Dr. Zef Zefaj, “Mjeshtri i Madh” duart e të cilit lëvizin sipas një harmonie të epërme, e të sollën në jetë edhe ty!

Midis këshillave që u japin grave gjatë kohës së shtatzënisë është harmonia e lëvizjeve, shmangia e zhvendosjes brutale, e hedhjes, e kapërcimit, si dhe paqja shpirtërore, që lidhet, siç thonë mjekët, me shëndetin e fëmijës së ardhshëm.

Kjo ndoshta për shkakun mrekullues që ka lidhje me një bebe, sepse përgjatë nëntë muajve, midis ngjizjes dhe lindjes, pesha e tij rritet 3,000 milion herë. Marramendëse!

Që në momentin pas lindjes, kjo ardhje meteorike, ky zhvillim i vrullshëm biologjik pëson një rënie dramatike, nga lindja e deri në fund të vitit të dytë të jetës fëmija do jetë katërfishuar vetëm në madhësi.

Kjo mund t’u duket një rritje madhështore prindërve, por është hiçgjë krahasuar me zhvillimin e madh që ndodh në barkun e nënës.

Nuk është çudi pra që me gjithë këto ndryshime, paralel me to, të ecin edhe rreziqet për ndërlikime, zhvendosje, apo komplikacione të tjera që e vështirësojnë apo e rrezikojnë ardhjen e fëmijës në jetë.

Nuk është çudi pra të mendojmë se ndihma që i jepet nënës për të lindur fëmijën, të jetë një prej profesioneve më të vjetra të botës, i lashtë po aq sa njerëzimi vetë.

Bebja e vogël e mësuar në mjedisin parajsor të barkut të nënës, me ngrohtësinë, i rrethuar nga lëngu jetësor, duhet të shkëputet nga ajo botë për të ardhur te një tjetër, ku në vend të lëngut ka ajër dhe ajo ngrohtësia nuk është më e njëjtë si aty në bark.

Ky ndryshim i beftë i mjedisit biologjik nuk ka si të përjetohet ndryshe nga foshnja veçse si një shok. Një ndryshim drastik i menjëhershëm, shokues, një çast kritik në evolucionin e çdo qënieje njerëzore në të cilin janë të ngërthyera më shumë se kurrë, si jeta po ashtu edhe vdekja.

Gjatë një ndërhyrjeje

Është pikërisht ky çast kritik pra, kjo zonë e ndërmjetme, një astokëasqiell, asjetëasvdekje, asditëasnatë ku jeta e re dhe jeta e vjetër kanë miliona vite që përfyten.

Njëra krijon kurthe, ndërlikime, vështirësi e dhimbje me qëllim që ta mbajë beben aty për vete, kurse tjetra e dëshiron beben më shumë se askush tjetër për shkak të një qëllimi zanafillor: përtëritjen e njerëzimit.

E për të dalë fitimtare e denjë në këtë betejë, jetës i nevojitet më shumë se kurrë një aleat, një ndërhyrje e jashtme, i duhen një palë duar që lëvizin sipas një harmonie të epërme, për t’u gjendur aty, njëlloj si në kohë të mirë e si në të keqe.

Janë të paktë në Lezhë ata njerëz që nuk e dinë se duart që lëvizin sipas një harmonie të epërme janë duart e doktorit dhe aleatit të madh të jetës Z. Zef Zefaj.

Nxënësi që u bë mjek

I mbetur jetim që në moshën 4 vjeçare, pas humbjes së babait, ai nuk kishte shteg tjetër veçse të shkëlqente në çdogjë.

Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në Lezhë, duke qënë kështu pjesë e maturave të para të gjimnazit “Hydajet Lezha”.

Nëna e tij, Mrika, rrjedh nga një familje e njohur mjekësh popullor nga Bulgjeri i Rubikut, e ndoshta, kushtrimi i të parëve, ka shpërthyer në formën e pasionit brenda Dr. Zefit që në shkollë të mesme, pikërisht koha kur u ngjiz ëndrra për t’u bërë mjek.

Në periudhën e studimeve ai pati fatin e madh të kishte pedagogë emrat e mëdhenj të mjekësisë shqiptare, si Ilir Gjylbegu, Kujtim Spahivogli, Teuta Jovani, të cilët, rrënjosën thellë tek ai ndjenjën e dëshirës dhe dashurisë për profesionin si parakusht për t’u bërë i aftë e i zoti, për t’i shërbyer me devotshmëri popullit.

Zef Zefaj u diplomua shkëlqyer, u specializua në maternitetin e Tiranës, për t’u kthyer në vitin 1972 aty nga e nisi, në Lezhë, në shërbim të qytetit ku u rrit.

Mjeku që u bë institucion

Si shef i shërbimit obstetrik-gjinekologjik, Dr. Zef Zefaj, i cili u bindej vetëm ligjeve të dashurisë, përkushtimit e pasionit, i dha një vrull zhvillimit në këtë fushë të mjekësisë, nga 3 maternitet që kishte Lezha, u bënë 16, nga 8 mami e infermiere u bënë 88 në vitin 1975.

Kështu, nga 45 vdekje në 1000 lindje, ky tregues zbriti në 15 për 1000 lindje. Një sukses i jashtëzakonshëm për mjekësinë në rang kombëtar.

Pas kësaj, të gjithë i kthyen sytë nga Lezha, vendi ku gjendej shkolla e gjinekologjisë.

Edhe pse Dr. Zefi ishte i disponueshëm ditë e natë, në shi e në diell, punonte me vetmohim, prap se prapë, kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse iu desh të përballej edhe me burokratët e sistemit të atëhershëm, që pas tufëzimit të blegtorisë, grave shtatzëna filloi t’u mungonin përbërësit jetik ushqimore për zhvillimin e një shtatzënie normale.

Puna e gjinekologut të ri dha rezultate, nisën ndryshime të shpejta dhe funksionale.

Materniteti i Lezhës pësoi ndryshime madhore, nga një ambient me 4 dhoma, në një spital të mirëfilltë me mbi 60 krevate të sëmurësh, i cili në vitet 96 – 98, u mor në provim si spital “Mik i Fëmijëve” dhe e fitoi këtë titull si i 192 – ti në Europë dhe i pari në Shqipëri.

Afër përfudimit me sukses të ndërhyrjes

Materniteti i Lezhës sot mban pikërisht emrin e tij, “Zef Zefaj”, mban emrin e atij që punoi aq shumë për ta ngritur këtë institucion në nivel tejkombëtar.

Mban emrin e njeriut, që nuk hezitoi të ecte me orë të gjata nëpër zona të thella malore, për t’i shërbyer jetës njerëzore, e njeriut që ka ndihmuar nënat në qindra e qindra raste të sjellin në jetë fëmijët e tyre, jo në kushte spitalore, por në shtëpitë e tyre të shpërndara në skajet e rrethit të Lezhës.

Me dekret nr. 7216 i datës 4 Janar 2012, Presidenti i Republikës i akordon Zotit Zef Zefaj urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Thuhet se në korridoret e maternitet të Lezhës, janë dëgjuar shumë klithma e ofshama të ankthshme në kohën e pritjes, nga frika e ndërlikimeve apo makthi i humbjes së nënës bashkë me fëmijën të cilat mëpas, kur infermierja dilte dhe u thoshte frazën “i shpëtoi Zoti dhe Zefi”, transformoheshin në lot gëzimi, përfshirë edhe atë natë kur erdhi në jetë autori i këtyre radhëve.