Një urim i vogël për ty Tonin Çobani, njeriu i mençur i Lezhës!

Një mëngjes vjeshte rastësia e deshi që ndërsa i drejtohesha hyrjes së sheshit kryesor të Tiranës, pikërisht mu aty shoh një burrë me flokë të shkurtër të hirtë, sy të qeshur dhe pamje afruese prej babaxhani.

Ky burrë e mbante çantën në shpinën e tij, e cila ngjate si ajo e studentëve të përkushtuar, me dy rripa në krahët dhe ecte me hapa të lehtë e të matur në një kohë me kolegun apo mikun e tij, ti cilit diç po i shpjegonte me aq shumë zell.

Ky burrë me fytyrë të qeshur është Qytetar Nderi i Lezhës, mban gradën Doktor i Shkencave, ai quhet Tonin Çobani dhe sot ai feston ditëlindjen e tij të 72-të, dhe atë ditë teksa e shihja që ecte këtë zotëri 70 vjeçar që mbante çanten sikur të ishte 22, nuk kishte sesi të mos më vinte mendimi se njeriu nuk është tjetër, veçse një student i përjetshëm.

Dr. Tonin Çobani është nga ata njerëz që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij me kritikën letrare (gjysëmshekulli!).

Vepra e Fishtës është si ajri që thith për Tonin Çobanin, vetëm Perëndia mund ta dijë sesa orë, netë, ditë, javë, muaj, vite e dekada mund t’i ketë kaluar ky njeri mbi librat e Fishtës, duke analizuar me kujdes çdo varg, çdo fjalë, çdo dykuptimësi, çdo trekuptimësi, çdo rrokje, paragraf, titull, nëntitull dhe të fshehtat e thella midis rreshtave Fishtjanë.

Titulli Fishtologu i Fundit do t’i shkonte shumë këtij njeriu, intelektuali të vërtetë të Lezhës, sepse si ai zor të gjenden e të dalin të tjerë.

Firmën e tij e mbajnë 39 tituj librash dhe qendra gravitacionale e tyre është përjetësimi i kontributit të Fishtës në letërsi dhe në jetën e shqiptarëve. Çdokush i zellshëm nga brezat e tanishëm e të ardhshëm që do të dëshirojnë të kuptojë e të asimilojë Fishtën, mjafton të kalojnë nga rruga që ka shtruar Tonini dhe kënaqësia e rrugëtimit në universin Fishtjan ka për të qënë e pakrahasueshme.

Këto radhë i shkrujtëm sot për intelektualin e përunjur Tonin Çobani për t’i thënë se është krenaria intelektuale e Lezhës dhe i urojmë jetë të gjatë, gëzofsh e festofsh edhe plot ditëlindje të tjera.