Egli Dashi, drejtori që na nxorri 3 herë bllof… Nuk ra në kurthin tonë!

Porta hyrëse e maternitetit të Lezhës është prap ajo, e para 40 viteve, me ato tubat e lyer me të bardhë dhe njollat e ndryshkut të shpërdara nëpër trupin e saj ashtu sikurse zbardhimi i dëborës ndërpritet nga çarjet apo thyerjet e zeza të tokës kur ajo fillon të shkrijë.

Nëse kjo portë do të mund të fliste, me gjithë ato që ajo ka parë e dëgjuar do të kishte shumë për të na rrëfyer, por e vetmja dëshmi pra, me të cilën ajo mund të flasë e të na rrëfejë diçka janë “shenjat në trupin e saj”, gërvishtjet e ndonjë dore të kapur ankthshëm në të, aty lexohen shqelmat e ndonjërit që i lindi vajzë e që deri në çastin e fundit e priste djalë, aty shihen hartat e tjetërsimit të së bardhës në vanilje për shkak të mijëra e mijëra prekjeve të buta ashtu siç një nënë prek të porsalindurin e saj kur doktorët ia çojnë te koka e shtratit.

Kjo Portë e Bardhë, të cilën kalimtarët e përditshëm e shohin ashtu shpërfilltazi kur kalojnë përbri saj, edhe pse e vjetër, ajo qëndron aty anës rrugës tamam si një zonjë e rëndë fisnike, e cila të duket sikur të thotë, portë si unë nuk ka, e as nuk do shohësh, sepse unë, ndryshe nga çdo portë tjetër, i hap rrugën ardhjes… ardhjes së jetëve të reja.

Edhe pse kjo portë është kaq e ngarkuar me simbolikë, edhe pse ne e hapëm atë me shumë respekt, sikur të donin të shprehnim adhurimin ndaj diçkaje apo tempulli të shenjtë, sot nuk ishim aty për të, sot ishim aty për të shkuar te ajo godina në fund të rrugës, ajo godinë që i rri portës pas shpine tamam si një rojtare besnike.

Kjo godinë është FSDKSH.

Na kishin ardhur foto në redaksi për gjendjen e mjerueshme të pjesës së prapme të kësaj godine, ndaj ishim të sigurtë se do ta zinim ngusht drejtuesin e këtij institucioni.

Në hyrje na përshëndeti një zymti dhe një shkretani, një paradhomë e trishtë që dukej sikur kishte dymijë vjet që nuk e kapnin rrezet e diellit, aq e trishtë ishte pamja në hyrje saqë gazetarja asistente më tha: “këtu do të gjejmë zyrën e më të vrenjturit njeri të botës”.

Por kur ngjitëm shkallën e fundit të katit të dytë, mendimet tona të shkallës së parë u rrokullisën të gjitha përtokë andej nga erdhën.

Na erdhi zor që e paragjykuam pasi në këtë godinë kishte filluar një aksion i vërtetë punimesh, riparimesh, lyerje e meremetime. Në korridore mezi ishte i mundur kalimi për shkak të pajisjeve të nxjerra aty nga punimet brenda zyrave.

(1 me 0)

Duke lëvizur me kujdes që të mos bëheshim me pluhur ecëm paksa duke lexuar emërtimet e zyrave, dhe ja…

Drejtoria!

Gazetarja shoqëruese desh u rrëzua kur provoi bravën, pasi ajo e shtyu derën duke i dhënë trupit një inerci të ngjashme me atë që bën njeriu kur është i sigurtë se dera është e mbyllur.

Por dera ishte e hapur…

Përkundër të gjitha gjasave dhe bindjes sonë, drejtori gjendej në zyrë.

(2 me 0 për drejtorinë)

Pra, edhe pse i kishte të gjitha arsyet, për shkak të pozicionit, apo për shkak të punimeve në godinë, përkundër të gjitha gjasava pra, ky drejtues mund të ishte kudo në atë moment, perveçse në zyrën e tij, por në fakt, ai gjendej mu aty, në zyrën e tij, në krye të detyrës.

Shumë drejtues të tjerë mund të kishin përfituar nga një situatë e tillë për t’u zhdukur me ditë të tëra mes karkalecave në pjatat e shijshme të restorant Detarit në Shëngjin apo diku afër te Ara për të ndjerë flladin e energjisë rinore aty.

Z. Egli Dashi na priti në zyrën e tij me një buzëqeshje që kishte një si ngrohje të ngadaltë por të sigurtë, ngaqë ajo sa vinte gjithnjë e përzihej me sinqeritetin e fjalëve.

Pa e ditur se kush ishim, dhe pa na pyetur përse hymë pa trokitur, ai u ngrit nga karrigia e tij, na shtriu dorën dhe na ftoi të uleshim, gjithashtu edhe ai zuri vend tek kolltuku afër nesh, nuk u kthye te karrigia e tij e drejtorit.

Kur u prenzantuam, i thamë se ishim gazetarë, e qeshura e tij u përzie me interesim, e kjo na çuditi paksa sepse në raste të tjera kur drejtuesve u thoshim se ishim gazetarë vështrimi i tyre ngrysej dhe ulej në lartësi një metër nga toka, pikërisht aty në drejtim të brezit, ku rrinë duart, ndoshta nga ai instinkti për mbajtur nën kontroll çdo tentativë për “nxjerrje shpate”, (pozicion luftarak).

