Frrokajt i mbeti vetëm letra e fundit në dorë… por i mjaftoi për fituar ‘lojën’! Bashkia jep lajmin e mirë…

Pas kerkesave të vazhdueshme, qeveria shqiptare i është përgjigjur bashkisë dhe nevojës së 5 mijë banorëve të zonës. Asgjë tjetër s’i kish mbetur në dorë Bashkisë veçse të luante me kartën e lobimit, dhe mesa duket doli karta fituese!

Sigurisht që për banorët e zonës kjo tingëllon si një frazë e vjetër, aq shpesh e dëgjuar, dhe për instinkt tashmë nuk janë të prirur ta besojnë por në bazë të njoftimit që bëri nëpërmjet faqes së saj, Bashkia Lezhë pohon se:

Është përshpejtuar procedura e tenderimit për zgjidhjen e këtij problemi dhjetra vjeçar.

Financimi nga qeveria vjen në një kohë kur vetë bashkia e kishte renditur ndër projektet prioritare të saj, madje ajo renditej e dyta pas rrugës së Shengjinit në çdo listë prioritetesh që i dërgohej qeverisë.

Duket se më në fund kryebashkiaku Fran Frrokaj ka arritur të bindë qeverinë për realizimin e kësaj ndërhyrjeje duke siguruar financimin.

Rikujtojmë gjithashtu, se kryebashkiaku Frrokaj, ka kryer përpjekje të shumëfishta në këtë drejtim, prova për këtë na vjen nga kryeministri i vendit i cili kur erdhi në Janar të këtij viti në Lezhë, u prit me protestë nga banorët e Torovicës, dhe në mbledhjen që u organizua pak orë para “darkës së gabuar”, kryeministri Rama e “thumboi” Frrokajn duke i thënë se e kish organizuar vetë ai protestën e banorëve të Torovicës.

Duke qënë se aksi rrugor drejt Torovicës është një rrugë nacionale ajo ishte në varësi të Ministrisë së Transporteve, vetëm realizimi i projektit dhe lobimi kishin mbetur në dorë të bashkisë që tashmë e quan mision të përfunduar. Ka qënë vetë Bashkia e Lezhës që ka publikuar lajmin e mirë duke e ndarë atë me banorët e Torovicës.

Së shpejti do të nisin proçedurat për tenderim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për zbatimin e këtij projekti, i cili, bashkë me rrugën e Shëngjinit janë dy projektet infrastrukturore më të rëndësishme të paraqitura dhe kërkuara si prioritete të domosdoshme nga Bashkia Lezhë.

Bashkia e Lezhës beson se qeveria i është pergjigjur pozitivisht tashmë kërkesës së Bashkisë në emër të 5000 banorëve të Torovicës, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakajve, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë zonë.