Me ‘rrota përpjetë’ apo me ‘këmbë në tokë’, si është Bashkia Lezhë? Na e thotë Bilanci i 3-Mujorit…

Bashkia është institucioni që ka përgjegjësinë më të lartë për t’i siguruar qytetarëve të saj shërbime sa më cilësore dhe një mirëqenie të lartë.

Nëpërmjet hartimit të programeve buxhetore një bashki përcakton fushat prioritare të investimeve dhe kështu alokon burimet për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

Buxheti jo vetëm duhet të jetë i disponueshëm për publikun, por duhet të jetë gjithashtu i aksesueshëm dhe i hapur gjatë fazave të hartimit apo implementimit të tij.

Në një artikull krahasues të publikuar në Lezha News, shtjellohej buxheti i tremujori të parë të Bashkisë Lezhë, më pas, bëhej krahasimi i të njëjtit 3-mujor me vitin paraardhës, nuk është e nevojshme të kesh studiuar për financë për të kuptuar, pasi i hedh një lexim, se ‘thembra e Akilit’ me financat e bashkisë është pikërisht: mbledhja e të ardhurave.

Pra, cilindo ekonomist që të pyesni, parametri kryesor por jo i vetmi, i cili mat efiçiencën e një administrate është mbledhja e të ardhurave.

Duke mos dashur ta lodhim lexuesin me shifra dhe terma teknikë, po i shpalosim gjërat në një mënyrë disi më poetike:

Bashkia e ka syrin lart, por realiteti e pengon. Me këtë po kërkojmë të themi se bashkia planifikon shumë dhe mbledh pothuajse gjysmën e asaj që planifikon, pra këtu problemet mund të jenë dy: ose vështirësia për të mbledhur taksat ose tejfryrje e planifikimit.

Në seksionin e fundit të këtij artikulli do të gjeni krahasimin e dy periudhave, pra, Janar – Mars 2018 kundrejt Prill – Qershor 2018, nga ku edhe kuptohet qartazi dhe me ftohtësinë absolute të fakteve çfarë ka bërë bashkia në 3- muaj e dytë të 2018-ës.

Të Ardhurat

Evidenca e realizimit të planit të të ardhurave për tre – mujorin e dytë të vitit 2018, tregon se realizimi i planit të mbledhjes së të ardhurave për këtë periudhë ishte 48.9%, ose ndryshe nga 233.7 milion lekë të planifikuara, janë mbledhur 114.3 milion.

Sikurse tregohet edhe në grafikun 1, mbledhja e të ardhurave nga taksat në krahasim me planifikimin, është ajo që ka ndikuar negativisht në këtë performancë të mbledhjes së totalit të të ardhurave, ndërkohë që mbledhja e të ardhurave jo tatimore ka qenë më e lartë se planifikimi paraprak, konkretisht me një diferencë prej 8.3%.

Të ardhurat e planifikuara nga taksat për tre-mujorin e dytë të 2018 janë rreth 187 milion lekë, planifikim i cili është realizuar me 34.1%, duke arritur në vlerën 63.8 milion lekë. Duke qenë se të ardhurat nga taksat paraqesin edhe të ardhurat kryesore të Bashkisë Lezhë, një realizim në këto nivele është tepër i ulët për qëndrueshmërinë e mirëfunksionimit të bashkisë.

Realizimi jo i plotë i mbledhjes së këtyre të ardhurave do të thotë më pak shpenzime dhe plotësim i më pak nevojave të qytetarëve.

Ndërkohë, të ardhurat e planifikuara jotatimore, të ndara përkatësish në të ardhura nga tarifat vendore; të ardhura nga shitja e pronës dhe dhënies me qira; të ardhura nga institucionet e varësisë dhe në të ardhura të tjera, janë përafërsisht në masën 46.7 milion lekë gjithsej dhe janë realizuar 50.5 milion, thënë ndryshe një realizim i tejkaluar me 8.3%.

Të ardhura nga tarifat vendore janë realizuar në masën 44.9 milion lekë nga rreth 43 milion që ishin planifikuar, thënë ndryshe janë realizuar në masën 104.5%. Të ardhurat nga shitja e pronës dhe e dhënies me qira janë realizuar në masën 429 mijë lekë nga 1.3 milionë lekë të planifikuar, duke u realizuar në masën 33%.

Të ardhurat e tjera nga ana tjetër janë realizuar në masën 192.7%, thënë ndryshe, nga 0.9 milion lekë që ka qenë planifikimi, mbledhja e tyre është realizuar në masën 1.7 milion lekë. Edhe për të ardhurat nga institucionet e varësisë rezulton se realizimi i tyre ka qenë më i madh se planifikimi, konkretisht janë mbledhur rreth 3.5 milion lekë nga rreth 1.5 milion që ishin planifikuar, ose 133.3% më shumë.

Megjithatë, për shkak të peshës së ulët që zënë kategoritë e të ardhurave jotatimore në totalin e të ardhurave të Bashkisë Lezhë, realizimi i tyre mbi planifikimin nuk ka rol të konsiderueshëm në ngushtimin e hendekut ndërmjet planifikimit dhe realizimit faktik.

