Kryeministri në Lezhë/”Çfarë u tha e çfarë u dëgjua!”… Rama nuk e nxorri sekretin!

Kryeministri i vendit mori pjesë në një takim me të rinjtë e FRESSH Lezhë ditën e sotme.

Ata që i kanë ndjekur zhvillimet e fundit të politikës lokale në Lezhë, e dinë se Partia Socialiste e Lezhës e ka rritur intensitetin e aktivitetit politik me synim përfshirjen e sa më shumë mbështetësve me misionin final për të fituar Bashkinë Lezhë.

Mirëpo siç jemi mësuar tashmë të kuptojmë nga mesazhet e Ramës se ai nuk është asnjëherë i paqëllimtë në atë që bën.

Çfarë pritej sot pra?

Z. Elson Frroku, kryetari i FRESSH Lezhë ishte i pari, që bëri një hapje të shkëlqyer dhe mjaft energjike të takimit të kësaj pasditeje në Lezhë, më vonë fjalën e morën anëtarët më të rinj të familjes socialiste, pastaj foli përfaqësuesja e qarkut dhe ministrja Znj. Lindita Nikolla, për të ardhur tek deputeti i Lezhës Z. Pjerin Ndreu.

Edhe pse kryetari i FRESSH po ashtu edhe Z. Ndreu e cekën në ligjëratën e tyre “përgjumjen” e administratës aktuale të Bashkisë, duke lënë të kuptohet se po mbajnë peng ndryshimin e munguar që Lezha pret dhe e meriton, dhe se bashkërëndimi i forcës rinore me Partinë Socialiste do t’ia shkulte rrënjët Bashkisë aktuale nëpërmjet fitores së 30 Qershorit.

Por, edhe pse nuk e dimë nëse duhet të çuditemi apo jo, kryeministri Rama as që ‘i ra atij krahu’, ai jo vetëm që nuk i zuri me gojë zgjedhjet lokale, ai madje ngurroi edhe të hidhte qoftë një akuzë të vetme ndaj kryetarit aktual të Bashkisë, (gjë që e ka pasur për hise të zakonshme në raste të mëparshme).

Rama u përzgjat, madje edhe rrezikoi të bëhej i mërzitshëm me përsëritjen e retorikës së tij, me koston që të shmangte me mjeshtëri atë që pritej prej tij, një fjalë pra, një shenjë a sinjal për t’i lënë socialistët të kuptonin kandidatin e tyre për garën e kreut të Bashkisë.

A është kjo një taktikë e Ramës për të rritur interesimin e elektoratit duke mos e shpallur kaq herët emrin e Ndreut për Bashkinë e Lezhës, apo thjeshtë është shumë herët për të folur për emra?

Apo për t’iu shmangur kësaj pyetje të vështirë duhet të themi se Rama ishte për tjetër punë sot në Lezhë, e jo për të prezantuar kandidatin.

Kjo mbetet për t’u zbuluar në vijim…