Poeti orakull i Lezhës që parashikoi çfarë do të thonin për të kur të mos ishte më…

Studiues të njohur e kanë cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek ta tradhtonte.

Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai shkruajti gjithnjë me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veçse një gjimnazist në Lezhë.

Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull.

Ai ka shkruar veprat “Rrezatim”, “Shqiponja rreh krahët”, “Qëndresa”, “E përditshme”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”.

Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë dhe që në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para.

Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit.

Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin komunist, shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e propogandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit.

Mesditën e të hënës, 7 qershor të 2010-tës, ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Lezhës, Ndoc Gjetja. Poeti vuante prej vitesh nga probleme shëndetësore, dhe tri javët e fundit gjendja e tij u bë kritike në sanatoriumin e Tiranës nga kanceri në mushkri.

Vdekja e tij ishte një goditje tjetër e rëndë për familjen Gjetja që e kishte humbur qetësinë me vdekjen e të birit në vitin 1997. Prej atij viti poeti jetoi krejt i tërhequr nga bota dhe letërsia.

Dikush kujton Gjetjen të ketë thënë dikur: “Unë nuk dua t’i jap fund jetës, pa i dhënë botës diçka”…

Ndarja nga jeta më 7 Qershor 2010 nuk e ka ndalur poezinë e tij të rrjedhë e të shpërndahet.

Në poezinë “Epitaf për Veten” përgatit atë që do të thonë për të pas vdekjes.

Epitaf për Veten

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja

i cili pati ardhur gabimisht në botë

nga vetja e tepruar nxirrte vjersha

dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter

kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltuqe

kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje

uli sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoji e hyri në manastirin e Unit

të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes

Pastaj e përcollën në banesën e fundit

me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë nje hënë e përgjakur

e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”

Mos kërkoni të dini për të më tepër

se iku sikur të mos kishte qenë.