Shpenzimet

Analiza e detajuar plan / fakt e shpenzimeve për tre-mujorin e dytë të vitit 2018 tregon një realizim më të ulët të shpenzimeve se sa të të ardhurave. Në total realizimi i planit të shpenzimeve për këtë tre-mujor ishte 72.1%, thënë ndryshe, nga 280.2 milion lekë të planifikuara për t’u shpenzuar janë realizuar rreth 201.9 milion, ose rret 78.2 milion lekë më pak.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve faktike e zënë ato për pagesën e paaftësisë, në masën 28.6%. Këto shpenzime janë realizuar në masën 75.7%, duke u realizuar në vlerën 108.7 milion lekë nga 143.6 milion të planifikuara.

Bazuar në peshën që zënë kategoritë e shpenzimeve ndaj totalit të shpenzimeve faktike, pas kategorisë së shpenzimeve për pagesën e paaftësisë renditen ato për aparatin e bashkisë, me një peshë prej 19.6%. Këto shpenzime janë realizuar në masën 105.8%, thënë ndryshe, nga 70.4 milion lekë të planifikuara, janë shpenzuar 75.5 milion lekë.

Vihet re se peshë tjetër të konsiderueshmenë totalin e shpenzimeve faktike për këtë tre-mujor zënë edhe ato për sipërmarrjet dhe shërbimet publike krahasuar me zërat e tjerë të shpenzimeve, të cilat kapin masën 16.6%. Këto shpenzime janë realizuar në vlerën 63.2 milion lekë nga 62.9 milion lekë të planifikuara për t’u shpenzuar, thënë ndryshe në masën 100.8% të planit.

Performanca e tremujorit të dytë të 2018 në krahasim me tremujorin e parë të 2018

Të ardhurat e planifikuara të tre-mujorit të dytë të vitit 2018 janë më të larta se të ardhurat e planifikuara të tre-mujorit të parë të vitit 2018, sikurse mund të dallohet qartë edhe në grafikun 3. E njëjta gjë vlen edhe për totalin e të ardhurave faktike, megjithëse diferenca në terma absolutë ndërmjet dy periudhave nuk është aq e theksuar sa për atë të të ardhurave të planifikuara.

Në T1 2018 të ardhurat e planifikuara ishin 143.9 milion lekë, ndërsa në T2 2018 këto të ardhura ishin 233.7 milion lekë, ose rreth 1.6 herë më të larta se ato të T1 2018. Të ardhurat faktike në T1 2018 kanë rezultuar 51.7 milion lekë, ndërsa në T2 2018 në rreth 114.3 milion, ose rreth 2.2 herë më të larta.

Të ardhurat e planifikuara tatimore në T2 2018 kanë qenë më të larta se ato për në T1 2018. Edhe për ato faktike rezulton e e njëjta gjë. Në T1 2018 ishin planifikuar të mblidheshin rreth 132.8 milion lekë nga taksat, ndërsa në T2 2018 rreth 132.8 milion lekë.

Faktikisht në T1 2018 janë mbledhur rreth 37.5 milion lekë nga taksat, ndërsa në T2 2018 ishin planifikuar të mblidheshin rreth 187 milion lekë nga taksat, ndërkohë që janë mbledhur 63.8 milion lekë faktikisht.

Nga grafiku 4 shihet qartë se për të dyja periudhat e marra në shqyrtim, realizimi i mbledhjes së të ardhurave tatimore nuk ka qenë në përputhje me planin. Për tre-mujorin e dytë të 2018 hendeku ndërmjet planit dhe faktit për mbledhjen e të ardhurave tatimore ka rezultuar më i lartë në terma absolutë, por më i ulët në terma relativ në krahasim me tre- mujorin e parë të këtij viti.

Diferenca absolute ndërmjet planit dhe faktit për T2 2018 është 123.2 milion lekë, ndërsa ajo relative 65.9%. Ndërsa për T1 2018 diferencat absolute dhe relative ndërmjet planit dhe faktit llogariten 95.3 milion lekë dhe 71.8% përkatësisht.

Analiza e krahasimit të tre-mujorit të dytë me atë të tre-mujorit të parë të këtij viti është bërë edhe për shpenzimet. Rezulton se për T2 2018 shpenzimet e planifikuar janë më të ulëta se për T1 2018, ndërsa ato faktike më të larta.

Kështu hendeku ndërmjet planit dhe faktit të shpenzimeve totale për tre-mujorin e dytë të vitit 2018 rezulton më i ulët se për tre-mujorin e parë të këtij viti. Gjatë T2 2018 arritën të shpenzohen 82.7% e totalit të shpenzimeve të planifikuara, ndërsa gjatë T1 2018 kjo vlerë ka qenë më e ulët, konkretisht 75.7%.

Burimi i informacionit: Raporti i Tremujorit II, Bashkia Lezhë

Konkluzione:

Ashtu si për çdo bashki të vendit, problemi i mbledhjes së të ardhurave mbetet eminent, në rastin specifik të Lezhës, kemi edhe njëherë tjetër ashtu sikurse nga viti në vit, po ashtu edhe nga tremujori në tremujor një përmirësim të këtij treguesi, madje kësaj herë më i lartë, duket sikur bashkia e ka shtuar hovin në rrugën drejt efiçiencës, këto janë konkluzione që dalin nga ftohtësia e fakteve të dokumentuara dhe jo nga opinionet e shpërndara nëpër qoshet e rrjeteve sociale.

Në përfundim, për t’i dhënë një përgjigje titullit të artikullit, duke u bazuar në atë që u tha mësipër, përgjigja është sigurisht PO, Bashkia Lezhë është me këmbë në tokë e me duar në punë dhe se treguesi kyç i efiçiencës së këtij institucioni po ecën në një korsi të vetme, atë të rritjes së vazhdueshme.