Posta e Lezhës ndërron epokë. E transformuar tërësisht!

Posta ndërroi epokën. Që nga koha kur Postën e Lezhës e drejtonte Znj. Fadile Shema, që nga ajo kohë, kur postën e drejtonte kjo zonjë e nderuar pra, nuk mbahet mend, as nuk gjendet vulë e as firmë, qoftë në shkresa, qoftë në dukje, apo në gojëdhëna që kjo godinë të ketë pësuar ndonjë ndryshim që prej asaj kohe.

Të gjithë drejtuesit e saj, qysh pasi mbaroi ‘epoka Shema’, e deri në Mars të vitit 2020, të gjithë drejtuesit pasues, e kanë lënë godinën e postës ditën që kanë ikur prej saj njësoj siç e kanë gjetur ditën që kanë ardhur në të.

Nuk duhen mohuar, megjithatë, që në harkun e 30 viteve të fundit, disa lyerje sporadike ndoshta, disa rregullime dyersh e dorezash, arredime, çmontime, apo ndërrim vendesh, të tipit, aty ku ishte drejtoria u bë zyra e financës apo shërbimeve, dhe anasjelltas. Nuk duhet mohuar që në harkun e gjithë këtyre viteve mund të jenë blerë 3 saksi me lule, dhe janë ndërruar llambat e djegura nëpër korridore.

Nëse shkojmë sot, me 27 Prill 2020, në zyrën qendrore të Postës së Lezhës, do të duket sikur po futemi në një epokë tjetër. Me një ambient që shndrit nga pastërtia e çdogjëje të re, hapërisë e plotë, me një pamje qetësuese e çlodhëse, me sportelet e ndara, dhe me pajisje me teknologji moderne. Në fakt ajo nuk duket më si posta, por si banka më e modernizuar e Lezhës.

Çfarë ndodhi? Pse tani? Pse posta e Lezhës?

E vërteta duhet thënë. Që nga ‘epoka Shema’ e deri më sot, i vetmi drejtues që arriti t’ia ndryshonte faqen Postës së Lezhës është drejtuesi aktual Z. Pjerin Çuku.

Në përshtypje të parë të duket një person jo shumë bindës. Por do të gaboheshe rëndë nëse do të bazoheshe në atë përshtypje, sepse në fakt ai është ndryshe, sidomos në komunikim, që është edhe kolona kryesore, që ia mundëson Z.Çuku epërsinë manaxheriale, kjo vjen ndoshta edhe ngaqë ai ka patur një përvojë të gjatë manaxheriale edhe jashtë vendit, ku i është dashur të menaxhojnë sipërmarrje me mbi 1600 punëtorë. Por kjo është temë për një herë tjetër. Ajo që duhet theksuar është shumë e thjeshtë, bardh e zi, shkurtimisht pra, ky zotëri bëri atë që s’e ka bërë askush në 30 vite me Postën e Lezhës.

Posta po konfigurohet gjithnjë e më shumë drejt një institucioni me konture bankare, ashtu siç ka ndodhur transformimi me të gjitha shoqëritë postare të vendeve fqinje dhe në mbarë Europën, kështu që, herët apo vonë, edhe Shqipëria në atë drejtim do të ecë.

Ky ishte një projekt pilot, i cili u implementua së pari në Lezhë, i financuar dhe i kontrolluar 100% nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, në projektim dhe zbatim.