Dekretimi i Ministrave/ Kushtetuesja, shkopi që iu kthye kokës mazhorancës socialiste… -nga Vladimir Kola

Efekti boomerang (bumerang) i mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese për Edi Ramën (shumicën socialiste).

Loja bumerang është pak e çuditshme, por interesante, sepse zakonisht në lojëra duhet të reagosh kundër goditjes së dikujt tjetër (futboll, volejboll, boks), ose të gjuash sa me larg (hedhja e shtizës), ose të marrësh në shenjë (qitje).

Ndërsa në bumerang ke një qëllim krejtësisht ndryshe, domethënë duhet të hedhësh në ajër një dru në formë L-je, duke pasur parasysh drejtimin dhe shpejtësinë e erës, në mënyrë që druri, pas ta hedhësh, të bëj një xhiro në ajër për disa metra në formë rrethi dhe pastaj të kthehet tek ti pa rënë në tokë.

Në një farë mënyre, edhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, po kthehet në një efekt bumerang, për shumicën socialiste.

Gjithsesi, përpara se të argumentoj këtë gjë më lejoni të flas për lindjen e kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese (në Shtetet e Bashkuara Gjykata Supreme) dhe konkretisht po u referohem Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke qenë se është Shteti me më eksperiencë në këtë çështje.

Rasti parë, i gjykimit si antikushtetues i një akti të Kongresit në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur në vitin 1803, me sentencën Marbury kundër Madison.

Origjina e kontrollit kushtetues në ShBA, lidhet nga një anë me traditën që kolonitë amerikane kishin marrë nga atdheu i tyre i mëparshëm, domethënë common law nga Anglia dhe nga ana tjetër nga fakti se Shtetet e Bashkuara krijuan një Kushtetutë të shkruar në një dokument të vetëm (edhe në ditët e sotme Mbretëria e Bashkuar nuk ka Kushtetutë të shkruar në një dokument të vetëm, por ka ca dokumente dhe praktika të cilat konsiderohen si kushtetuese).

Nga fillimi i gjykimit kushtetues nga Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara (1803), ka pasur shumë herë tensione mes Gjykatës dhe institucioneve politike domethënë Presidentit apo Kongresit.

Për shembull, në vitin 1832, në sentencën Worcester Georgia, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara gjykoi se i takonte Shtetit Federal (Qendror) që të rregullonte çështjen e tokave të popullsisë paraevropiane apo siç quhen Indianët e Amerikës, por Presidenti i asaj kohe Andrew Jackson, vendosi që të mos të dërgonte ushtrinë për aplikuar konkretisht vendimin e Gjykatës.

Ma kalimin e kohës, tensionet nuk kanë qenë të nivelit të dy rasteve që përmenda me sipër, por për shembull në 1937, për shkak të konfliktit me Gjykatën Supreme mbi ca ligje ne fushën sociale, presidenti Roosevelt propozoi që të ndryshonte përbërjen e Gjykatës Supreme, duke i dhënë atij mundësinë për të emëruar një gjykatës shtesë, kur një gjykatës kishte arritur moshën 70 vjeçe, por nuk kishte vendosur të dalë në pension, duke qenë së në ShBA gjykatësi i Gjykatës Supreme nuk ka një mandat të caktuar, domethënë mund të rrijë në detyrë deri në vdekje.

Gjithsesi, propozimi i presidentit Roosevelt për Gjykatën Supreme, nuk u miratua.

Duke kaluar nga rastet konkrete te teoria, konflikti apo tensioni mes Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve politike (Qeverisë, Parlamentit), sidomos në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, është i pritshëm dhe i kuptueshëm, sepse nëse Gjykata argumenton se një çështje hy në sferën kushtetuese, kjo do të thotë se çështja në fjalë nuk mund të ndryshohet thjesht nga shumica politike.

Prandaj, në këtë kuptim, për një shumicë politike, në tërësi nuk mund të shihet me sy të keq mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse në rrethana të tilla, do të thotë se mungon një institucion që, sipas mekanizmave që janë parashikuar në Kushtetutë, të gjykojë, mbi vendimet qe merren nga shumica politike, nëse janë apo jo kushtetuese. Si pasojë, shumica politike nuk ka nevojë të shqetësohet shumë që Gjykata Kushtetuese të kthehet sa më shpejt funksionale.

Mirëpo, konflikti mes Qeverisë dhe Presidentit mbi dekretimin e ministrave të propozuar nga Kryeministri ka prodhuar atë që quajta në fillim të këtij artikulli “efektin bumerang”, sepse në këtë rast mosfunksionimi ka ndikuar negativisht për shumicën politike.

Thënë ndryshe, në lidhje me dekretimin e ministrave, mosfunksionimi aktualisht i Gjykatës Kushtetuese, nga një anë i ka dhënë mundësi Presidentit që ta lërë çështjen pezull dhe nga ana tjetër Qeveria nuk ka mjete të tjera ligjore, veçse të presë që të shprehet Gjykata Kushtetuese kur të vihet në funksion si institucion.

Shënim: për rastet në ShBA që u përmendën më sipër, autori i artikullit ka konsultuar sitin e Enciklopedisë Britannica.