Mbyllja e bizneseve, Basha dhe Ahmetaj replikojnë në distancë

“Këto janë regjistrat e bizneseve, janë krijuar të reja 14 mijë 929 biznese. Janë çregjistruar në normalitet ekonomik 5.572, neto janar-shtator 9357 biznese të reja dhe besoj se do të shkojë në neto të paktën 12 mijë”.

Një ditë pas deklaratës së bërë nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ka reaguar kreu i opozitës.

Me një videomesazh në rrjete sociale Lulzim Basha shprehet se është dyfishuar numri i bizneseve të mbyllura.

Sipas Bashës vetëm në shtator janë mbyllur 1978 biznese nga 838 që u mbyllën një vit më parë.

“1978 biznese u mbyllën në shtator. Dyfish më shumë se vjet! Me Ramën, krimi dhe oligarkët pasurohen, bizneset e ndershme falimentojnë”.

Sipas të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon çdo ditë në faqen zyrtare mbi bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv, prej fillimit të vitit, deri në shtator, numri i bizneseve të pezulluara është 11,292, në krahasim me 6,969 biznese që janë pezulluar një vit më parë, me rritje prej 62% në krahasim me janar-shtator 2017.