“Gjenerata – Z’ nuk mundi të merrte pjesë, por na u lutën t’i falnim se nuk dinin gjë…

Brezi i të rinjve të sotëm në zhargonin modern të internetit quhen “Gjenerata – Z”, dhe ne patëm rastin t’i pyesim një grup prej tyre duke përdorur funksionin “question”“Instagram Stories”.

Pyetja ishte: Si e përfytyroni Eposin?

Dhe përgjigjja më përfaqësuese ishte: 

Eposin e përfytyroj si një gjësend të gjatë, midis dragoit dhe gjarprit, që rrin larg në ca male me dëborë.

Ata nuk mund t’i fajësojmë përse nuk i dinë këto gjëra, Gjenerata Z nuk mund të fajësohet për një gjë të tillë kurrsesi.

Ku mund të mësonin ata për Eposin dhe lidhjen e tij me Rapsodinë dhe Rapsodët Shqiptarë?

Nuk ta mëson asnjë shkollë. Kurse prindërit në shtëpi kanë shqetësime të tjera plot, mund edhe ta anashkalojnë shpjegimin e asaj se si dikush bëhet rapsod!

Mirëpo, duke u rritur, dalëngadalë ata që e kanë veshin e mprehtë fillojnë të kuptojnë, ndonëse jo fort qartë, se ç’është ky epos.

Herë në dasma, herë në valle, herë në Youtube, madje në shumë raste kur ecin rrugëve të Lezhës dëgjohen tingujt e baladave të gjata, të shoqëruara me një vegël muzikore që nxjerr një zë tejet të pikëllueshëm.

Ky është një zakon që vazhdon qysh prej shekujsh dhe që brezat nuk kanë guxuar ta braktisin apo ta ndryshojnë.

Ka diçka absolutisht të magjishme këtu!

Nuk ekziston një shkollë rapsodie, nuk ka pra një vend ku ti ulesh në bankë dhe të mësojnë të bëhesh rapsod, nuk ekziston Fakulteti i Rapsodisë.

E prapëseprapë brez pas brezi lindin rapsodët, krijohen, u vjen thirrja.

Thirrja e brendshme për t’u bërë rapsod nuk i lind kujtdo, ka diçka që e tejkalon të shpjegueshmen këtu.

Vendet e tjera të botës, qytete, shtete, apo provinca qofshin, e konsiderojnë fat të madh të kenë një epos të tyrin, pasi ai konsiderohet si një nga ato serviset e shtrenja, dhurata të dikurshme të sovranëve, që çdo brez i gjente për t’ia lënë brezit tjetër.

Shumë qytetërime kanë bërë përpjekje e rropatje nga më të pamendueshmet për të hartuar një epos të tyrin, duke thurur dhjetëra divane e vjersha nga poetët zyrtarë, mirëpo një epos si ai trojeve shqiptare s’këndohej dot.

Eposi është diçka që nuk dhurohet, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot.

Por…

Duket se për artin askush nuk është i interesuar, për traditen, folkun dhe etnosin, thjesht Lezhjanët kanë harruar se janë mbi 2000 vjecar.

Të paktën administrata e bashkisë e pati aq “buon sens” sa të shkonte për të ndjekur festivalin.

Në skenën e Pallatit të Kultures u ngjiten artiste nga disa treva, ishte Lezha ajo që hapi siparin e festivalit për të vijuar me pas Shkodren, Kurbinin, Hasin, Puken, Gramshin e për të vijuar me Kosoven.

Festivali Folkorik Kombëtar vijon edhe neser, e sigurisht do të jetë në konkurim edhe qyteti mikprites, Lezha, e ndoshta qytetaret do të presin ketë moment për të mbushur sallen gjë e cila do të tregontë se Lezhjanët e duan artin.

Pavarsisht spektatoreve jo të shumtë, festivali vijoi dhe në fakt duhet të vijoje të organizohet sërish në Lezhë.