“As falas as me lekë”/ Spitali i Lezhës ‘kremton’ plot 1 vit pa mamografi, ja përgjigjja spektakolare e Drejtorisë…

Pacientet të cilat duan që të kryejnë mamografi, pasi aparatura e mamografisë qëndron në magazinë jashtë gjendjes funksionale e në mungesë të saj, gratë dhe vajzat e Lezhës janë të detyruara që t’i drejtohen qytetit të Shkodrës dhe Tiranës për të kryer këtë ekzaminim të nevojshëm.

Sipas mjekes onkologe Dr. Bardha Gjoni, kjo aparaturë është shumë e domosdoshme dhe se gjatë muajit Tetor ka dyndje të grave dhe vajzave që duan të kryejnë diagnostikimin, por që në mungesë të aparaturës gjithçka bëhet edhe më e vështirë.

“Mamografia është ekzaminim bazë që kryhet në përcaktimin e sëmundjes së kancerit të gjirit te grupmoshat mbi 40 vjeç. Mamografia në Lezhë, në strukturë publike akoma nuk është arritur të kryhet, megjithëse aparatura e mamagrafisë prej një viti ka ardhur në spitalin e Lezhës, por akoma nuk është arritur të vihet në punë. Kjo për shkak sepse nevojitet një buxhet shtesë, i cili i tejkalon mundësitë e spitalit për ta përballuar.”, shprehet doktoresha Gjoni.

Për më tepër, ndiqni materialin filmik të realizuar nga Televizioni Lezha:

Pavarësisht sesa herë mund të jetë thënë në media që gratë mund të kryejnë ekzaminime mamografike falas, në Lezhë si në të shumtën e herëve, ndodh ajo që nuk ndodh askund tjetër, pra, nuk ka ekzaminime as falas, as pa-falas.

Ndërkohë, Drejtoria e Spitalit Lezhë bën me dije se është në pritje që problemi të zgjidhet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi aparatura ka defekt që në momentin kur ajo i është dhuruar spitalit, dhe këtu vijmë në kushtet e zakonshme të ping-pongut institucional sa herë që duhet të japin llogari përpara qytetarëve.

Pra, për ta përmbledhur, aparatura ka një vit që është aty por po pritet që Ministria e Shëndetësisë ta rregullojë sepse u ka dalë dhurata me defekt…