Shkolla e Ishullit rikthehet me faqen e ndritur të saj, do bëhet “fringo e re”!

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ishull Lezhë” do të rikthehet në origjinën për të cilën është krijuar, do të bëhet pra, edhe njëherë, shkollë; pasi u bënë shumë kohë që vetëm shkollë s’mund të quhej.

Ishte degraduar në një vend e pamje ku shprehja “Dritë e diturisë përpara do na shpjerë” të përftohej në mendje me të kundërtën e saj, “Terr i paditurisë prapa do na shpjerë”…

Nuk mund të ketë lajm më të mirë për familjet dhe nxënësit aktual e të ardhshëm të kësaj zone.

50% e fondeve janë lëvruar nga Ministria e Arsimit dhe gjysma tjetër nga fondi i Bashkisë Lezhë.

Lajmin e ka bërë të ditur zv. kryetarja e Bashkisë Lezhë, Znj. Alfrida Marku, e cila shkruan në faqen e saj zyrtare:

Një lajm i shkëlqyer për banorët e Ishull Lezhës, Njësia Administrative Shëngjin. Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ishull Lezhë” do të rikonstruktohet plotësisht si dhe do të ndërtohet palestra në shërbim të nxënësve që frekuetojnë këtë shkollë, prej klasës së parë e deri në të 12-ën.

Bashkia Lezhë, bashkëfinancuese në shumën 40 585 000 lekë, 50% e vlerës totale, rikonstruksionin e kësaj shkolle e ka renditur si prioritet absolut në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

Për 421 nxënësit e kësaj shkolle dhe 59 fëmijët e kopështit, krijimi i kushteve bashkekohore infrastrukturore, është obligim për pushtetet, qëndror dhe vendor. Baza janë taksat e lezhjanëve. Diferenca është te menaxhimi, mirëmenaxhimi dhe shpërndarja e drejtë e zërave buxhetor.

Bashkia lezhë është bashkëfinancuese në masën 50%, në buxhetin total prej 81.170.727 lekë për realizimin e këtij projekti të miratuar së fundmi nga Ministria e Arsimit.