“Çudia në Lezhë!”/ Varrime në rrugë sepse s’ka hapësira!

Në mungesë të hapësirave për varre kane nisur të shfrytëzohen edhe rrugët.

Në varrezat publike të qytetit të Lezhës, pothuajse çdo hapësirë është zaptuar pasi sipërfaqja është ezauruar përtej kapacitetit.

Aktualisht varrezat kanë edhe varrë fallso apo gurë pa data, për shkak se dikush i frikësuar nga ideja se do mbetet pa varr, e ka zaptuar atë qysh herët në kohë, duke sjellë kështu një situatë skandaloze siç është hapja e varreve në rrugica.

Qytetarë që përkujtojne të afërmit e tyre shprehen se gjendja është skandaloze dhe se instancat përkatëse duhet të marrin masa të mënjehershme. Ata shprehen se është zëne çdo hapësirë madje edhe rrugët hyrëse, gjë kjo, aspak normale.

Bashkia Lezhe bën me dije se çëshja e varrezave publike po merr nje zgjidhje. Sipas nenkryetarit te Bashkise Enver Hafizi vonesa për zgjidhjen e këtij problemi ka qënë çështje burokracie e hipotekës pasi është dashur shkrirja e dy pasurive në një, ndërsa ka premtuar se brenda muajit të ardhshëm varrezat e reja do të vihen në funksion, duke e kaluar kështu topin në fushën e hipotekës.

Në këto kushte një sqarim mbi këtë ngërç burokratik duhet dhe pritet që të jepet një orë e mëparë nga drejtuesi i ZVRPP Lezhë, për të kuptuar nëse vërtetë njerëzit duhet ta shtyjnë orën e vdekjes deri në dekikun kur të zgjidhjet ngërçi i sipërpërmendur nga Z. Hafizi, apo nga ana e hipotekës nuk ka asnjë bllokim.

Rritja demografike e qytetit me 5 here më shumë pas viteve 90-të ka sjelle edhe rritje të kërkesës nga qytetaret e saj për të varrosur të afermit e tyre që ndahen nga jeta.