Bashkia Lezhë pritet në Besë për Festën e Beslidhjes!

Nëse shtatorja e Gjergj Kastriotit nuk do të vendoset në Lezhë brënda datës 2 mars, Kryetari i Bashkisë Z.Fran Frrokaj dhe strukturat e Bashkisë Lezhë me shumë gjasa nuk do t’i bashkohen aktivitetit të programuar nga qeveria në këtë datë.- komunikohet në faqen zyrtare të Bashkisë Lezhë.

Një tjetër krisje kjo midis Bashkisë dhe Ministrisë, një tjetër dasi midis dy institucioneve pikërisht për ditën ku festohet e kundërta e dasisë, 2 Marsi i Beslidhjes, i bashkimit.

Më kundërthënëse se kaq, situata nuk ka si të bëhet!

Nga njëra anë është Bashkia Lezhë e cila në mënyrë të përsëritur e kishte paralajmëruar vendosjen e shtatores me 2 Mars, ndjehet e prerë në besë nga Ministria e Kulturës, pasi tingëllon absurde kur gjithçka është gati për vendosjen e shtatores dhe ministria e mban peng lejen për vendosjen e saj.

Nga ana tjetër është Ministria e Kulturës, e cila ndoshta, duke e kuptuar mjaft mirë ngarkesën e lartë simbolike, pasi bëhet fjalë për shtatoren e figurës më të shquar të kombit, të mos ia lërë këtë privilegj Frrokajt, që të skalitet në historinë dhe në kujtesën kolektive të qytetit si vendosësi i shtatores së parë të heroit kombëtar në sheshin kryesor të Lezhës.

Kjo dykreni institucionale bën që çdo gjë të ecë në kahje të kundërt me arsyen për të cilën ekziston kjo festë, dita kur para 6 shekujsh, disa burra u mblodhën dhe vendosën të shihnin përtej kundërshtive të ditës, dita historike e kombit kur shqiptarët vendosën të mos ishin kundër shqiptarëve.

Por nesër, me 2 Mars 2019, pas kaq shekujsh nga dita kur Princat lidhën Besën, nesër pra, stër-stër-stër… nipërit e tyre do të jenë në mosmarrëveshje dhe akti i para shumëshekujve nuk do të mjaftojë që t’i përbashkojë, sërish pra, për shkak të mbrapshtisë më të madhe që prodhon historia, e cila synon të përsëritet, shqiptarët do të jenë kundër shqiptarëve, dhe nesër do të festojnë Ditën e Mosbesëlidhjes!

Tensionimi, hidhërimi, vramendja dhe mllefi lexohen qartë në deklaratën e Bashkisë, e cila, e ndikuar nga dehashpirti vetasgjësues i aksionit opozitar të kohëve të fundit, shprehet në formën kushtore:

Nëse nuk na jepni lejen për të vendosur shtatoren me 2 Mars, nuk marrim pjesë në festë!

Por simbolet e kombit tonë, që aq shumë përgjatë historisë na i kanë futur kthetrat për të na i marrë, janë simbole dinamike, që do të thotë se janë simbole lëvizëse, që rrotullohen, që kanë dy kahje, dhe pikërisht prej kësaj përshtatjeje të dyfishtë të sjellin në mendje aftësinë e tyre për t’u përshtatur edhe atëherë kur gjërat ecin mbrapsht.

Kështu pra, muzika e himnit, tingulli kryesor i shtetit, që përdoret si në festa, si në zi, si në hidhërim, si në gëzim, ashtu sikurse flatrat e shqiponjës i shkojnë haresë, po aq sa ngjyra e zezë i shkon zisë, nesër në Lezhë, me 2 Mars 2019, ai tingull do të përftohet si mortor, dhe shqiponja si pikëllim i zi me rastin e vdekjes së marrëveshjes midis shqiptarëve dhe besës midis tyre.

E meqënëse ne shqiptarëve na ka hyrë dreqi në mes, lëvizja e kundërt e simboleve do të marrë me vete edhe fjalët e himnit, pra do te kemi një kundërhimn, nesër do të jetë koha për lexim satanik të himnit shqiptar:

Se Djalli vetë e tha me gojë

Se kombet s’shuhen përmbi dhè.

Por Shqipëria s’do të rrojë

Sepse atë s’e duam ne.

Do të jetë padyshim, i rëndë dhe i padurueshëm ky lexim, i frikshëm e që ta bën mendjen dhallë, por…

…lëvizja mbrapsht e simboleve s’do të mbarojë me kaq, do të marrë me vete edhe heroin, i cili nuk do të jetë hipur kryelartë në kalë, por do të ketë zbritur me këmbë përdhe, në pritje derikur bijtë e tij të merren vesh, dhe këtu nuk është fjala vetëm për bashkinë dhe ministrinë!

Shtatorja e Heroit Kombëtar në pritje të shqiptarëve për t’u marrë vesh me njëri tjetrin.