“Do të kandidoj dhe do të fitoj!”, Fran Frrokaj ua qep gojën magjistricave!

Magjistarë e magjistrica të shpërndarë nga të katër anët e Lezhës, reale dhe virtuale, prej kohësh kanë predikuar mundësinë e një mos kandidimi të ardhshëm të Frrokajt.

Do vijë Aldo, do vijë Preçi, po bëhet gati Paulini… sa për të përmenduar disa!

Ja futën ktij, ja futën atij… ja bani ky, ja bani aj… sa për të përmendur disa të tjerë!

Mirëpo sot, orakujt e Delfit kanë vënë kujën, sepse profecia siç duket u bë pluhur…

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e qytetit të Lezhës kryebashkiaku aktual Z. Fran Frrokaj nuk e fsheh ambicjen e tij për të kandiduar edhe për një mandat katër vjeçar në Bashkinë e Lezhës.

Jo vetëm kaq!

“Do të kandidoj dhe ju siguroj që do të fitoj” është shprehur Frrokaj.

Ai ka folur gjithashtu edhe ndaj akuzave të ngritura ndaj tij për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Frrokaj i ka quajtur të pabaza akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa shprehet i bindur në pafajësi për këtë çështje.

“Jam i gatshëm ta vazhdoj këtë aksion për vetë faktin se të gjitha akuzat e bëra ndaj meje i kam konsideruar jo politike por banale fare. Unë besoj tek drejtësia, në lidhje me çështjen time.”

Proçesi gjyqësor nuk e pengon për të rikandiduar për një mandat të dytë.

Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018-të me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjykata ka vendosur pushimin e pjesshëm të hetimeve për çështjen dhe dosja ka shkuar për gjykim te një trupë tjetër gjykuese e gjykatës së Lezhës.

Një interpretim shtesë është i nevojshëm në kësisoj rastesh, duke patur gjithnjë në mendje faktin se këtu kemi të bëjmë me një premtim të dyfishtë:

“Do të kandidoj dhe do të fitoj!”

Ata që e njohin taktikën në të shprehur të zotit Frrokaj e dinë se kur ai bën premtime të dyfishta, është e sigurtë se më njërin prej tyre i ka kryer punët që në momentin kur e thotë.

Ajo çfarë mbetet për t’u zbuluar është se me cilën prej të dyjave i ka kryer punët:

Me pjesën e kandidaturës? Që do të thotë se e ka marrë bekimin e selisë blu…

Apo

Me pjesën e fitores? Që do të thotë se i ka të sakta matjet e veta…