Ky institucion, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit ShëndetësorFSDKSH, që ka emrin e ngatërruar por detyrat të përpikta, edhe pse i strukur mes pemëve dhe i shmangur nga qendra vëmendjes ka në organikën e tij, jo 5, as 10 por plot 28 persona.

Ushtron kontrolle sistematike për respektime të kushteve higjieno-sanitare dhe respektimin e kuadrit ligjor në 29 farmaci, 21 qendra shëndetësore, 3 spitale, përfshirë këtu edhe Spitalin Rajonal të Lezhës.

Ky është institucioni ku duhet të denonconi rastet flagrante të shkeljes së ligjit, marrjes së rryshfetit apo sjelljes së rëndomtë kundrejt pacientëve nga ana e ndonjë mjeku apo mjekeje.

Ky është vendi pra ku duhet t’i denonconi ata, sepse është institucioni të cilit ligji i ka dhënë të drejtën që t’ia ‘shtrëngojë fytin me kordonin e stetoskopit’ çdo mjeku i cili abuzon me detyrën.

Z. Egli Dashi, një i diplomuar në perëndim, më saktë në Sh.B.A dhe me Master Shkencor në International Business Management, na ftoi që të sqarojmë për çdo qytetar se checkup-et janë falas dhe janë të sakta, ai na bën thirrje të sqarojmë se ajo ideja e krijuar nga klinikat private se checkup-et e shtetit janë të pasakta, kanë vetëm një synim, t’u marrin lekë njerëzve për një shërbim që shteti e ofron falas me po të njëjtën cilësi.

Të gjendur në vështirësi, ndërkohë që drejtori fliste, të zënë ngusht prej faktit se u nisëm me tjetër synim në zyrën e tij, edhe pse ai nuk e kuptonte, neve po na digjte gjithnjë edhe më fort disavantazhi i vizitës sonë aty.

Ndaj po kërkonin, një shkak, një send a gabim, diçka që nuk shkonte pra me këtë institucion që ta vinim me shpatulla pas murit.

Ndërkohë që ai shpjegonte procedurën për rinovimin e kartës së shëndetit, apo rimbursimin e barnave, me stil ia shkrepa syrin gazetares që më shoqeronte për t’i komunikuar asaj përdorimin e “armës sonë më vdekjeprurëse”: provokimin!

Ashtu si pa i kushtuar vëmendje e vendosa smartfonin tim në tavolinën e vogël midis meje dhe drejtorit, fiks në mënyrë që ai të mund të lexonte, po të donte, çdo mesazh që më dergohej mua, ndërkohë gazetarja dërgoi në Whatsapp-in tim këtë mesazh:

Sa i mirë ky drejtori, më vjen ta 😘

Unë vazhdoja të hiqesha sikur po vështroja dosjet e radhitura në raftin e zyrës, dhe shoqëruesja më ktheu shkrepjen e syrit, si për të më thënë që mesazhi u lexua nga ai.

Në vijim të bisedës, po hetonim se si çehra e tij do të ëmbëlsohej kur sytë e tij të takoheshin me sytë e gazetares…

…për befasinë tonë më të madhe, kjo nuk ndodhi. Nuk ra në kurthin tonë!

Vijoi të na shpjegonte se kishte pak muaj aty, ishte serioz, dhe nuk doli për asnjë moment nga pozicioni i tij, ai na tha ndër të tjera se në raportin e fundit të auditimit, asnjë dëm financiar nuk ishte kryer, shkelje jo e jo, dhe as masa administrative nuk ishin kërkuar ndaj askujt në përsonelin e tij.

Ne e dinim tashmë se rezultati ishte 3 me 0 për drejtorin, edhe pse ai nuk e dinte as që ishte në avantazh…

Kur po dilnim, teksa na shoqëronte, veshët na kapën frazën “dorë 5-katësh… një dorë 5-katësh”, me shumë mundësi bojaxhive u kishte ardhur ora e pushimit, ose pushim donin ta shpallnin vetë ata, gjithsesi ashtu sikurse lojtari që del para topit për gjuajtur penalltinë dhe i bën me shenjë portierit për t’i treguar kahjen e gjuajtjes, ashtu edhe ne e paralajmëruam drejtorin se nga do ta hante golin kur të ktheheshim herës tjetër.

Në dalje, magjia e asaj Portës së Bardhë të maternitetit na u prish, tani atë Portë të Bardhë mendja jonë e përftonte ndryshe…

… si portën që s’e kishim mbrojtur dot, e që kishim pësuar plot 3 gola.

Shënim***: I kërkojmë ndjesë lexuesit që u zgjatëm kaq shumë për të vlerësuar një drejtues të formuar në shkollat e perëndimit, një ekspert i manaxhmentit, një person që e respekton vendin e punës, dhe ushtron detyrën me integritet moral.

Mund t’i kishim rënë më shkurt, por ne u zgjatëm qëllimisht kaq shumë, sepse jemi të vetëdijshëm se drejtorë të tillë, për hir të së vërtetës, Lezha i ka me pikatore.

Nuk na mbetet tjetër veçse t’i urojmë suksese Z. Egli Dashi në ushtrimin e detyrës së tij, bashkë me paralajmërimin se herës tjetër nuk do ta ketë kaq të thjeshtë!