Deputetët “katër sy e katër veshë” përballë Shoqatës Lezha

“Një mbret i një mbretërie të largët, lëshoi dekret mbretëror me anë të të cilit urdhëronte që çdo i moshuar i mbetur gjallë mbi 60 vjeç të ekzekutohej!

Ashtu u bë, urdhëri i mbretit u krye, dhe brenda ditës e gjithë mbretëria ishte çliruar prej pleqve.

Ditët kaluan… kaluan muajt, dhe rezervat ushqimore të mbretërisë po shkonin drejt fundit, një mbretëri tjetër fqinje kishte kërcënuar që do të sulmonte së shpejti, dhe se moti i keq nuk po favorizonte.

Në të gjithë mbretërinë nuk kishte mbetur asnjë që të njihte mirë stinën e të mbjellave, që të bënte diplomaci me mbretërinë fqinje dhe si të kurseheshin rezervat mbretërore.

Nuk zgjati shumë dhe kolapsi erdhi, por mbreti ia vuri gishtin kokës shumë vonë, kur kujtoi se me zhdukjen e të vjetërve kishte dekretuar fundin e tij!”

Shoqata ‘Lezha’, është ashtu siç e nënkupton edhe emri… një shoqatë, e cila për shkak të historisë dhe erërave të shumta politike që kanë fryrë në Lezhë gjatë tranzicionit, ka patur një rol që shkon përtej asaj të një shoqate të thjeshtë, ajo i ngjan më tepër “Këshillit të të Urtëve”.

Janë këto zonja e këta zotërinj të cilët frymën e parë e thithën në Lezhë, e frymën e fundit do ta lëshojnë po në Lezhë.

Këta zotërinj, posedojnë diçka të vyer, sepse ata ruajnë kujtesën kolektive të qytetit, historinë e qytetit, ata janë njerëzit të cilët e mbrojnë Lezhën nga mospërsëritja e gabimeve të së shkuarës.

Ashtu sikurse mbreti i drejtohej Këshillit të të Urtëve përpara çdo vendimi për sulm, ashtu siç djali shkon tek plaku i mençur i shtëpisë për t’i kërkuar këshillën përpara një vendimi të rëndësishëm, në të njëjtën mënyrë deputetët shkuan te ‘Shoqata Lezha’ për të dëgjuar dhe shprehur çështjet me peshë që ndikojnë jetët e gjithë Lezhës.

Z. Hydajet Pëllumbi, Z. Ylvi Paçrami, Z. Ismet Zusi, Z. Pëllumb Taka, janë vetëm disa prej anëtarëve të Shoqatës Lezha, kryetar i të cilës është Z. Afrim Dashi, të cilit, këtij të fundit, i kuptohen më shumë veprat sesa fjalët, një besnik i bindjeve të tij, një i majtë që në gjenezë, të cilin edhe demokratët me dashamirësi e quajnë “socialist 24 karatësh”, për të nënkuptuar kështu që vlerat shoqërore qëndrojnë më lart se llogaritë politike të ditës tek ky njeri, është pikërisht ky vullnet i hekurt për të mos ndryshuar qëndrim e as bindje për 20 e kusur vite, gjithnjë në mbështetje të së majtës, që e bën ndër të paktët persona ndoshta, i cili e ka dëshmuar me jetën e tij atë që e thotë fjala e urtë latine, “Nuk mund të vihet prapanica midis dy karrigeve”.

Ishte Z. Afrim Dashi pra, ai që bëri prezantimin dhe hapi punimet e takimit të Shoqatës Lezha me deputetët Nikolla dhe Ndreu.

Znj. Nikolla shprehu ndër të tjera falenderimet e saj për mbështetjen e dhënë gjithë këto vite dhe për herë të parë pranoi publikisht që Pjerin Ndreu është kandidatura e merituar për Bashkinë e Lezhës, i cili ka një plan të detajuar dhe një axhendë intensive për të trokitur në zemrën e çdo lezhjani. Në përmbyllje ajo paralajmëroi kundërshtarët për humbjen e thellë që i pret.

Më pas, fjalën e ka marrë deputeti Ndreu i cili rikthesoi edhe njëherë faktin se Lezha gjendet në një moment kritik të sajin, ku do të ishte fatale nëse Bashkia i ri-besohet edhe për 4 vite atij që nuk bëri asgjë në këto 4 vite, ai foli për 1200 punonjës që rezultojnë të punësuar në Bashkinë Lezhë, duke e krahasuar me Bashkinë Kamëz e cila ka 20 mijë banorë më shumë dhe 400 punëtorë bashkiakë më pak.

Më pas fjalën e kanë marrë pjesëbërës të tjerë të Shoqatës të cilët sollën në vëmendjen e deputetëve çështje të ndryshme, ndër të cilat edhe ajo e përpilimit të listës së Këshillave Bashkiakë, të cilët i kërkuan Ndreut të tregojë vëmendjen e duhur në këtë pikë.

Një tjetër emër me rol të veçantë në zhvillimet politike të Lezhës ishte Z. Gjok Jaku i cili përcolli vlerësimet e tij për thirrjen e takimit të kësaj shoqate, për numrin e jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve si dhe mbështetjen e tij të pakushtëzuar për Z. Ndreu në zgjedhje e 30 Qershorit.