Hoteli i Gjuetisë në Lezhë: Të fshehtat dhe kurthet e panjohura të tij!

Hyrja në Hotelin e Gjuetisë, që në hapat parë pasi kalon portën kryersore të ngjall ndjesinë e atyre çasteve të rralla kur njeriu ndihet i aftë t’i afrohet kuptimit të fshehtë të gjërave.

Ashtu si shumë qenie e sende lidheshin e çlidheshin shpesh në këtë botë, një pyll i vogël në Lezhë, konti Çiano, dhe fantazia e një arkitekti italian, u lidhën befas në atë ditë prilli, me një fije të padukshme, nga ato që mund të thurte vetëm misteri.

Ndërtimi nisi në tetor të po atij viti. Në fillim të 1940-ës, ndërtesa po dilte nga themelet. Ajo ngjante e ftohtë dhe mosafruese, një gërshetimi që për shumëkënd duket i pamundur edhe sot, gjysmë manastir, gjysmë kullë malësore shqiptare me vatër, e cila nuk do të kufizohej vetëm në biseda dramatike, apo kuvendime morti, konti Çiano dëshironte që të mos bëhej fjalë vetëm për një dhomë malësorësh shqiptarë, por për një sejour ku do të mblidheshin të ftuarit e zotit kont, domethënë, ajka e aristokracisë së përtejdetit…

Konti Çiano pra, ish-ministri i Jashtëm Italian, me ato fantazitë e tij të shfrenuara, të njohura mirë nga fqinjët përtejdetit, që luhateshin midis marrosjes dhe perversitetit, do të porosiste kështu ndërtimin e asaj që do të quhej “Gjuetina e Lezhës” pa e kuptuar aspak se me këtë tekë të çastit, ndoshta teksa orvatej përgjatë bregdetit të Lezhës me avionin e tij luftarak (nga kënaqësia e pushtimit të Shqipërisë), po shenjonte kështu fillesat e turizmit shqiptar.

Tani që lufta mbaroi, është koha për qejf, për femra, për seks, mbrëmje plot epsh… një nxitje e brëndshme mund ta ketë shtyrë atë që kësaj here gjërat t’i bënte më perverse e më të shthurura se kurrë mëparë, e për këtë, atëherë Roma, do të ishte shumë më pak e përtatshme sesa Lezha, kjo e fundit ishte perfekte për fantazinë e ministrit italian.

Në këtë pyllishte të vogël 3 km larg Lezhës konti kishte gjetur vendin e hatashëm ku do të mund t’i kënaqte të tria instiktet e tija njëherësh, atë të gjuetisë së kafshëve, të gjuetisë së politikanëve kundërshtarë, dhe gjuetinë e femrave.

Për shkak të përgatitjeve dhe luftimeve të atyre ditëve të prillit, Konti e ka ndjerë thellësisht mungesën e energjisë femërore, dhe nga mosdurimi për ta nxjerrë diku dëshirimin e tij, ka gjetur fantazinë si shteg për t’u shfryrë…

Një banesë me shumë dhoma fjetjeje, me darka me pishtarë, dhe miqtë që mbërrinin njëri pas tjetrit nga larg. Ai mund të ketë përfytyruar anën e djathtë të vitheve të lëmuara të ndonjë baroneshe, me surprizën fatale, një tatuazh të bërë enkas për të, një akrep me thumbin e ngritur përpjetë fiks për t’ia shtuar edhe më tepër egërsimin libidos së tij.

E nëse duam ta zbërthejmë enigmën e këtij vendi me ca sy që nuk u shpëton asgjë, ia vlen përpjekja për të hyrë në mendjen e atij arkitektit që me kaq inteligjencë arriti ta përkthente në diçka reale, të prekshme, e të dukshme atë mendim të patrajtë që pështjellohej në kokën e Çianos.

Kushdo të ketë qënë ai, një gjë është e sigurtë, ai ka qënë një depërtues i mirë në psikologjinë dhe në fshehtathellat e mendjes së Çianos.

Ky arkitekt jo vetëm që bëri projektin, por edhe mbikqyri punimet, i zgjodhi vetë gurët që do të gdhendeshin, gurë të vjetër, lakuriqësia e të cilëve dukej se ua shtonte nurin dhe heshtjen.

Dërrasat me të cilat do të visheshin muret, u nxorrën gjithashtu nga pyjet përreth. Zymtinë që gurët e nxirrnin kursyeshëm drurët e shpallnin më hapur, kjo dëshmon një ndërkuptim të brendshëm, të fshehtë midis mendjes së Çianos dhe zbërthimit arkitekturor të saj nga arkitekti.

Ai arkitekt e dinte se nuk kishte gjë më përndezëse se kundërtia midis gurëve të ftohtë zymtorë të një mjedisi dhe mëndafshit të të brendshmeve të grave, të ardhura nga larg për dashuri. Arkitekti ja kishte kuptuar këtë xanxë të fshehtë Çianos, dhe ndërsa shtirej sikur po e akullonte mjedisin, duke dhënë përshtypjen se gjithçka mund të kryhej këtu, veç dashurisë, në të vërtetë sajonte të kundërtën, vendin perfekt të dashurisë.

Shandanët i zgjodhi bakri e hekuri të rrahur, të cilët u ngjanin atyre bujtinave mesjetare nëpër udhë plot rrezik.

