Kryebashkiaku Frrokaj thyen heshtjen për rrugën e Torovicës

Pak orë mëparë në faqen e tij zyrtare kryetari i Bashkisë Lezhë Z. Fran Frrokaj ka përshëndetur fillimin e punimeve për shtrimin e rrugës së Torovicës.

Frrokaj shprehet se kjo rrugë ka qënë edhe zotim i tij në fushatën e kaluar, e që nga zotim është kaluar në listën e prioriteve të bashkisë, në çdo vit të drejtimit të tij, dhe se protestat, përpjekjet, draftet e projektet që janë dorëzuar pranë Fondit të Zhvillimit dëshmojnë qartë përpjekjet e bashkisë në këtë drejtim.

Lexojeni të plotë deklaratën e Kryebashkiakut Frrokaj:

Përshëndes nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës nacionale të Torovicës.
Shtrimi i kësaj rruge nacionale ishte detyrim për të gjitha pushtetet, jo vetëm sot, por vjet, parvjet e më përpara, ndaj asfaltimi i saj, mbi të gjitha është meritë e banorëvë të cilët në asnjë moment nuk heshtën por kërkuan shtrimin e saj, njëherazi duke vuajtur pasojat e një segmenti që izoloi mijëra banorë për vite me radhë.

Protestat e banorëve përpara bashkisë, bllokimi i rrugës së Balldrenit ku unë kam qënë në mbështetjen Tuaj atë ditë së bashku më ish Prefektin Eduard Ndreca, protesta tjetër në Lezhë, ditën kur Rama vizitoi qytetin, kërkesat e njëpasnjëshme të Bashkisë Lezhë për rikonstruksionin e rrugës Balldre-Bend dhe rehabilitimin e qendrës së Torovicës, si dhe shtrimi i kësaj çeshtjeje direkt drejtuar Kryeministrit për këtë rrugë në darkën e Qeverisë shtruar në Shëngjin, janë vetëm disa nga ato momente që dëshmojnë rrugën e vështirë për këtë rrugë.

Të nderuar banorë të Torovicës, Malecajt, Kolajakajt, Shkamit të Kuq!

Mbi të gjitha, ndjej kënaqësi dhe vlerësoj realizimin e këtij financimi kaq të domosdoshëm të Qeverisë dhe që i jep një tjetër rëndësi Torovicës, një ndër zonat me fushën më pjellore në të gjithë Ultësirën Veriperëndimore.

Rruga e Torovicës ka qënë edhe premtim i imi, renditur si prioritet në të gjitha vitet që drejtoj bashkinë. Këtu sjell në vemendje zotimin tim, kur kam deklaruar në fushatën e vitit 2015 në qendër të zonës kur ju më votbesuat, se: ” Fran Frrokaj, nuk rikërkon votë tuajën nësë nuk bëhet rruga”.

Sot, kam kënaqësinë të shikoj kthimin në realitet të këtij investimi. Përpjekjet tona kanë qënë maksimale, qoftë me hartimin e projekteve të paraqitura pranë FSHZHV apo donatorëve të tjerë apo dhe me renditjen e prioriteteve të Bashkisë Lezhë, ku rruga e Torovicës ka qënë primare.

Financimi i rrugës me buxhet nga Qeveria e me burim të ardhurash edhe taksat e lezhjanëve, është një lajm i mirë për Ju, për Lezhën, për ne të gjithë.

Lezha dhe lezhjanët meritojnë më të mirën !

Faleminderit !