Ekstazë në fund të Majit!/Ja çmimet e biletave për UNUM Festival tek Rana e Hedhun!

31 Maj deri me 3 Qershor te Rana e Hedhun zhvillohet UNUM Festival.

UNUM në latinisht do të thotë “NJË”, por kuptimi këtu nuk është për “1”-shin si numër apo si matje, jo një si i veçuar, apo i ndarë por NJË si i TËRË, pra idea këtu është tek bashkimi, shkrirja e të gjithave në NJË. (Become One)

Shëngjini është vendi perfekt ku ky festival ka kuptim, ku peizazhi dhe muzika vijnë sëbashku për të formuar një ëndërr magjike; me rrezet e diellit që e shtrijnë shkëlqimin në sipërfaqen e detit ndërkohë që poshtë këmbëve ndjen butësinë e rërës dhe flladi i butë i erës që zbret tek ti pas një përqafimi të ëmbël maje pishash.

Por përtej fjalëve të bukura, sa kushton bileta për UNUM Festival?

Kushton vetëm 139 euro. Katër ditë e katër netë, liridalje e lirihyrje e pakufizuar për vetëm 139 euro.

Një festival që premton shumë, dhe i konceptuar në mënyrë që 50 DeeJay me famë ndërkombëtare të shpërfaqin talentin e tyre në vendin më përrallor të rivierës shqiptare.

Një fluks i madh turistësh parashikohet ato ditë, mbi 8000 sipas një stime të përgjithshme, kështu që Shëngjini përveçse do të ndizet nga festivali do të bëhet edhe vatër e harbimit, harlisjes, shfrenimit dionisian, e kamasutrës, ekstazës, e zhurmës, e alkoolit, e pronarëve të hoteleve që ankohen për rubinetat e lëna hapur… e shumë e shumë të tjera!