Mirë se vini në Lezhë! Qyteti i … “unë s’pata krye, e ti nuk pate sye!”

Është fundviti 2018-ës dhe turistë të shumë kanë filluar të braktisin Luvrin për t’u nisur drejt Lezhës.

Misteri i Mona Lisës së Leonardo da Vinçit është hiçgjë në krahasim me misterin e madh të shtyllës në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë.

Arsyeja pse kjo shtyllë po kthehet në një atraksion turistik lidhet pikërisht me të kundërtën e saj, me pa-arsyen, me mosarsyen e gjendjes së saj aty.

Arsyeja e mosarsyes së shtyllës që ka filluar të marrë famë mbarëkombëtare dhe më gjërë, mbart një energji të jashtëzakonshme misteri, që të tërheq me forcë, ta ngërthen vëmendjen e të fut në mendime të thella.

Mund të jesh duke pirë kafenë e mëngjesit, mund të jesh në timon, mund të jesh duke studiuar koefiçientët e ndeshjeve të skedinës, mund të jesh në një ambjent familjar ku të gjithë po flasin e po pyetën hareshëm me njërin tjetrin, ndërsa ti, ke mbetur ashtu, me sytë pezull në boshllëkun e dhomës, duke bluar me mendje misterin pra, atë misterin e shtyllës te lagjia “Nënë Tereza”.

Dhe mendon:

Të jetë një harresë vallë? A mundet që punimet për shtrimin e asfaltit të jenë bërë natën dhe shtylla t’u ketë shpëtuar ashtu paq?

Ky version nuk të bind, sepse është e pamundur që punimet të jenë nisur e kryer brenda natës për t’u gdhirë më pas me shtyllën në mes të rrugës. Aq më tepër që inxhinierët përgjegjës kryejnë inspektime paraprake të asaj çfarë po ndodh. Mirë se ata nuk patën krye, por as këta nuk patën sye?!

Të jetë vallë rezultat i ndonjë mosmarrëveshjeje?

Thua që enti përgjegjës për shtrimin e rrugës të mos ketë gjetur një ujdi me entin përgjegjës për ndryshimin e vendndodhjes së shtyllës e kështu ky paradoks urban të jetë pjellë e një mosmarrëveshjeje institucionale.

Ose më saktë, dy persona përgjegjës, njëri për shtyllën e tjetri për rrugën të kenë qënë kaq të inatosur, të mllefosur, të marinuar, e të tymosur me njëri tjetrin saqë të mos lëshojnë asnjë grimë pe, dhe kjo shtyllë të jetë një përfaqësuese e denjë e dy kokëfortësive.

Por prap, as ky version nuk bind, sepse po të ishte kështu, këta dy persona pra, Zotni Shtylla dhe Zotni Shtroja nuk do të kishin shkuar deri pikën sa për t’i lënë botës të kuptonte haptazi se kujt i mbajnë inat, dhe se për të mos u çliruar nga pesha e inatit dhe mllefit janë të gatshëm madje të bëjnë edhe një masakër urbane. Kurrsesi jo!

Të jetë vallë e qëllimshme?

Jemi në 2018-ën, dhe mendja nuk ka sesi të mos të të çojë tek ideja e qëllimshmërisë. Është 2018 pra, dhe është bëre e zakonshme e pazakonta, paradoksi dhe absurdi kanë marrë në dorë rendin normal të gjërave.

Një burrë i mençur shqiptar, një burrë emrin e të cilit mund ta gjeni në faqen e parë të kryveprave botërore të sjella në shqip, eruditi dhe përkthyesi i madh Petro Zheji pati thënë njëherë se, “e vërteta ndryshon, ikën, rrëzohet apo zëvendësohet nga të tjera të vërteta me kalimin e kohës, kurse paradokset jo, paradokset janë të vetmet të vërteta universale”.

Pra më këtë frazë, i madhi Petro Zheji na fton që të hulumtojmë për paradokse, sepse prapa tyre fshihen të vërteta të mëdha, universale.

Por çfarë dreq të vërtete universale mund të nxjerrim nga një shtyllë më mes të asfaltit?

Kohët janë të tilla, që prapambetja, teknologjia e lartë, inflacioni, korrupsioni, inteligjenca, komunikimi intensiv, bukuria, dëshira seksuale, varfëria etj., shkrihen të gjitha bashkë, dhe nuk është çudi që të gjenden të shpërndara te një grup i vogël individësh, për të mos thënë tek një individ i vetëm. (Bëje, O Zot, ëndërr!).

Me fjalë të tjera nuk është çudi që të dëgjojmë se dentisti më i mirë në Lezhë të jetë diplomuar në juridik.

Që mbledhësit e kanaçeve nëpër kazanët e mbeturinave të kenë kufje në vesh e të jenë duke folur në Messenger (me gjasë duke koordinuar punën me njëri tjetrin).

Që mësuesja të futet në klasë dhe të fillojë të ‘bëjë gjypnerë‘ se i kish mbetur tengeli i trikos pa përfunduar.

Që drejtori i OSHEE-së nuk të përgjigjet në telefon sepse nuk kishte karikim në bateri sepse ishte pa drita qysh mbrëmë.

Ka prap…

…por nuk duam të na vijë vdekja duke qeshur, të paktën jo sot!

E kështu dalim tek ajo që thoshte Petro Zheji, që shtylla në mes të asfaltit nuk është tjetër veçse një simbol i dukshëm, një momument po të doni, i një kategorie tjetër të madhe të ngjashme, të padukshme paradoksesh, që si një mantel i hollë e ka mbuluar qytetin me gjithç’ka brenda.

Është ky ‘Momument i Paradoksit’ që do na bëjë të famshëm, e do na sjellë vizitorë, e do na bëjë kaq shumë për të qeshur, sepse paradokset kanë gjithmonë diçka të papërputhshme në thelbin e tyre, e mospërputhja është diçka që lidhet ngushtësisht me humorin.

Është normale të na vijë shtysa të qeshim kur e shohim atë shtyllë, edhe pse ajo ndjell vdekje aty, por ngaqë thellë brenda vetes strehojmë atë shpresën e marrë se dikush do ta rregullojë përpara se të bëhet e keqja…

Por ajo ka një vit e gjysëm aty o burra…

Të jetë vallë e qëllimshme pra, të jetë kjo një ide e shkëlqyer për të tërhequr vëmendje? Për të marrë famë? Ashtu siç juristi heq dhëmbët, siç mësuesja spërdresh perin me shtiza, e siç hallexhinjtë koordinojnë kontrollin e kazanëve me Messenger?