Lezhë/ Hapen për herë të parë qendrat “Hapësira Zhvillimore” për fëmijët me aftësi ndryshe…

Lezhë, në dy shkolla hapen qendra “Hapësira zhvillimore” për femijët me aftësi ndryshe.

Ështe çelur per here te pare ne Lezhe qendra “Hapësira zhvillimore” brenda shkollave publike konkretisht në shkollën Gjergj Fishta dhe në shkollën “Marash Gjoni” të Rrilës.

Ne Ditën Ndërkombetare të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, World Vision ne bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë hapin hapësirat e para zhvillimore në dy shkolla, të Lezhës dhe atë të Korçës.

Drejtoresha e Programit per World Vision Albania, Artina Morava, tha se marreveshjet e mirekuptimit i hapin rruge funksionimit te ketij modeli inovativ zhvillimi per çdo femije, ne 15 shkolla te arsimit parauniversitar ne vend.

“45.4% e fëmijëve 2 deri në 17 vjeç në vendin tonë kanë një vështirësi të lehtë në një nga 12 fushat e funksionimit. Studimi kombëtar për prevalencën e aftësisë së kufizuar tek këta fëmijë, kryesisht të moshës 5-14 vjeç, tregoi nevojën e madhe për shërbime të intergruara.

Ndaj ne sot jemi shumë të lumur që ky model i parë po starton pikërisht në Korcë, e në të njëjtën kohe edhe në Lezhë dhe po punohet që të njëjtin model ta kenë 15 shkolla të arsimit parauniversitar.

Këto hapësira zhvillimore do të mund t’u vijnë në ndihmë rreth 9500 fëmijëve, mes të cilëve 151 janë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ne do të kemi sukses vetëm nëse do të kemi një bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, mësuesit ndihmës, prindërit, logopedët, psikologun, fiziotereapistët dhe të gjithë punonjësit e shërbimit psiko-social.

Kjo është sfida jonë e përbashkët në zbatimin e këtij modeli inovativ, i cili kërkon kualifikim të vazhdueshëm të profesionistëve dhe rritjen e numrit të tyre pranë institucioneve arsimore”- u shpreh Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, znj. Eljona Boçe Elmazi.

Hapësirat zhvillimore është një model inovativ i shërbimeve të integruara, i cili bazohet mbi nevojat e ndryshme në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve, e që nxit partneritetin mes shkollës dhe profesionistëve/ specialistëve për të ofruar shërbime të integruara psiko- sociale, zhvillimore, terapeutike brenda hapësirave shkollore me qëllim zhvillimin e fëmijëve dhe me fokus të veçantë të fëmijët me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu falë projektit të financuar nga Bashkimi Europian, “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri”, aktualisht 160 të rinj, që i përkasin grupmoshës 16 deri në 24 vjeç, nga Korça, Berati, Dibra dhe Lezha po trajnohen mbi diversitetin, gjithëpërfshirjen, vullnetarizmin.

Këta të rinj janë përzgjedhur për të zbatuar 8 mini-grante gjatë vitit 2019, duke zhvilluar në komunitetet ku ata jetojnë aktivitete psiko-sociale dhe ndërgjegjësuese në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara.