Ilir Meta.. president apo kryetar partie? – nga Edi Jaku

Shkrim nga Edi Jaku

Ilir Meta ka mbajtur gati të gjitha pozicionet më të larta shtetërore. Puna e tij e parë ka qënë ajo e deputetit, për të kaluar më pas ministër disa herë, zv.kryeministër dhe kryeministër gjithashtu.

Perveç se president ai i ka bërë të gjitha. Si president ai dështoi me sukses. Jo se ka shkëlqyer në pozicionet e tjera, por këtë rradhë ai bëri pikërisht të kundërtën e asaj që pritet nga një president.

Nga gardian i kushtetutës, u bë shkelës i saj.
Nga përfaqësues i unitetit të popullit, tregoi se ka ngelur një kryetar i rëndomtë partie.

Çfarë e shtyu presidentin në tentativë Meta, të ekpozohej kaq politikisht në lojën politike, duke bërë të vështirin për të firmosur dekretimin e Sandër Lleshit??

Ndërkohë që gjatë gjithë verës nuk kishte lënë mal pa ngjitur për të rritur sadopak kuotat e tij popullore, si duket kur ka zbritur me këmbë përtokë në realitetin politik të Tiranës ka vënë re që partia e tij familjare ka marrë rrokullimen tëposhtë.

Një vit opozitë, për t’u harruar ky i LSI-së. Pas eksodit masiv drejt PS të perfaqësuesve në nivele lokale, ka filluar eksodi i përfaqësuesve në nivel qëndror.

Një deputet tashmë zyrtarisht i bashkuar me PS dhe 5 a 6 që presin pas deres, duhet të kenë trazuar fort qetësinë e Metës.

Ai e din fort mirë se pa partinë e tij, ato tre vitet që i kanë ngelur në presidencë mund të kthehen në paradhomën e pensionit në rastin më të mirë ose në paradhomën e prokurorisë në rastin më të keq.

Me shum gjasa kjo e fundit ishte arsyeja kryesore që e bindi Meten e para 20 muajve të pranonte postin e presidentit. Mbyllja e hesapeve me drejtësine për një politikan të kapur me zë dhe figurë u bë më e rëndesishme se drejtimi dhe organizimi i partisë.

Fillimisht për këtë punë caktoi shërbyesin e tij besnik Petrit Vasili, të cilin e zevëndësoi brenda pak muajsh me gruan e tij Monika Kryemadhin.

Vazhdimi i historisë dihet fare mire: sot LSI në veçanti dhe opozita në përgjithësi po kalon krizën më të rëndë të lidershipit në gjithë historinë e saj.

Në vigjilje të zgjedhjeve lokale që janë te porta, koalicioni opozitar po kalon krizë të thellë komunikimi, çka rrezikon ta lerë me gisht në gojë dhe pa asnjë bashki LSI-në.

Nëse prej më shumë se një viti Kryemadhi ka parë nga Basha për t’i lëshuar ndonjë thele pushteti në nivel lokal, sot ka kuptuar qe Basha i ka punët keq për vete dhe ai vetë nga ana tij po shikon nga Rama për të marrë diçka në tavoline, të paktën sa për t’i mbyllur gojën kundershtarëve në parti.

Mirëpo në territorin e pazareve Basha ngelet një amator para Metës.

Firmosja e kreut te SHISH-it dhe dergimi i propozimit për kreun e KLSH-s në të njëjtën ditë që refuzoi dekretimin e Ministrit të ri të Brendshëm, ishte një ofertë e qartë i Metës për pazar me Ramën.

Meta parashikon që synimi i Ramës është mandati i tretë më shumë se një fitore spektakolare e zgjedhjeve lokale.

Kurse për Metën është jetike mbijetesa e LSI-së, mbajtja plot e arkës së partisë dhe mbajtja në punë e militantëve të vet.

Gjithashtu Meta president, me gjithë përpjekjet nuk po arrin ta pengojë reformën në drejtësi. Përkundrazi ai gjithnjë e më shumë po e sheh veten të rrethuar nga njërez të pastër (që nuk i shantazhon dot) në krye të institucioneve që kanë në dorë dosjen e tij penale.

Të gjitha kto e detyrojnë të vishet me pushtet dhe imunitet politik te partia dhe të braktisë përkohësisht petkun e presidentit.

Tek e fundit nuk është hera e parë që e bën. Në fushatën e qershorit të 2017 edhe pse i mandatuar si president ai doli në çdo tribunë politike duke bërë thirrje që të votohej LSI.

Ngelet të shohim nëse mazhoranca do ja falë përsëri një lajthitje të tillë..

Unë shpresoj që JO!!