Si ndenjëse ai zgjodhi ato më të thjeshtat, ca si frona me shpinë, që malësorët shqiptarë i quanin “shkamb”, ngaqë më tepër se ndenjeseve iu ngjanin vërtetë gurëve të rastit, mbi të cilët shtegtari ulet për të pushuar. Prej mbulesave zgjodhi kryesisht ato me lesh deleje, që të dukej sikur vinin drejt e nga kohërat homerike.

Ajo që nuk i shqitet vëmendjes, nëse i shihni me vëmendje, është pikërisht zymtësia e qëllimtë e atyre druve të veshjes së mureve. Ata janë thelbi i gjithçkaje.

Arkitekti ka përdorur gjuhën e drurit dhe të gurit për thënë se këtu është një vend ku frika dhe kënaqësia fqinjërojnë harmonishëm ditë e natë.

Sa herë që një i ftuar të dëfrehej në ballo apo në gosti, kur të ngjitej lart tek dhoma e tij, ato dërrasa druri të errët do t’u kujtonin atyre se këtu keni ardhur për gjah, domethënë për të vrarë, ose për t’u vrarë, je thirrur në kurth, mos u hiqni sikur s’e dini!

Emri “Gjuetina e Lezhës” apo “Hoteli i Gjuetisë” nuk është rastësi apo gjetje e bukur fjalësh, është i qëllimshëm, dhe fjala “Gjueti” është thelbi i saj, sepse direkt prej saj rrjedh fjala “Kurth”, pra duke e patur të pamundur ta quanin Hoteli i Kurtheve vendosën të fshiheshin pas fjalës gjueti.

Kështu, në këtë vend, do të ndodhte disa herë përgjatë historisë së tij, që, të ftuarit për gjah, në të vërtetë të ishin vetë gjahu.

Konti Çiano do ta ftonte vetë Mussolinin për gjah, por në të vërtetë, plani ishte për eliminimin e tij, pra Mussolini do të ishte vetë gjahu.

Tradhëtia u kuptua. Çiano përfundoi keq.

Më pas, do të ishte vetë Mussolini ai që do të ftonte Adolf Hitlerin për gjueti në Lezhë, por edhe ky ishte një kurth, Hitleri po ftohej për gjah, por në fakt do të ishte vetë gjahu, ai nuk erdhi kurrë.

Tradhëtia ndoshta u kuptua. Mussolini përfundoi keq.

Më pas, Mehmet Shehu do ta ftonte shumë herë Enver Hoxhën për gjah, dhe disa gojë thonë se edhe ky ishte një kurth, Hoxha do të ishte vetë gjahu, do të eliminohej.

Tradhëtia ndoshta u kuptua. Mehmet Shehu përfundoi keq.

Zymtia e atyre druve ishte ndoshta ajo që i paralajmëronte të ftuarit se duhej t’i trembeshin diçkaje, duhej të ruheshin ndërsa hiqeshin sikur po bënin qejf, se një kurth mund të jetë duke u kurdisur.

Për shkak të kësaj historie unike, të kaq shumë nyjeve të lidhura në të, Hoteli i Gjuetisë ka marrë sot atë kumtin e vendit ku nuk mund të tradhtosh, sepse një ditë do të zbulohesh. Nuk mund të bësh gjah me njerëzit sepse përfundon duke u bërë preja e tyre. Tradhëtarët do të bien në kurthin e tyre. Në kurthin që ngrite për të tjerët do të biesh vetë.

Kjo pleksje karmike e gjërave që imiton ligjet e universit në këtë vend, nuk kishte sesi t’i shpëtonte as vëmendjes së kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare, i cili i kushtoi plot 50 faqe në veprën e tij Hotelit të Gjuetisë në Lezhë, vend i cili është edhe i përzgjedhuri i tij sa herë viziton Lezhën.

@Helena Kadare, “Kohë e Pamjaftueshme”

Për ata që e njohin simbolikën e këtij vendi, të ftosh dikë tek Hoteli i Gjuetisë, me fjalë të tjera je duke i thënë “se nuk do të ketë prerje të Besës, nuk do të ketë tradhëti midis nesh, as kurthe, as ftesa të pabesa”.

Ngarkesa e lartë me simbolikë e mban gjallë këtë vend, ku sot, në vend të shkurreve plot trishtim, aty gjendet një park i madh plot gjallërim, një oaz çlodhës për lezhjanët e për këdo tjetër, një vend për festime, për pakte, marrëveshje, për biseda shokësh, për celebrime familjare e miqësie.

Ndoshta arkitekti që e projektoi nuk e kishte përfytyruar kurrë transformimin përgjatë historisë të Gjuetinës së Lezhës, i cili, më shumë sesa me praninë e tij, ai na flet me mungesën e tij, sepse në fund të fundit, ai ndoshta e dinte që pasi të mbaronin të gjitha, në këtë vend do të festohej shumë, dhe ashtu sikur njeriu që e dorëzon dhuratën te pragu i derës dhe largohet me ngut, ashtu edhe vepra e tij i mbeti Lezhës si një urim i mbarë që thotë: E gëzofshi festën!

Hoteli i Gjuetisë Lezhë
Hoteli i Gjuetisë Lezhë
Hoteli i Gjuetisë Lezhë