Deputeti Ndreu paralajmëron epokën e re për Spitalin e Lezhës

Deputeti i Lezhës Z. Pjerin Ndreu ka publikuar në faqen zyrtare shifrat dhe pamjet e projektit të ri të Spitalit të Lezhës, që pas investimit do të konturohet si një kompleks spitalor.

Përpara se të hyjmë në detajet e projektit duhet të sjellim në kujtesën e lexuesit se pak javë mëparë ishte po përsëri Z. Ndreu i cili paralajmëroi investimin 3,65 miliardë për Lezhën, investim ky që pasi u postua mori një lumë komentesh të nxituara në të cilat spikaste termi “projekte 3D, se për Lezhën asgjë!”, nuk vonoi shumë dhe u rikonfirmua nga kryeministri i vendit me vulë e me firmë.

Paralajmërimi për ndryshimin e realitetit në Spitalin e Lezhës është i ngjashëm, pra sinkronia është kjo: a) paralajmërohet nga deputeti dhe b) konfirmohet nga kryeministri.

Mesazhi që deputeti Ndreu kërkon të përcjellë me këto paralajmërime që dalin të vërteta njëra pas tjetrës është ky:

Se ai nuk është një deputet sa për karton në atë parlament, por është personi që ia del të tërheqë fonde nga Tirana drejt Lezhës, falë përvojës së tij në politikë, dhe influencës brenda PS, dhe në komisionet parlamentare.

Javët e fundit Ndreu nuk ka lënë fshat, lagje e as zonë pa bërë takime, i shtyrë tamam nga instinkti policor, ai ka bërë një krehje elektorale në të gjithë Lezhën, me anëtarë të strukturave të PS, me të bindurit e me të pabindurit, me të lëkundurit e me të palëkundurit, me gjysmë-të-lëkundurit dhe gjysmë-të-palëkundurit, me ata që e shohin gotën gjysëm plot e me ata që e shohin gjysëm bosh, ashtu siç nuk mbahet mend ndonjëherë në historinë e PS-së Lezhës kjo imtësi veprimi në terren.

Rikthehemi te Drejtoria e Spitalit Rajonal Lezhë e cila ka hapur procedurën e tenderimit për rikonstruksionin e spitalit dhe ndërtimin e maternitetit të ri në Lezhë. Fondi limit është 294.7 milion lekë dhe tenderi parashikohet të mbyllet me datën 11 prill 2019.

Referuar dokumenteve të tenderit, projekti parashikon rikonstruksionin e poliklinikës, godinës kryesore të spitalit dhe ndërtimin e një godine të re që do të shërbejë si maternitet.

POLIKLINIKA

Godina e poliklinikës

Ndërhyrjet në godinën e poliklinikës do të jenë pjesore. Ato konsistojnë në riparimin e fasadës kryesore, dyerve dhe dritareve të brendshme dhe të jashtme, nyjet higjeno-sanitare, tavanet, si dhe shtresat e tarracës. Është menduar që në Godinën e Poliklinikës të shtohet dhe një ashensor i jashtëm i cili do të bëjë lidhjen vertikale të godinës katër kate.

GODINA KRYESORE E SPITALIT

Referuar dokumenteve të tenderit, nga pikëpamja arkitektonike përmirësimi në Godinën Kryesore Spitalore, ka të bëjë me disa ndërhyrje të shpërhapura si; prishje në shkallë të vogël, përmirësim të daljeve të emergjencës, përmirësim të elementëve ndarës të brendshëm, lyerje të brendshme dhe të jashtme, riparim të shtresave të mureve, shtresave të dyshemeve dhe tavaneve të varur, riparim të ambienteve sanitare, hidroizolim të ambienteve sanitare, parashikim pandusesh, vendosje ashensorësh, drenazhim te themelit për të evituar lagështinë në objekt, etj.

Fasada e strukturës ekzistuese do të jenë me mur të suvatuar e te lyer me bojë në anën e brendshme , në anën e jashtme me një shtresë izolimi termik prej 10 cm ; fasada do të kete një rifiniturë me suva me ngjyra të ndryshme .

Funksionet në Godinën ekzistuese nuk do të ndryshojnë. Aktualisht pavijoni ekzistues i infektivit ka një kapacitet prej 20 shtretërish. Në rikonstruksionin e godinës kryesore të spitalit, ky pavijon do të shtohet me një sipërfaqe të re prej 124.8m², me kapacitet 10 shtretër.

MATERNITETI I RI

Shërbimi i obstetrikës dhe gjinekologjisë aktualisht është i vendosur larg kompleksit spitalor dhe për shumë prej shërbimeve që jepen aty ka kosto të larta të shpenzimeve spitalore (ngrohja, konsultat, ushqimi, reanimacioni) si dhe vështirëson funksionimin normal të procesit mjekësor. “Degradimi i godinës aktuale të maternitetit si dhe faktorët e lartpërmendur, sollën propozimin e ndërtimit të një godine të re me parametra bashkëkohore dhe kushte teknike optimale për funksionimin e saj” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Godina e re e maternitetit parashikohet të ndërtohet brenda kompleksit spitalor të Lezhës.

Materniteti i Ri

Në godinën e re parashikohen të sistemohen shërbimet e Obstetike-Gjinekologjisë, Neonatologjisë, blloku i lindjeve si dhe konsultori i gruas. Godina e re do të jetë 4 kat mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Transferimi i funksioneve të godinës së maternitetit do të bëhet me përfundimin e godinës së re.