Të gjithë menduan se është shumë e vogël për koncert, por kur ajo e mbështeti violinën në sup…

Ajo quhet Anamaria, dhe siç e ka emrin fisnik ajo po ashtu ka edhe pasionin fisnik. Ato duar të vogla, dhe ato krahë ende të pa-formësuar mirë, për më shumë se një orë në Sallën e Qendrës Kulturore nuk u lodhën me lëvizjet e tyre të magjishme.

Duket e pamundur për krahët e brishtë të një vogëlusheje që ta dominojnë violinën për një kohë aq të gjatë, e për këtë ka vetëm një shpjegim, forca e pasionit e tejkalon shumëfish forcën e muskujve.

Anamaria Prendi ëmbëlsoi shqisat e të gjithë të pranishmëve në sallë me notat e mbretit të barokut, virtuozit violinist, fratit me famë shumëshekullore Antonio Vivaldi.

Të luash Vivaldin nuk është si të luash me iPhone, duhet mjeshtëri dhe stërvitje e jashtëzakonshme, jo me ditë, as me javë e muaj, por me vite radhazi, dhe Anamaria na bindi mbrëmë, se përpjekjet e vazhdueshme dhe pa u ndaluar, këmbëngulja, dhe forca e pasionit, bëjnë mrekullitë më të bukura.

Ndërkohë që fëmijët e tjerë u luteshin prindërve për lodrën e radhës, Anamaria stërvitej që truri i saj t’i përkthente shënimet që sheh në lëvizje dore, derisa erdhi dita që ky shkëmbim të ndodhte me shpejtësinë e ritmit të melodisë.

Investimi ia vlejti, sepse mbrëmë ajo arriti ta ndiqte Vivaldin e madh, notë për notë, identik, pa devijuar aspak, dhe kjo do të thotë shumë për të ardhmen dhe për të tashmen e vogëlushes Anamaria.

Ajo është e bija e dy prindërve të mrekullueshëm por në art ajo është “Vajza e Vivaldit.”

Anamaria me prindërit
Anamaria Prendi
Anamaria Prendi, Inva Mula

Ajo i dhuroi publikut një mbrëmje të stilit Andre Rieu, të magjishme, i kënaqi me qindra të pranishëm, dhe për disa minuta të bukura i veshi Lezhës vellon e artit që aq shumë i shkon.