin Leci, lezhjani që shtegtoi nëpër Evropë në kërkim të ëndrrës…

Paulin Leci që në moshën e 18-vjeçare është larguar nga Shqipëria. Fillimisht është zhvendosur në Itali, në Alba, ku nisi pune në ndërtim dhe më pas, pjatalarës.

Puna si pjatalarës nuk e dëshpëroi aspak djaloshin 18 vjeçar, sepse ai e dinte se ajo punë ishte trampolina perfekte për t’u hedhur tek dhoma ngjitur… ajo e kuzhinierëve.

Ashtu siç ndodh gjithnjë me njerëzit që kanë një ëndërr dhe punojnë papushim në ndjekje të saj, ashtu ndodhi një ditë edhe me Paulinin kur menaxheri i një restoranti spanjoll, klient i restorantit, vend ku takoi dhe u bë mik me Paulinin, vendosi t’i ofronte punë në Spanjë.

Ishujt Kanarie

Ky ishte momenti i Paulinit për të realizuar gjithë potencialin e tij. Në Barcelonë të Spanjës u formua si kuzhinier, dhe pas dy vitesh ku tregoi me pasion talentin e tij, u bë shef kuzhine.

Pavarësisht kësaj, dëshira e tij për të mësuar ishte më e madhe sesa rehatia e të qënit shef kuzhine, ai donte të dinte më shumë rreth botës së kulinarisë. Pas Barcelonës, destinacioni i tij ishin Ishujt Kanarie.

Kjo ishte një sfide e re për të, pasi njohuritë dhe ekspertiza që kishte fituar në kuzhinën spanjolle zor se mund të aplikoheshin ashtu shabllon në atë franceze kësaj here. Kështu ky kuzhinier kurioz, u familjarizua edhe me një botë tjetër të re e sqimatare, kuzhinën franceze.

Por instinkti i shtegtarit, zotëronte mbi gjithçka tek Paulin Leci, i cili kësaj here do të fluturonte drejt viseve të veriut për të eksploruar edhe një tjetër botë të re të madhe, kuzhinën nordike.

Ai momentalisht punon në kuzhinën e restorant Sogaard Bryghus, dhe roli i tij është i gjithanshëm, për shkak të eksperiencës nëpër kuzhinat evropiane.

Pjatat e tij, që dikur vetëm i lante, sot janë një krijimtari e vërtetë e artit gastronomik, kënaqësitë e arritjes dhe përmbushjes në punën që bën e kanë kulminacionin në ato momente “uau’ kur klientët mrekullohen me kombinimet e tij.

Në kohën kur ai ndodhej në ishujt Kanarie, Paulini ishte njohur dhe me një vajzë sllovake, e cila sot është bashkëshortja dhe mbështetja e tij më e madhe. Ata sot jetojnë bashke dhe kanë një djalë, ndërsa shumë shpejt do të bëhen sërish prindër.

Paulini thotë vitin e ardhëm do të vijë në Shqipëri sëbashku me mikun e tij kuzhinier, për të promovuar tradita të ndryshme ushqimi në plazhin e Shëngjinit, ndërsa thotë se, do të vijnë pas tij edhe shumë turistë daneze.

Sot ai po punon fort dhe me pasion për të arritur majat e gastronomisë, dhe mesazhi i tij për të rinjtë shqiptarë është të ndjekin ëndrrat, sepse vetëm pasioni të jep mundësinë të arrish aty ku do. Dhe ne fund, gjithmonë, kudo të jenë, një sy ta mbajnë nga shtëpia ku lindën. Se ëndrrat realizohen, mbase nëpër botë, por ama shijojnë në Shqipëri.