Dedë Frroku nderohet me titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”

Në 70 – vjetorin e tij, Z.Dedë Frroku, nderohet me titullin “Nderi i Qarkut Lezhë “

Evidentimi, nominimi, vlerësimi e promovimi i figurave, përsonaliteteve të spikatur dhe i qytetarëve me vlerat më të larta njerëzore, që i kanë shërbyer apo vazhdojnë t’i shërbejnë qarkut të Lezhës në fusha të ndryshme, për Trupën vendimarrëse të Këshillit të Qarkut Lezhë dhe Kryetarin, Z. Gjok Ndoka, është një nderim, falenderim e mirënjohje për meritat, sakrificat e kontributin e tyre, por dhe si frymëzim për gjeneraten e re, e udhërrefyes për qytetaret tanë, i tillë vjen vendimi i akorduar në 70- vjetorin e lindjes për Mjeshtrin e madh e të talentuar, njeriun e përkushtuar të punës, qytetarin fisnik, biznesmenin e sukseshëm, njeriun e thjeshtë e me zemër të madhe, Z. Dedë Frroku.

Në ceremonine e organizuar morën pjesë autoritetet më të larta të Qarkut Lezhë, miq, bashkënxënës të gjimnazit e shokë të fëmijërisë të Dedës, anëtarë të Këshillit të Qarkut Lezhë, sipërmarrës lezhjanë, etj.

Mbi jetën e veprimtarinë e Dedë Frrokut, fjalën e mbajti, zv/Kryetari i Këshillit të Qarkut, Z. Agostin Marku, ndër të tjera, falenderoi Zotin Dedë për gjithë kontributin e dhënë ndër vite, për qytetin e Lezhës e për qarkun e Lezhës, theksoi se, promovimi i individëve e profesionistëve të sukseshëm e pasionante për punën si Dedë Frroku, shërbejnë si modele inspiruese për nxitjen e dëshirës e zellit për punën në sytë e të rinjve lezhjanë.

Kryetari i Qarkut Lezhë i dorëzoi, zotit Dedë Frroku, Titullin “Nderi Qarkut Lezhe” me motivacionin “Për kontribut të veçantë si mjeshtër i madh i punës dhe promovues i tradites dhe vlerave qytetarë në qytetin e Lezhës”.

Zoti Ndoka vlerësoi kontributin e vlerat e Zotit Frroku e theksoi se: “Këshilli i Qarkut Lezhë, vazhdimisht në politikat e tij për zhvillim ka adresuar, nevojën për të nxitur arsimin profesional dhe zanatet sepse akoma kemi fatin të kemi mes nesh profesionistë e specialistë të talentuar si Dede Frroku që mund të trasmetojnë tek brezat e rinj “sekretet e profesionit” por dhe dashurinë për punën, duke integruar më së miri komponentet teorike me ato praktike , duke krijuar kështu një “Forcë pune e mirë-trajnuar lezhjane” që do të thotë sukses i padiskutueshëm ekonomik e social për qarkun Lezhë.

Në fjalën e tij, ish-deputeti Viktor Tushaj, çmoi qytetarin fisnik, me shpirt altruist Dedë Frroku, pionierin e shërbimit të mjeteve motorike në qarkun e Lezhës, që ndërtoi një marrëdhënie të shkëlqyer me qytetin e qytetaret, theksoi se:”.. , pjedestali i lartë i vlerave të Qarkut Lezhe, nuk do te ndjehej mirë pa Dedë Frrokun, duke i uruar jetë të gjatë, zoti Tushaj vazhdoi: “ ky titull do ta jetë edhe si një ogur i mirë për ta motivuar akoma më shumë Dedën për vazhduar promovimin e vlerave njerëzore e eksperiencën profesionale të tij.

Kryebashkiaku i Lezhës, Z. Fran Frrokaj ndër të tjera në fjalën e tij theksoi se: “Jam i nderuar që jam Kryetari i Bashkise që ka një qytetar si Dedë Frroku”, më tej vazhdoi: ”sa e sa plejada mekanikësh, teknikësh por dhe inxhinierësh, suksesin e tyre në punë e kanë të lidhur me fillimet e tyre pranë Mjeshtrit të madh, Dedë Frroku i cili shpesh falë punës, pasionit e përkushtimit me zgjidhjet e tij teknike, novatore ka befasuar edhe inxhinieret më të mirë. Njerëz të mëdhenj të punës, e sipërmarrës të sukseshëm si Deda, ngrejnë lart vlerat e qytetit e tone”.

Në këtë takim e morën fjalën edhe Kryetari i Këshillit të Bashkisë Lezhë Z. Gjidodaj, sipërmarrësi i sukseshëm, Z. Zef Shtjefni, Z. Jak Gjini, etj.

Edhe Z. Dedë Frroku në emër të tij, të bashkëshortes Mara dhe familjes, falenderoi Këshillin e Qarkut Lezhë, Kryetarin Zotin Gjok Ndoka, për nderimin për titullin e dhënë si dhe shprehu mirënjohjen e respektin për Autoritetet Vendore si dhe miqtë për pjesëmarrjen, fjalët e urimet e ngrohta.

E ndërsa Dedë Frroku, megjithëse vitet kalojnë, vazhdon të punojë me plot pasion, duke përcjellë tek brezat e rinj eksperiencen e tij.

Ceremonia vazhdoi me biseda e kujtime gjatë kokteil-it dhe drekës festive të organizuar nga familja e Dedë Frrokut.