Nxënësit e “Lezha Academic Center” e mbushën me emocion Bibliotekën e Lezhës sot

“Një prill për Fredin”, kështu do t’i titullonte shkrimtari i madh Ismail Kadare rreshtat e tij kushtuar poetit të Shkodrës Frederik Rreshpja.

Titulli “Një mars për Ndocin” do ta çonte në vend analogjinë me poetin e Lezhës.

Ndoc Gjetja është njeriu që e përbuzi realitetin e tanishëm tokësor, ai e çonte shpirtin e tij mes yjesh dhe ishte një futurist, kumtoi në fjalën e tij z. Tonin Çobani, fishtologu i fundit, Qytetar Nderi i Lezhës.

Zbukurimi i këtij evenimenti erdhi nga ata që po i sjellin kohën e re Ndocit, ishin nxënënësit e shkollës “Lezha Academic Center” ata që i thurën kurorën zanore të madhit Ndoc Gjetja.

Me nje përgatitje të shkëlqyer, me një koleksion poezish të përzgjedhura, e të veshur me kostumet e tyre që aq shumë u kanë hije, dukeshin si zogj të bukur që kishin hyrë në bibliotekën e qytetit dhe na mrekulluan të gjithëve me recitimet e tyre, na bënë të ndjeheshim krenar për trashëgiminë shpirtërore që na la poeti, na kënaqën të gjithëve me performancën e tyre dhe na forcuan bindjen për brezin e ri që po vjen, të cilët marrin ushqimin e shpirtit në sofrën e përjetësisë që Ndoci e shtroi për ne.

Kështu pra, 75 vjet mëparë, pati ardhur në jetë, ai që shkroi vargjet:

O Perëndeshe e gjithë pushtetshme 

e universit mashkull femër

Bëj ç’te duash me veten time

jam instrumenti yt i vjetër.

Do të përkujtohej sot në Lezhë, në një sofër shpirti të tillë që vetëm ata njerëz me sqimë të vërtetë qytetare lezhjane mund ta shtronin, e që na bënë të mos hidhëroheshim për ikjen e  Ndocit, por të gëzoheshim që e patëm.

Portret, Ndoc Gjetja

SIKUR

Ç’mrekulli do të kishte qënë

sikur të jepnin që sot dorëheqjen

presidenti dhe çdo lloji ministri!

Dhe ta merrte pushtetin

Shpirti.